fbpx
Lajme

Milo: Në kulmin e ngjarjeve të Drenicës, Washingtoni na tha, qëndroni larg UÇK-së 

Nga Paskal Milo

Ngjarja ishte e jashtëzakonshme jo vetëm nga përmasat e krimit, por edhe për rrjedhojat që solli e jehonën që pati. Qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera të shtetit shqiptar reaguan fuqishëm duke reflektuar ndjenjat mbarëkombëtare të shqiptarëve në Shqipëri e jashtë saj. Qeveria shqiptare bëri një deklaratë zyrtare ku dënohej me terma shumë të forta ofensiva ushtarake serbe në Drenicë dhe ku i bëhej thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje. Iu dërguan letra ministrave të jashtëm të Grupit të Kontaktit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u kërkua mbledhja e Këshillit të Sigurimit dhe bënë konsultime me NATO-n në Bruksel. Komuniteti ndërkombëtar reagoi menjëherë, por në mënyrë dispropocionale, për të përcaktuar përgjegjësit për ngjarjet dramatike të Drenicës. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania e Franca nënvizuan si shkaktar kryesor regjimin e Millosheviçit pa anashkaluar edhe gjykimin për veprimtarinë e UÇK-së. Rusia ndërkohë në traditën e qëndrimeve të saj mori pozitat në mbrojtje të Serbisë duke akuzuar UÇK-në si forcë terroriste, por edhe duke folur me gjysmë zëri për nevojën e një autonomie më të gjërë për shqiptarët e Kosovës. Italia lëkundej diku në mes dhe sugjeronte si formulë për zgjidhje statusin e provincës së Alto – Adige-s (Tirolit Jugor).

Ngjarjet e Drenicës e rikapituluan më me intensitet temën e natyrës të UÇK-së e të qëndrimit ndaj saj por edhe të statusit që duhej të kishte Kosova. Qeveria shqiptare në rrethanat e reja nuk mund të qëndronte në heshtje, por bëri një ndryshim cilësor duke e konsideruar luftën e UÇK-së si akte vetëmbrojtjeje pasi ishte humbur shpresa për të gjetur një zgjidhje paqësore.

Shqipëria u vendos në një vëmendje prioritare nga komuniteti ndërkombëtar për disa arsye por më kryesorja për të shmangur kthimin e saj në bazë e prapavijë të UÇK që mund të çonte në një konflikt të gjërë shqiptaro-serb me rrjedhoja të paparashikuara për gjithë rajonin. Stabiliteti i brëndshëm i Shqipërisë ishte gjithashtu një arsye ndaj edhe ajo lipsej që të ndihmohej.

Këshillat dhe paralajmërimet ndaj qeverisë shqiptare vërshuan nga të gjitha anët. Në kulmin e ngjarjeve të Drenicës, në 2 mars, Uashingtoni i dërgoi Tiranës mesazhin se “qeveria shqiptare duhet të qëndrojë sa më larg UÇK-së, të mos ketë dhe të refuzojë çfarëdo lloj kontakti me të, duke e injoruar plotësisht”. Mesazhi tjetër që pasoi ishte që qeveria shqiptare të merrte të gjitha masat e duhura për të parandaluar civilët e armatosur nga Shqipëria për të hyrë në Kosovë, për të përdorur të gjitha kanalet e saj për të influencuar ndër shqiptarët e Kosovës që ndodheshin në Zvicër apo gjetkë që të mos ndërmerrnin veprime të tilla e të mos grumbulloheshin mjete financiare për të përkrahur UÇK-në.  

Të tilla mesazhe erdhën në Tiranë edhe nga kryeqytetet e tjera të vëndeve të Grupit të Kontaktit përfshirë edhe Moskën e cila fliste me tone të theksuara proserbe. Madje Rusia në vijim të akuzave serbe shpërndau dyshime se në veri të Shqipërisë ekzistonin kampe të stërvitjes të UÇK-së.Kjo akuzë u përcoll edhe në zyrat e OSBE në Vjenë, e cila kërkoi sqarime në Tiranë.

Ngjarjet e Drenicës i dhanë UÇK peshë dhe dimension tjetër. Ato imponuan në Uashington e në Evropë një qasje më serioze e më konkrete në kërkim të një zgjidhjeje. Deklarata e 9 marsit e Grupit të Kontaktit dënoi aksionin e gjërë policor serb “që nxitën edhe më shumë situatën në shpërthim”. U kërkua vendosja e embargos së armatimit ndaj RFJ duke përfshirë edhe Kosovën, tërheqjen e të gjitha forcave speciale policore serbe dhe ndërprerjen e veprimeve të forcave të sigurimit në Kosovë, fillimin e procesit të dialogut të Beogradit me udhëheqjen e komunitetit shqiptar në Prishtinë, kthimin e misionit afatgjatë të OSBE-së në Kosovë si dhe nisja e një misioni të ri të ish kryeministrit të Portugalisë, Felipe Gonzales si përfaqësues personal i kryetarit të radhës të OSBE, etj. Teksti dhe fryma e masave të propozuara kishte karakterin e ultimatumit dhe Milosheviçit iu la dhjetë ditë kohë për të reflektuar e vepruar. Në rast të kundërt kërcënohej me kalimin në fazën e dytë të sanksioneve kundër RF të Jugosllavisë.

Deklarata e Grupit të Kontaktit ishte dokumenti më i ashpër adresuar Beogradit pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit në përfundim të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Por hartuesit e Deklaratës u kujdesën që për shkak të ekuilibrave të brishta brenda Grupit të Kontaktit e sidomos për të mbajtur Rusinë në proces, për shkak të mospajtimeve të tyre me frymën revolucionare të luftës së UÇK, të hartonin një dokument të balancuar. Ndaj edhe në Deklaratë gjetën vend edhe frazat se dënimi i veprimeve të policisë serbe “nuk duhet të merret në asnjë rast si përkrahje ndaj terrorizmit, nga ana tjetër… Ne dënojmë tërësisht veprimet terroriste nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës… Ne këmbëngulim në të njëjtën kohë që të ndërpritet menjëherë çdo mbështetje financiare, me armatim apo përgatitje për aktivitete tërroriste nga jashtë RFJ”.

Deklarata përfundonte me nënvizimin e qëndrimit të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar për thelbin e konfliktit shqiptaro-serb e të ardhmen e Kosovës.Shprehimisht aty thuhej se “ne nuk mbështesim as pavarësinë as gjendjen e status-quo-së… Ne mbështesim një status të avancuar për Kosovën brënda RFJ…”.

Në dritën e zhvillimeve dramatike në Kosovë e të Deklaratës së Grupit të Kontaktit, Tirana u kthye në një qytet “pelegrinazhi diplomatik”. Zyrtarë e diplomatë të nivelit të lartë, ministra e ushtarakë të NATO-s vizituan kryeqytetin shqiptar. Në 12 mars Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana i shoqëruar nga komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, Wesli Clark erdhi në Tiranë. Një vizitë që qartazi dëshmoi interesimin e NATO-s për krizën në Kosovë e për rreziqet që e shoqëronin atë si dhe mbështetje e siguri të tij për Shqipërinë. Veçse Solana shprehu shqetësim për nivelin e kontrollit të kufijve shtetërorë dhe përshkueshmërinë e tyre.

Diplomacia shëtitëse e SHBA dy herë brënda muajve mars-prill risolli me porosi të Presidentit Klinton e Sekretares së Shtetit Ollbrajt në Tiranë Strobe Talbott e Robert Gelbard.

Kërkesat e tyre ndaj qeverisë shqiptare ishin bashkëpunim për të frenuar radikalizimin e situatës dhe ekstremizmin në Kosovë, mos furnizim të strukturave të UÇK-së me armë e municione nga depot e ushtrisë shqiptare, si dhe paralajmërim të tyre se mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës ishte zero.

Këmbëngulja amerikane e vuri në pozitë delikate qeverinë shqiptare. Nga njëra anë duhej të respektohej kërkesa e SHBA si vend mik e partner strategjik i Shqipërisë, por nga ana tjetër nuk mund të mos mbështeteshin shqiptarët kryengritës të Kosovës në luftën e tyre kundër zgjedhës serbe. Për të dalë nga kjo pozitë “sandwich”, në Tiranë u bë një ndarje detyrash: qeveria shqiptare dhe diplomacia e saj do të qëndronin në mbështetje të luftës së shqiptarëve si akt vetëmbrojtjeje kundër politikës e dhunës shfarosëse të regjimit të Millosheviçit, por edhe do të sinkronizoheshin me qëndrimet amerikane, britanike e më pak me ato të Grupit të Kontaktit në tërësi. Nëse qeveria shqiptare hezitoi përsëri të takonte në nivel të lartë një grup përfaqësues të LPK-UÇK-së ajo lejoi nga ana tjetër që shërbimi sekret shtetëror shqiptar dhe struktura të posaçme të ushtrisë shqiptare në heshtje të koordinonin ndihmën dhe mbështetjen për UÇK-në.

Ky qëndrim i dyzuar i qeverisë shqiptare nuk mbeti pa u vënë re nga Departamenti i Shtetit. Riçard Hollbrook, “buldozeri” i diplomacisë amerikane, negociatori i Dejtonit, i sapoemëruar si ambasador i SHBA në OKB mori përsipër një projekt që do të synonte të realizonte një Dejton të ri për Kosovën, por në kuadër të Jugosllavisë. Misioni i tij ishte të ulte në tavolinën e negociimit Millosheviçin me Ibrahim Rugovën. Për këtë qëllim në maj 1998 ndërmorri një turne që e çoi në fillim në Tiranë e pastaj në Prishtinë e Beograd.

Qeveria shqiptare kur Hollbrook, në 10-11 maj erdhi në Tiranë i shoqëruar nga Gelbard, Swigert, Kristofer Hill, ambasador i SHBA në Shkup, nuk e dinte se ai do të shkonte në Beograd e në Prishtinë. As edhe Hollbrook nuk njoftoi. Ai nuk donte në ato momente që qeveria shqiptare me deklaratat e qëndrimet e saj t’u ngatërronin amerikanëve letrat e lojës që ishin duke luajtur. Në qëndrimin e Hollbrook-ut u ndjenë shenja të lehta qortimi e presioni ndaj qeverisë shqiptare që në disa raste kishte bërë deklarata e kishte toleruar veprime në mbështetje të UÇK-së.

Vërejtjet e përfaqësisë së lartë diplomatike amerikane se nga Shqipëria vazhdonte trafiku i armëve, i njerëzve dhe i parave u shoqëruan me kritika për qeverinë shqiptare se kjo dobësonte pozitën e Rugovës. Hollbrook-u u tha padrejtësisht bashkëbiseduesve të tij shqiptarë se “ju nuk po bëni asgjë për ta ndihmuar atë”.  Amerikanët donin të dinin burimin e trafikut të armëve, i shqetësonte mundësia e ngritjes së kampeve të rezistencës nga ana e UÇK-së në Shqipëri, ndërhyrja e grupeve islamike dhe ardhja e muxhahedinëve. Nëse vërtetoheshin këto fakte, paralajmëruan ata, do të komplikohej shumë çështja e reagimit ndërkombëtar, do të ndryshonte çdo gjë në marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë si dhe pozicioni evropian.

Qeveria shqiptare nuk i pranoi kritikat e Hollbrook-ut. Madje edhe mbeti disi e zhgënjyer prej tij. Por vetëm katër ditë më vonë ajo e kuptoi thelbin e kritikave të tij kur në 15 maj u njoftua takimi në Beograd i Sllobodan Millosheviçit me Ibrahim Rugovën. Për këtë takim, Ibrahim Rugova në shoqërinë e Bujar Bukoshit, Fehmi Aganit e Veton Surroit u shpërblye në 29 maj me një pritje në Uashington nga Presidenti Klinton e Sekretarja e Shtetit Ollbrajt.

Administrata amerikane u investua shumë për Rugovën dhe pas tyre edhe qeveritë e vendeve anëtare të BE. Ajo shpresoi se me këtë mbështetje të gjërë do të rriteshin kredencialet e tij politike në rënie para shqiptarëve dhe do të pranohej edhe nga UÇK si udhëheqës politik i saj. Madje edhe Rugova e pretendoi këtë rol në mënyrë publike. Uashingtoni gaboi në këto llogari. UÇK-ja e hodhi poshtë këtë pretendim dhe së bashku me faktorët e tjerë politikë në Kosovë e kritikoi ashpër takimin Millosheviç-Rugova në Beograd.

Në këto rrethana SHBA bënë një rishikim të politikës së tyre ndaj Kosovës. Ato e kuptuan mirë se UÇK-ja nuk ishte një grup nacionalistësh radikalë shqiptarë që i kishin hyrë një aventure të dhunshme por një lëvizjeje që po rritej dita – ditës e që po gjente mbështetje të gjerë nga shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës. Ajo po bëhej një realitet politik dhe ushtarak i paneglizhueshëm në të gjitha kombinacionet e mundshme të një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës. Në Uashington u vendos që në sekret të plotë të vendosej kontakti i parë me UÇK-në. Terrenin e përgatiti K. Hill së bashku me strukturat e posaçme amerikane në rajon.

Në 23 qershor, Riçard Hollbrook, në kuadrin e një turneu rajonal e në shoqërinë e Gelbard e Hill mori takim me dy përfaqësues lokal të UÇK në zonën e Drenicës. Të nesërmen, Departamenti i Shtetit deklaroi se nuk e konsideronte UÇK-në si terroriste. Kjo kthesë e beftë amerikane e pakonsultuar me qeveritë e vendeve anëtare të BE-së ngjalli nervozizëm e kundërshtime. Amerikanët u shpjeguan se synimi i tyre ishte që në kushtet e një realiteti të dukshëm, UÇK të vendosej nën kontrollin politik dhe të përfshihej në bisedime. Formula e përfshirjes do të ishte krijimi i një Këshilli ose Autoriteti kordinues nga të gjithë faktorët politikë e ushtarakë shqiptarë të Kosovës. Kjo strategji ishte biseduar me Rugovën në Uashington dhe ishte marrë pëlqimi i tij. Misionin për të udhëhequr punën në terren për krijimin e këtij Këshilli dhe për hartimin e një platforme bisedimesh me regjimin e Millosheviçit e morri përsipër Kristofer Hill.

Qasja e re amerikane ndaj UÇK-së u prit mirë në Tiranë. Ajo i dha frymëmarrje edhe qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj UÇK-së, në një farë mënyre gjysëm zyrtarizoi marrëdhëniet me të. Amerikanët i qartësuan qeverisë shqiptare synimet e tyre për të bërë “përpjekje për vendosjen e UÇK-së nën kontroll politik”, se ajo “duhet marrë në konsideratë si realitet sepse është zgjeruar”. Por duke theksuar se “ne kemi vendosur të mbajmë konfidenciale rezultatet etakimeve tona me UÇK-në”, ata paralajmëruan përsëri “se pika fokale është dr. Rugova”.Madje në gusht 1998 u duk sikur u tërhoqën përsëri kur mesazhet e përcjella nga Departamenti i Shtetit në ministrinë e jashtme shqiptare nënvizonin se “pala amerikane është e prerë në opozitën e saj ndaj veprimtarisë së UÇK-së duke e konsideruar atë të pashpresë”, se “ne nuk e mbështesim UÇK-në. Ne kemi qënë gjithnjë të mendimit se situata në Kosovë nuk mund të zgjidhet ushtarakisht”.Departamenti i Shtetit vazhdonte ti kërkonte qeverisë shqiptare edhe në gusht 1998 “ndalimin e trafikut të armëve nga jugu i Shqipërisë drejt veriut e më tej në Kosovë”, pasi “mund të ndikojë në përpjekjet tona për zgjidhjen diplomatike në Kosovë”.

Në Tiranë ishin në dijeni të përpjekjeve amerikane për të krijuar një këshill kordinues shqiptar me pjesëmarrjen edhe të UÇK por që të ishte nën kryesinë e Rugovës. Por qeveria shqiptare tashmë ishte e bindur për të mos dëgjuar gjithçka që i servirej.Kishte ardhur koha që ajo të shfaqej hapur në vendosjen e kontakteve me UÇK-në. Në fillim të muajit korrik, krerët më të lartë të shtetit shqiptar, presidenti Rexhep Meidani dhe kryeministri Fatos Nano veç e veç pritën në takime disa drejtues të LPK dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Bedri Islami, drejtues i Organizatës dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, etj.

Njohja e pjesshme e realitetit të UÇK-së nga ana amerikane dhe drita gjysëm jeshile që administrata e Uashingtonit i hapi qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me UÇK, shënoi një fazë të re bashkëpunimi trekëndor, jo publik, me ulje-ngritje, me elemente mosbesimi të ndërsjelltë në funksion të objektivave të gjithësecilit. Ky bashkëpunim e mirëkuptim minimal do të vijë në rritje me gjithë kthesat nga njëherë edhe prapa për të arritur një trajektore të pakthyeshme pas Konferencës së Rambujesë e ndërhyrjes së NATO-s që çoi në çlirimin historik të Kosovës në qershor 1999.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close