fbpx
Lajme

Hoti: Kjo qeveri mbetet ndër qeveritë me performancën më të dobët

Avdullah Hoti nuk kishte popullaritet të madh kur u bë kryeministër i Kosovës, në qershor të vitit 2020. Për më keq, vendi po përballej me një varg krizash të ndryshme që u rritën ose shpërthyen papritmas – kriza politike, shëndetësore, ekonomike e sociale – e të cilat e shtuan në përmasa alarmante e të rrezikshme pakënaqësinë qytetare. Shumë analistë, përfshirë edhe bashkëpartiakë të tij, kishin shprehur habinë me guximin e tij për të marrë mbi supe gjithë përgjegjësinë që i ngarkohej në atë situatë, ndoshta më të vështirën për vendin që prej shpalljes së Pavarësisë. Dhe, ai habiti edhe më shumë me mënyrën e guximshme të qeverisjes dhe në përpjekjen për të konfrontuar secilën prej krizave.

Hoti hyri në historinë e re të Kosovës si kryeministër me nënshkrimin e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, dhe e cila mori mbështetje edhe nga administrata aktuale amerikane që udhëhiqet nga Joe Biden. Po ashtu, ai u shqua për një qasje dinamike edhe në ekonomi, duke ideuar një numër të madh pakosh ekonomike dhe masash tjera që mësynin ringjalljen e ekonomisë pas karantinave të detyrueshme të pandemisë. Sidoqoftë, zgjedhja e tij si kryeministër do të shpallej jo-kushtetuese dhe ai do t’i dorëzonte detyrën e kryeministrit, Albin Kurtit, më 23 mars të 2021-ës.

Çka mendon ish kryeministri Hoti për qeverisjen e njeriut të cilit i dorëzoi detyrën para një viti? Çka duhej të bënte Qeveria për rritjen e çmimeve? Çka mendon si ekonomist për agjendën ekonomike të Qeverisë? A po arrin ta shfrytëzojë Kosova momentin e krijuar pas invazionit rus në Ukrainë ku Serbia ashiqare është vënë në pozitë të vështirë? Çka pritet të ndodhë me dialogun? Në këtë intervistë për Nacionalen, Hoti jep një mori përgjigjesh të guximshme që më çuditën edhe mua derisa i lexoja.

NACIONALE:

Ju ishit në Ukrainë disa ditë para se të ndodhte agresioni rus. Cili është mendimi juaj për ngjarjet e atjeshme?

Avdullah HOTI:

Agresioni rus mbi Ukrainën është shkelje e të gjitha ligjeve ndërkombëtare. Është tragjike ajo çfarë po ndodh këto ditë në Ukrainë. Populli i Kosovës bashkëndien me popullin e Ukrainës. Është shumë e rëndësishme që Kosova menjëherë është renditur krahas vendeve demokratike në dënimin e këtij agresioni dhe vendosjen e sanksioneve të dakorduara nga bota demokratike dhe aleanca e NATO-s.

Reagimi admirues i popullit ukrainas si dhe uniteti i botës perëndimore demokratike i kanë thyer të gjitha parashikime e agresorit rus. Ky unitet i botës perëndimore po e rikonfirmon vendosmërinë për të ruajtur rendin demokratik botëror të vendosur para tri dekadash, kur u shemb sistemi fatkeq komunist që ishte përdorur për të shtypur shumë popuj për gjysmë shekulli. Ky unitet dhe qëndrueshmëria e popullit të Ukrainës sigurojnë se Rusia do të dështojë.  

Ngjarjet në Ukrainë po dëshmojnë se ka kaluar koha kur përmes agresionit janë përcaktuar rendi botëror dhe aleancat politike e ushtarake, siç ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore. Askush nuk mund të shtypë vullnetin e lirë të një populli për të jetuar në demokraci dhe për të hyrë në aleanca. Këtë mesazh tani e ka të qartë Moska.

NACIONALE:  

Serbia është vënë në pozicion të vështirë diplomatik pas kësaj situate. A duhet të përfitojë Kosova dhe a konsideroni që pushteti aktual po vepron mençur për ta shfrytëzuar momentin?

Avdullah HOTI:

Kosova ka vendosur drejt kur është renditur krahas vendeve perëndimore në relacion me masat e ndërmarra ndaj Rusisë dhe mbështetjen ndaj Ukrainës në kapacitetet e veta si shtet. Por aktiviteti diplomatik duhet të jetë shumë më dinamik, duhet të jetë profesional para së gjithash, si dhe në koordinimin me partnerët tanë. Kam përshtypjen se aktiviteti diplomatik i Kosovës po bëhet në funksion të agjendës politike vendore, dhe si rezultat po bie ndesh me parimet e të bërit diplomaci dhe po bëhen gafe e lëshime që po e nxjerrin diplomacinë e Kosovës joserioze dhe të papërgatitur. Madje tashmë do të duhej të kishte një plan veprimi në rrafshin diplomatik, i cili do të duhej të përfshinte të gjitha institucionet e vendit, përfshi këtu edhe grupet e miqësive në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që aspiratat tona për anëtarësim në organizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë të realizohen.

NACIONALE:

Për shkak të luftës në Ukrainë dhe hapjes së ekonomive pas pandemisë, çmimet në Kosovë – ashtu si edhe në vende tjera – janë rritur në përmasa të pabesueshme. A ishte e përgatitur Qeveria për një gjë të tillë dhe çka duhet të ndërmarrë tash e tutje?

Avdullah HOTI:

Asnjë qeveri, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës, nuk ka qenë e përgatitur ndaj reagimit të tregjeve në këto përmasa për shkak të agresionit rus mbi Ukrainë. Por është e papranueshme mungesa e veprimeve konkrete, të menjëhershme dhe të koordinuara me të gjithë akterët për të parandaluar rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe për të zbutur ndikimin negativ për qytetarët. Mbi të gjitha, nuk u menaxhua fare situata për të parandaluar krijimin e panikut të panevojshëm që nxiti qytetarët të ndërmarrin veprime të caktuara. Veprimet e Qeverisë, si në rastin e krizës energjetike, ashtu dhe tani në rritjen e çmimeve të mallrave elementare, përbëjnë braktisje të qytetarëve në momentet kur ata kanë më së shumti nevojë.

Parandalimi i rritjes së çmimeve nuk bëhet me inspektorat, së paku inspektorati nuk është mjeti kryesor. Ky parandalim arrihet me veprime të koordinuara me oda ekonomike dhe biznese, duke i ndihmuar bizneset në sigurimin e stabilitetit të zinxhirit furnizues me mallra, për t’i ndihmuar bizneset me kanale diplomatike në gjetjen e furnitorëve të rinj në tregje të reja, e kështu me radhë. 

NACIONALE:

Tashmë po afron njëvjetori i Qeverisë Kurti II (23 mars). Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për punën e saj? A mund të na tregoni mangësitë kryesore – por meqë jeni kundërshtar politik – a mund të përmendni edhe ndonjë sukses?

Avdullah HOTI:

Pa asnjë dyshim se kjo qeveri mbetet ndër qeveritë me performancën më të dobët. Ka pasur mungesë qartësie për të adresuar çështjet kryesore. Është dëshmuar se qëndrimet e mbajtura për shumë çështje gjatë kohës sa kjo mazhorancë ka qenë në opozitë kanë qenë vetëm propagandë kundër qeverisë së atëhershme për qëllime elektorale.

Qëndrimet se: “nuk ka dialog pa kërkim falje dhe pa zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve”, “dialog me serbët lokalë”, “jo dialog për çështje të brendshme të Kosovës” e të tjera si këto, kanë qenë propagandë. Sapo erdhën në qeveri, këta e nisën dialogun pa asnjë kushtëzim, u kthyen prapa në dialog për çështje teknike (siç janë targat), u dakorduan me Serbinë për tërheqje të njësive speciale të policisë nga veriu (që është çështje e brendshme e Kosovës). Kjo qeverie e degradoi procesin e dialogut nga takimet në Shtëpinë e Bardhë, në Bruksel dhe në qendrat e tjera Evropiane për njohje reciproke, në dialog për ngjitëse në targat e automjeteve.

Agjendë ekonomike nuk ka. Bumi ekonomik i pas-pandemisë, i nxitur kryesisht nga pakot e rimëkëmbjes në vitin 2020 dhe muajt e parë të vitit 2021 nga qeveria paraprake dhe nga dërgesat e mërgimtarëve, po shuhet. Sot bizneset nuk kanë asnjë qartësi se çfarë mund të presin nga kjo qeveri sa i përket politikave fiskale. Projekti i fondit sovran do të krijojë pasiguri ekonomike dhe do të dëmtojë konsolidimin e mëtejmë të sektorit të ndërmarrjeve publike. Futja e ndërmarrjeve që janë nën menaxhim të AKP-së në këtë fond do të krijojnë pabarazi sociale në mes të punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara dhe atyre që ende nuk janë privatizuar. Vonesat e shpërndarjes së subvencioneve në bujqësi, së bashku me rritjen enorme të çmimeve të inputeve bujqësore, ka bërë që sivjet të kemi shumë tokë të papunuar.  

Dialogu social është kthyer në “konfrontim social”. Qeveria nuk arrin të ketë bashkëbisedim të civilizuar me sindikatat dhe me odat ekonomike edhe kur nuk pajtohet me to. Negociatat për vendosjen e pagës minimale dështuan. Para disa muajsh kishim përfshirje direkte të kryeministrit në funksionimin e pavarur të sindikatave, që bie ndesh me autonominë e organizimit sindikal dhe që solli reagimin e mekanizmave ndërkombëtarë sindikalë. Koordinimi i politikave ekonomike me odat ekonomike pothuajse nuk ekziston.

Në fushën diplomatike ka degradim të pashembullt. Gabimet dhe lëshimet e përditshme në diplomaci, të cilat tregojnë mungesën e njohurive elementare institucionale e diplomatike,  e kanë ulur nivelin e seriozitetit që kanë partnerët tanë karshi diplomatëve dhe zyrtarëve të Kosovës. Është e papranueshme për këdo që zyrtarët e Kosovës të ligjërojnë filozofi majtiste apo të tregojnë arrogancë në forume ndërkombëtare. Nga ta pritet të tregojnë qartësi në mbrojtje të interesit shtetëror të Kosovës, e cila gjë duhet të bëhet duke treguar kulturë politike e institucionale dhe duke u koordinuar me miqtë tanë.

NACIONALE:

Ju ishit Kryeministër i Kosovës në një periudhë mjaft të vështirë për vendin, kur u arrit Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në Uashington. Tashmë, administrata amerikane ka ndryshuar. A besoni që edhe kjo e tanishmja do të ketë rol pro-aktiv në dialogun, apo do të jetë më pasive siç ishte administrata Obama (ku Biden ishte zëvendës-president)?

Avdullah HOTI:

Administrata Biden ka treguar përkushtim të plotë për dialog. Këtë e dëshmon edhe emërimi i Emisarit Special. Në këtë kontekst, është inkurajuese edhe emërimi i ambasadorëve amerikanë me shumë përvojë në vendet e rajonit, të cilët kanë qenë pjesë e proceseve që kanë determinuar vendimmarrjen për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në javët e para të saj, administrata aktuale amerikane e ka konfirmuar rëndësinë dhe mbështetjen për Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020.

Qasja që po ndjek administrata aktuale karshi dialogut në thelb nuk dallon nga qasja e administratës paraprake – ku SHBA-ja nuk përfshihet drejtpërdrejt në dialog, por siguron që palët të dialogojnë për marrëveshje përfundimtare. Natyra e kësaj marrëveshjeje përfundimtare është qartësuar në letrat e presidentit paraprak dhe atij aktual amerikan drejtuar Serbisë, ku specifikohet vendosmëria amerikane për përmbylljen e dialogut me njohje reciproke.

Besoj se roli amerikan në dialog është komplementar ndaj rolit të BE-së. Levat që SHBA-ja i ka në dorë për të disiplinuar Serbinë nuk i ka BE-ja. Mospërfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në dialog parandalon përfshirjen e disa fuqive të tjera joevropiane, të cilat kanë qenë vazhdimisht jokonstruktive. Ndërkohë që, duke e trajtuar dialogun Kosovë-Serbi si çështje të BE-së, në të njëjtën kohë sigurohet perspektiva euro-integruese e Kosovës dhe e gjithë rajonit.

NACIONALE:

Dhe një pyetje më direkte, por që duket e pashmangshme marrë parasysh rrethanat aktuale. A e konsideroni më të rrezikshme status quo-në në raportet tona me Serbinë apo një marrëveshje finale?

Avdullah HOTI:

Është e dobishme për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin, të arrihet sa më parë një marrëveshja për njohje të ndërsjellë. Kjo është mënyra më e lehtë që të integrohemi në OKB, NATO, BE dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Por, ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nuk është e kushtëzuar nga njohja e Serbisë. Kosova e pavarur është projekt i përhershëm.

Në të ardhmen, Kosova do të jetë formalisht pjesë e NATO-s dhe BE-së. Askush nuk ka arsye të hamendësojë për këtë. Zhvillimet në Ukrainë po dëshmojnë nevojën e kompletimit sa më parë të aleancës së NATO-s me vendet e mbetura, ku përfshihet edhe Kosova. Zhvillimet në Ukrainë gjithashtu po dëshmojnë për pasojat e vonesave nga ana e BE-së në integrimin e vendeve që janë në fqinjësi të BE-së, ku përfshihet edhe Kosova.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close