Ferajt të VV-së s’i mjafton Nuredini, tallet me krejt Lushtakët
Aktivisti i Vetëvendosjes, Hysamedin Feraj, ka bërë një shkrim në të cilin ironizon me rastin e plagosjes së dy policëve në Skënderaj ku i përfshirë është edhe Nuredin Lushtaku.
Megjithëse konsiderohet si një ndër ideologët e Vetëvendosjes, z. Feraj fut në një ‘thes’ politikanët me emrin Lushtaku, Nuredinin dhe Samiun, përkundër betejës së ashpër që e patën këta në dimrin e kaluar në zgjedhje lokale.
Madje, mbiemri “Lushtakët” i vënë nga z. Feraj duket fyes edhe për të gjithë qytetarët që mbajnë këtë mbiemër, meqë ai nuk përmend asnjëherë se për kë saktësisht e ka fjalën.
Në këtë shkrim, z. Feraj u kërkon falje ironikisht “Lushtakëve” derisa shprehet se ata po marrin autoritetin e shtetit.
Nuredin Lushtakut tashmë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për shkak të incidentit.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje:
U kërkoj falje “Lushtakëve”!
1. Lushtakët janë UÇK-ja, janë fytyra, faqja dhe përfaqja, për-faqe-suesit e UÇK-së.
Kështu po na thonë ata.
Dhe shumë ushtarë të vërtetë të UÇK-së po na thonë ashtu.
Kështu po na thonë sidomos ata që nuk iu bashkuan luftës por ama qenë aq trima sa iu bashkuan listës së veteranëve.
Kështu po na thonë disa që iu bashkuan Lëvizjes Vetvendosje! me shpresën me marrë pozita të larta pushtetore që nuk i patën në regjimin e Lushtakëve, e që nuk iu dhanë as këtë vit mbas tyre.
Kështu po na thotë media e Buzhalës, e Mirenës, apo e të ngjashmëve të tyre.
Madje kështu po na thotë edhe PSD-ja – garanti i vërtetësisë epistemike dhe i vlefshmërisë morale.
2. Lushtakët, dhe trashëgimtarët e Lushtakëve, janë ligjvënësi, janë ligji, janë ekzekutivi dhe gjyqësori, janë shteti – siç na thoshte me kohë e me vakt Luigji i XIV që në shekullin XVII, por që nuk e dëgjuam.
Shteti i Kosovës ekziston vetëm sepse Lushtakët dhe të ngjashmit e tyre dëshironin dhe dëshirojnë që ai të ekzistojë.
Nëse Lushtakëve iu ikë kjo dëshirë, që Zoti mos e dhashtë, shteti i Kosovës nuk ka arsye të ekzistojë, madje as nuk mund të ekzistojë.
Për këto dy arsye, kush u kërkon përfaqësuesve të UÇK-së me jetu brenda ligjeve të Kosovës e fyen rëndë UÇK-në dhe duhet të kërkoj falje.
Por kërkimfalja nuk mjafton.
Kërkimfalja është në të mirë të shtetit e të shoqërisë së Kosovës vetëm nëse shoqërohet me heqjen dorë nga pushteti dhe dorëzimin te pronari legjitimi i tij: te Lushtakët, te shokët dhe të trashëgimtarët e tyre.
Mirëfilli kërkimfalja i takon popullit të Kosovës për gabimin e bërë me 14 shkurt 2021, i mashtruar nga Albin Kurti dhe LVV-ja.
Si pjesëmarrës në këtë krim, në këtë gjëmë, në këtë fyerje që i është bërë UÇK-së, i kërkoj falje Lushtakëve, shokëve, dhe sidomos trashëgimtarëve të tyre:
Poshtë LVV-ja!
Rroftë UÇK-ja!
Të gjithë në protestën e thirrur nga PSD-ja, alias Lushtakët, kundër Hekuran Muratit!
Urime Kosovë!
Quo vadis, Kosovë?
Zoti na ndihmoftë!