fbpx
Lajme

Ish diplomati amerikan kallëzon si i dëmtoi Kurti interesat e Kosovës me tri dhurata për Vuçiqin

Qëndrimi i profesorit amerikan me përvojë të gjatë në Ballkan, Edward P. Joseph, ishte aq i drejtpërdrejtë e i fortë sa provokoi një bujë të madhe në opinionin publik në Kosovë.

Joseph shprehej ashiqare – për vendimin e Qeverisë Kurti II për të bllokuar votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë – se “ishin çuar përpara interesat e Serbisë” dhe ishin “dëmtuar interesat e Kosovës”.

Ta mendosh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si një “dëmtues të interesave të Kosovës” është e zorshme, veçanërisht nëse marrim parasysh karakterin dominues nacionalist të protestave të tij tash e pesëmbëdhjetë vjet.

Por, Joseph është shumë këmbëngulës në qëndrimet e tij edhe në këtë intervistë dhe ofron argumentet e tij pse “ishin çuar përpara interesat e Serbisë” nga vendimi i Qeverisë Kurti për çështjen në fjalë.

Ai nuk ngurron të ofrojë përgjigje të drejtpërdrejta edhe në pyetje tjera që janë shtruar në debatin tonë të brendshëm publik.

I N T E R V I S T A

NACIONALE:

Zgjedhjet serbe të 3 prillit nuk po lejohen që të mbahen në Kosovë. Kjo po shihet gjerësisht si një fitore e madhe për agjendën nacionaliste të kryeminsitrit Albin Kurti. E megjithatë, ju keni pretenduar që Kurti i ka dëmtuar interesat e Kosovës dhe “i ka çuar përpara ato të Serbisë”. A mund t’i shpjegoni lexuesve tanë arsyen prapa këtij qëndrimi?

EDWARD P. JOSEPH

Po, mund të përgjigjem në mënyrë shumë koncize. Ju thoni që vendimi për votimin në zgjedhjet serbe është “parë gjerësisht si një fitore e madhe për agjendën nacionaliste të Kurtit”. Kjo ngrit një pyetje të madhe për lexuesit tuaj: “a doni të çoni përpara një agjendë nacionaliste apo doni të futeni në NATO?”

Realiteti – nuk ka rëndësi se kush s’dëshiron ta pranojë – është që Kosova nuk mund t’i zgjedhë të dyja. Për shkak të bllokadës me njohjen nga Serbia – të mbështetur nga katër vende anëtare të NATO-s: Greqia; Rumania; Sllovania; dhe Spanja – Kosova nuk e ka luksin që të ç’orientohet në objektivat e saj strategjike. Prioriteti urgjent i Kosovës është dalja nga kjo bllokadë mbytëse, e cila avancohet nga Serbia dhe Rusia.

Fatkeqësisht, vendimi i qeverisë së Kosovës për të mos lejuar zgjedhjet serbe vetëm sa e çoi përpara “agjendën nacionaliste” të Serbisë, jo të Kosovës. Më lejoni ta shpjegoj këtë gjë në dy pjesë: dhuratat për Vuçiqin; dhe mbrojtja ekzistuese e sovranitetit të Kosovës nën sistemin e votimit që ka ekzistuar tash e dhjetë vjet.

E para, si dikush që vazhdimisht ka alarmuar për rreziqet e përkëdheljes së “regjimit” pro-rus dhe anti-demokratik të Vuçiqit, është shumë zhgënjyese të shoh presidentin serb duke i marrë gjithë këto dhurata nga Prishtina.

Dhurata e Parë: Pranimin zyrtar që Serbia është bërë bashkëpunuese – dhe Kosova jobashkëpunuese – nga pesë shtete lidere të NATO-s (dhe BE-së), të udhëhequr nga miku më i madh i Kosovës, Shtetet e Bashkuara. Kësaj vetëm sa i bëri jehonë kryeministri i një vendi tjetër anëtar të NATO-s, ai i Norvegjisë. Menjëherë pas takimit me kryeministrin Kurti, kryeministri Store qartë shprehu “zhgënjimin” që Kosova nuk po lejonte mbajtjen e zgjedhjeve serbe si më herët.

Dhurata e Dytë: Mundësi më të mëdha për Vuçiqin që të konsolidojë serbët e Kosovës në strukturat politike dhe administrative që minojnë sovranitetin, autoritetit dhe në të ardhmen edhe funksionalitetin e Kosovës. Kjo e çon përpara vizionin e Vuçiqit që “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe” të jetë nën autoritetin e Beogradit, e jo të Prishtinës.

Dhurata e Tretë: Krijimi i përshtypjes, që vetëm sa u përforcua edhe më shumë pas protestave publike në Kosovë, që qeveria e Kosovës nuk zbaton përgjegjësitë e saj për qytetarët e saj serbë. Edhe kundërshtarët e Vuçiqit dhe edhe Lista Srpska e tij tash po bëjnë me gisht kah Kosova. Marko Jakshiq, një bashkëpunëtor i politikanit të vrarë Oliver Ivanoviq, kritikoi Kurtin (në Danas) për “veprimet e tij kundër bashkekzistencës dhe multietnicitetit.” Jakshiq hapur akuzoi Vuçiqin dhe Listën Srpska për “vjedhje në zgjedhje” njëkohësisht duke thënë që ata “të paktën nuk jua kishin mohuar të drejtën e votës.”

Shpresoj që këto tri dhurata ta bëjnë të qartë arsyen pse vendimi për votimin në zgjedhjet serbe ishte një auto-gol.

Me vendimin e saj, Qeveria e Kosovës e ka hequr të drejtën që e gëzonte komuniteti i serbëve në Kosovë. Kjo është ndryshe prej “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” që nuk ekziston dhe që duhet diskutuar në dialog, si pjesë e marrëveshjes finale. Votimi në zgjedhjet serbe nuk mund të krahasohet me tarifat doganore (Taksa 100%) që Kosova mund t’i bëjë, si çdo shtet tjetër, kur sheh se interesat e saj po rrezikohen nga një fqinj armiqësor. Tarifat prekin të gjithë qytetarët e Kosovës, jo veç komunitetin e serbëve në Kosovë.

E dyta, modeli ekzistues i OSBE-së për votimin e Serbëve në Kosovë e mbron sovranitetin e Kosovës.

Përkundër formës se si është shtruar pyetja, Serbia nuk organizon zgjedhje në Kosovë, dhe nuk e ka bërë tash e dhjetë vjet. OSBE-ja ka organizuar votimin, pa ndonjë ankesë serioze deri më tash. Ky model mbron sovranitetin e Kosovës, derisa respekton të drejtat e komunitetit serb të Kosovës.

E di këtë gjë sepse e kam negociuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2012 si zëvendës-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. E kam shkruar opinionin për Balkan Insight sepse e di nga dora e parë se si ky model është dizajnuar – me idenë e qartë dhe pa kuptim të dyfishtë se me këtë punë merret OSBE-ja dhe jo Serbia.

Natyrisht, çdo model mund të përmirësohet. Pres të dëgjoj nga zyrtarët e qeverisë së Kosovës se çfarë përmirësimesh konkrete kanë kërkuar nga ShBA-ja dhe partnerët evropianë. Deklarata nga ‘Quint’-i nënkupton që Serbia ishte e hapur për modifikime. A ishte Kosova?

NACIONALE:

Shtetet e Quint-it po ashtu kanë shprehur “zhgënjimin e madh” për vendimin e Qeverisë tonë dhe e kanë akuzuar Kosovën “që ka dështuar të mbrojë… të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”. A është kjo akuzë e dëmshme për imazhin e Kosovës jashtë vendit?

EDWARD P. JOSEPH:

Natyrisht që është e dëmshme – jo vetëm për imazhin e Kosovës, por edhe për interesat e saj thelbësore. Kosova përballet me një problem strategjik që është njohja nga vetëm gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, dhe ka mbetur jashtë në një numër të madh organizatash ndërkombëtare, mbi të gjitha, nga NATO që tash ka rëndësi të menjëhershme për Kosovën madje edhe se pranimi në OKB.

Me invazionin rus në Ukrainë, Serbia tashmë është nën mbikëqyrjen më intenzive ndonjëherë për marrëdhëniet e saj me Putinin – dhe për sistemin e saj autokratik dhe politikat e destabilizimit të fqinjve. Invazioni rus e ka unifikuar NATO-n  – duke ju dhënë më shumë arsye aleatëve të NATO-s që të mirëpresin një shtet shumë pro-NATO si Kosova, fillimisht përmes ‘Partneritetit për Paqë’, e më pas edhe duke ofruar “Planin e Veprimit të Anëtarësisë”, e në fund edhe anëtarësimin në Aleancë.

Menjëherë pas invazionit rus, presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Nato, siç e kanë bërë edhe të tjerë në Kosovë. Kjo është konsistente me raportin tonë të fundit në Qendrën SAIS-Wilson. Por, marrëdhënia e Kosovës me NATO-n mund të çohet përpara nëse katër shtetet që nuk e njohin Kosovës – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia – e ndryshojnë këtë pozicion.

Në vend se ta shfrytëzojnë këtë mundësi kritike, Prishtina ka bërë autogol duke e bllokuar një metodë përsosmërisht të drejtë për serbët e Kosovës që të votonin. Askush nuk e kupton tash këtë gjë më mirë se Albin Kurti, pas takimit të tij më 29 mars me kryeministrin norvegjez.

Nëse Norvegjia, dhe pesë shtetet anëtare të NATO-s përfshirë Shtetet e Bashkuara, publikisht e bënë të qartë “zhgënjimin” me Kosovën për zgjedhjet serbe, cilat janë gjasat që Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania të ndryshojnë pozicion?

Secili që dëshiron ta pranojë realitetin e di përgjigjen, dhe ajo nuk është e mirë për Kosovën.

NACIONALE:

Së fundi, z. Haki Abazi – kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme – ka pretenduar që opinioni juaj është i pabazë dhe ka implikuar që ju nuk po njihni vendimet e një qeverie të zgjedhur me votë të lirë demokratike. Cila është përgjigjja juaj?

EDWARD P. JOSEPH:

Opinioni im i fundit ashiqare ka ndjellë zemërim në Kosovë. Ka pasur aq shumë reagime, edhe mbështetëse por edhe kundërshtuese ndaj perspektivës time, sa që nuk mund t’i përgjigjem secilës.

Është e habitshme se si zyrtarët e Kosovës fokusohen më shumë në fjalën time – një qytetar i thjeshtë amerikan me eksperiencë të gjatë në Ballkan – se sa në fjalët e zyrtarëve të qeverisë Amerikane dhe qeverive tjera të mëdha evropiane. Këta të fundit janë shumë të qartë në qëndrimet e tyre: vendimi i qeverisë së Kosovës për të mos lejuar votimin në zgjedhjet serbe, me modelin ekzistues të OSBE-së, është gabim. Mund ta shpjegoj fare thjeshtë pse-në. Kam bazë solide për qëndrimet e mia meqë e njoh nga dora e parë se si modeli i OSBE-së ishte dizajnuar, dhe se si e mbron sovranitetin e Kosovës.

Askush nuk po vë në pyetje të drejtën e qeverisë së Kosovës për të vendosur kushtet se si qytetarët e saj me nënshtetësi të dyfishtë do të votojnë (në zgjedhjet që s’janë të Kosovës) në territorin e Kosovës. Ambasadori i ShBA-ve në OSBE, Michael Carpenter, e bëri të qartë këtë gjë në muajin janar sa i përket referendumit serb mbi amandamentet kushtetuese në reformën e gjyqësorit.

Në të njëjtën kohë, askush nuk mund të vë në pikëpyetje të drejtën e zyrtarëve të huaj apo akademikëve që të kritikojnë vendimet e Qeverisë. Ky lloj i reagimit ndaj kritikës është i çuditshëm, e madje edhe pak absurd. A nuk duhet të sfidojmë ‘sovranitetin’ e Serbisë për të mos i vënë sanksione Rusisë? Çka sa i përket vendimit ‘sovran’ të Gjermanisë për të qenë partnere me Rusinë në tubacionin e gazit Nord Stream 2? Apo, mos duhet që veç Kosovën ta ruajmë nga kritikat?

Sa i përket mandatit të votuesve kosovarë, sa më kujtohet ishte Albin Kurti me partnerët e tij të koalicionit që garuan me platformën “punë dhe drejtësi”. Dhe, më kujtohet që ai kishte thënë se do të kishte marrëdhënie të mira me serbët e Kosovës sepse “ata s’i kishin bërë asgjë atij, e ai s’ju kishte bërë asgjë atyre.” Për fat të keq, nuk është më e qartë nëse ai mund ta bëjë një deklaratë të tillë.

NACIONALE:

Invazioni rus në Ukrainë ka ringjallur kujtesën tonë për luftën që ndodhi para 23 vitesh në Kosovë. Po ashtu, shumë politikanë – përfshirë kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani – kanë pretenduar që ka mundësi që Rusia të kërkojë shpërndarjen e konfliktit në rajonin tonë. Cili është komenti juaj?

EDWARD P. JOSEPH:

Me një lidership kaq mizor, kaq të krisur e kaq të korruptuar sa qeveria e Rusisë nën Vladimir Putinin, askush nuk mund ta përjashtojë ndonjë përpjekje të tyre për destabilizimin e Ballkanit.

Prioriteti strategjik i Kosovës është siguria. Siç e kemi parë me Ukrainën, nuk ka zëvendësim për sigurimin e një vendi kundër një fqinji më të madh e armiqësor. Kosova përballet me armiqësi të rëndë politike nga Serbia. Pavarësisht pranisë së KFOR-it, ka potencial për konfrontim ushtarak, veçanërisht nëse marrim parasysh grumbullimin intenziv të ushtrisë së Serbisë kohët e fundit.

Ajo që shoh nga Moska në këtë moment është ankthi se çka mund të ndodh në Ballkan që i dëmton interesat e Rusisë. Këtë javë, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, dha një intervistë për Tanjugun ku paralajmëroi që Kosvoa “dëshiron të marrë avantazhe të mëdha për situatën për të fituar njohje të “kuazi-pavarësisë” së saj”. Pse do të lodhej Lavrovi që të jepte një intervistë të tillë për një medium serb gjatë një krize tmerruese, duke përfshirë lojtarë të mëdhenj globalë si ShBA-ja, BE-ja dhe Kina? Kjo nënkupton që Lavrovi është i brendosur edhe për trysninë me të cilën mund të përballet Serbia për sanksionet – dhe, po ashtu, për mundësitë e hapura për Kosovën në këtë situatë të re.

Ky është momenti kur liderët e Kosovës duhet të kenë vizion. Në vend se të ndjekin “agjenda nacionaliste” të vogla (siç i quani ju), Prishtina duhet të lëviz në drejtim krejtësisht të kundërt: të tregojë bashkëpunimin e saj strategjik me aleatët e NATO-s si ShBA-ja – që është konsistente me dinjitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Në vend se të bllokojë serbët së votuari, tash ishte koha të bëheshin do ndryshime dhe të lejohej modeli bazik i OSBE-së të vazhdonte. Tash do të ishte koha që të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Fatkeqësisht, disa njerëz kanë ngelur në botën siç ajo ka ekzistuar para 24 shkurtit kur Rusia u fut në Ukrainë. Në vend se t’ju dalin kundër miqve të vërtetë të Kosovës – që e duan të mirën e këtij shteti dhe nuk kanë frikë ta thonë kur ajo dështon – zyrtarët kosovarë duhet të kapin mundësitë e hapura strategjike para tyre.

Intervista është realizuar në gjuhën angleze.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close