Rugova 2001: UÇK-ja ishte një reagim ndaj sulmeve serbe
Burri me shall, i cili u angazhua për zgjidhjen pa dhunë të konfliktit për Kosovën, u lind në Kosovë më 1944. Në fushën akademike u angazhua së pari si profesor për albanologji dhe si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e themeloi më 1989 Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe që atëherë është kryetar i saj. Me të lënë jashtë të Kosovës nga Marrëveshja e Dejtonit më 1996 dhe me trashjen e dhunës, LDK-ja e humbi përkohësisht rëndësinë e saj. Mirëpo Rugovës, si njëri ndër tre përfaqësuesit e kosovarëve në Këshillin Tranzitor të administratës së OKB-ës, e bashkë me të edhe LDK-ës, iu kthye pesha e rëndësisë. Në zgjedhjet komunale të tetorit të vitit 2000 LDK i fitoi 58 për qind të votave dhe u sforcua përsëri si forca politike më e madhe dhe me më shumë ndikim. LDK ka shans të mirë edhe në zgjedhjet ligjvënëse, të cilat janë palanifikuar të mbahen më 17 nëntor të këtij viti. Parlamenti do ta zgjedh presidentin e Kosovës dhe nuk është pör tö mos u besuar se ai do të quhet Ibrahim Rugova… Ky është fillimi i intervistës që presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, e kishte dhënë në vitin 2001 me Christian Bruser, për Zeit-Schritt. Këtë intervistë, pas 14 vitesh, ua risjell të plotë Telegrafi.
* Ju quajnë “Gand-hi i Ballkanit”. A ju pëlqen ky titull?
Rugova: Gazetarët ndërkombëtarë i kanë në qejf titujt e këtillë. Më quajnë kështu sepse unë tash e 10 vjet e organizoj kështu rezistencën pa dhunë, porse natyrisht që unë nuk mund të matem Gand-hin. Në kuadër të rezistencës aktive pa dhunë ne në Kosovë e krijuam më 1990 një shtet paralel. Dhe, për këtë regjion të dhunshëm, në të cilin përherë ka luftëra, kjo qe diçka e re.
* Gand-hi përdorte me ëndje simbole, në mënyrë që njerëzve të thjeshtë t`ua bënte idetë e veta më transparente. Ai bante petka të pëlhurta të punuara me dorë. A përdorni edhe ju ndonjë simbol?
Rugova: Ne jetojmë në një kohë tjetër, së këndejmi edhe duhet të zgjedhim mjete të tjera. Synimi ynë ishte që ta krijonim një shoqëri paralele me qeveri të vetën, me parlament të vetin, me sistem të vetin shkollor etj. Kjo qe përgjigjja jonë politikës së shtypjes së vazhdueshme të Beogradit . Kësi shtegu ne e zhvilluam edhe një stil tonin. Më shumë si pasojë e rastit shalli im u bë simbol i pavarësisë së Kosovës. Unë e kam bajtë atë si diçka të rëndomtë, mirëpo shumëkush e pau atë si simbol të lirisë dhe mendonin se unë duhet ta heq atë vetëm kur ta kemi arritur pavarësinë. Kjo tregon se njerëzit edhe sot kanë nevojë për simbole, për t`i përfaqësuar synimet e tyre.
* Çfarë Ju shtyu që ta zgjedhni shtegun e mosdhunës? A kishit për bazë ideale konkrete apo ishte kjo thjesht një zgjidhje pragmatike?
Rugova: Ishte mundësia e vetme. Natyrisht që unë edhe kam lexuar shumë mbi lëvizje të ndryshme të padhunshme dhe të atyre me armë. Ishte pra një zgjedhje, e diktuar nga rrethanat. Më 1989 Beogradi e anuloi statusin autonomi të Kosovës; të gjithë kosovarët u dëbuan nga funskionet publike si nga policia etj. Shumë të rinj u larguan nga vendi sepse refuzuan që të shërbenin në ushtrinë e ish-Jugosllavisë dhe të luftonin kundër kroatëve, sllovenëve e boshnjakëve. Asokohe vendosëm që ta themelojmë një lëvizje demokratike, në mënyrë që ta mbrojmë popullin tonë. Ne arritëm ta kemi, madje, edhe një sistem tonin financiar e edhe organizata tonat sportive. E gjithë kjo u bë për t`i ikur një konflikti të armatosur.
* A bini Ju ndonjëherë, si intelektual që jeni, në kundërshtim me rolin Tuaj si politikan?
Rugova: Për mua, kjo nuk është kurrfarë kundërthënie. Në historinë e Evropës ka shumë intelektualë, të cilët kanë përmbushur edhe funksione politike. Lëvizja kombëtare shqiptare e shek. 19, p.sh., është themeluar ekskluzivisht nga intelektualët. Unë kam hyrë në politikë sepse desha ta mbroj çështjen tonë. Atëherë synohej të rrënoheshin të gjitha institucionet e dijes, mbi të gjitha universiteti. Për ta penguar këtë, u dasht që çështjen ta merrnim në dorë ne intelektualët. Në Kosovë nuk kishte më, si të thuash, kurrfarë kreu politik .
Unë nuk jam shkrimtar, romansier apo poet i mirëfilltë, porse kritik letrar. Së këndejmi, unë jam mbase më afër politikës. Kjo pse mua më intereson fort se si zhvillohen shoqëria dhe shteti. Mirëpo, unë kam konstatuar se puna me njerëz është më e vështirë se kritika letrare. Megjithatë, në këtë veprimtari (politike) unë përfitoj shumë nga kapitali im intelektual.
* Politikanët ankohen shpesh se janë të shtrënguar të marrin vendime me detyrim objektiv. Intelektualët, nga tjetër, kanë një hapësirë paksa më të gjerë të vendimmarrjes. A lëngoni Ju nën marrjen e vendimeve me detyrim objektiv?
Rugova: Falë kapitalit intelektual që u përmend këtu, në të shumtën e herës ia dal në krye ta krijoj një harmoni, megjithatë –merret vesh – ka edhe vendime të vështira. Ato janë të mundshme vetëm atëherë kur para sysh kihet një qëllim i qartë siç është ai i pavarësisë. Së këndejmi, e nënshkruam p.sh. marrëveshjen e Rambujesë. Gjithherë është më mirë ta marrësh një vendim se kurrnjë. Unë përpiqem megjithatë që në këso rastesh t`u rri besnik vlerave të mia.
* Ju kritikuan kur dolët në televizion me Milosheviqin. A ishte edhe kjo konform me vlerat Tuaja?
Rugova: Kjo është e kaluar. Unë nuk deshta atëherë që bashkë me familjen time të largohem nga Kosova. Unë do të kisha mundur lehtë të udhëtoj për në Paris, Vjenë ose Uashington. Megjithatë, pas negociatave të Parisit, unë u ktheva në Kosovë, kur kishin filluar bombardimet e NATO-s, për të cilat unë, përmes nënshkrimit tim, e kisha dhënë pëlqimin. Situata ime e atëhershme i përngjante asaj të një robi të luftës dhe unë e kam takuar Milosheviqin vetëm pse më kishin detyruar. Ky ishte një takim me dhunë. Nuk kishte asgjë për t`u biseduar. Ishte e pamundshme që çkado qoftë të diskutohej me Milosheviqin. Ata dëshironin vetëm që me ndihmën time ta manipulonin të vërtetën. Kësaj, porse, nuk ja dolën në krye, sepse njerëzit më njihnin mua dhe pozicionin tim. Ç’ është e drejta, paraqitja në ekran shkaktoi një dredhë pluhuri. Falë intervenimeve ndërkombëtare mbeta gjallë dhe sot mund të flas me ju.
* Përsëri tashti flitet me ëndje për vlerat evropiane të krishtera. A shihni Ju këtu ndryshime nga vlerat islame?
Rugova: Për ne kjo nuk vie në konsideratë. Ne në Kosovë tash e një kohë të gjatë kemi një arsimim modern evropian, vlerat e të cilit i kanë rrënjët te krishterimi. Që nga tërheqja e turqve te ne kemi njerëz të të tri besimeve: katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Duhet theksuar se islamizmi na u imponua gjatë kohës së sundimit të perandorisë osmane. Ne nuk kemi kurrfarë kulture islamike, porse në literaturë dhe në të gjitha gjërat e tjera orientohemi kah Evropa. Bazë e kulturës sonë nuk është islami, porse gjuha, të cilën e kemi të përbashkët me të gjithë shqiptarët si edhe të gjitha të tjerat që lidhen me të. Një popull i vogël me tri fe nuk do të mund të mbijetonte pa këtë mbështesë kulturore të gjuhës e të traditës. Kosova do të jetë një shtet modern evropian, në të cilin shteti dhe kisha do të jenë të ndara. Ne duhet të luftojmë kundër propagandës së Beogradit, e cila kosovarët i paraqet gjithmonë si islamistë.
* A bazoheshin, sipas pikëpamjes Suaj, aktivitetet e Perëndimit në Kosovë mbi ato vlera në të cilat Perëndimi beson?
Rugova: Po, Perëndimi nuk deshti ta toleronte më spastrimin etnik të Kosovës. Beogradi deshi t´i shfaroste kosovarët. Intervenimi mbështetej mbi vlerat e Evropës dhe të humanitetit. Bashkë me amerikanët, evropianët u përpoqën që ta arrinin një marrëveshje midis nesh dhe Beogradit, mirëpo Beogradi nuk ishte i gatshëm për një gjë të tillë. Ata nuk e pranuan Rambujenë. S`mbeti tjetër veçse intervenimi i NATO-s.
* Ju besoni pra që në situata konkrete njeriu është i shtrënguar të heqë dorë nga parimi i mosdhunës, për t`u arritur kështu synimet në intres të humanitetit?
Rugova: Po, ka këso situatash. Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare bashkësia më e dobët duhet të mbrohet. Qe e nevojshme të na mbrojnë nga ushtria e madhe e Beogradit. Vetëm angazhimi i NATO-s e ndali spastrimin etnik të Kosovës.
* Çfarë do të thotë për Ju “mosdhuna” nëse Ju e rekomandoni dhunën e NATO-s?
Rugova: Për mua, intervenimi i NATO-s nuk ishte dhunë, porse mbrojtje e popullsisë. NATO nuk i sulmoi serbët, por vetëm ushtrinë serbe. Kjo nuk është dhunë. Tash jemi të lirë dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare do t`ia dalim që ta krijojmë një shoqëri mbi bazat e vlerave evropiane.
* A nuk do t`ju pengojë për këtë UÇK-ja?
Rugova: UÇK-ja ishte një reagim ndaj sulmeve serbe. Disa deshtën të mbroheshin vetë. Shumë nga ata tash i kanë lënë armët dhe iu kanë kthyer punës normale të tyre, për t`u inkuadruar në policinë e Kosovës ose për të hyrë në politikë.
* A do të jeni Ju së shpejti president i një shteti të pavarur të Kosovës?
Rugova: Kjo është ajo për çka po punoj. Hëpërhë ne po përpiqemi që t`i ngrisim institucionet e nevojshme për të. Në nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet nacionale dhe unë po bëj përpjekje për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më shpejt do të fashiten vatrat e krizave në Ballkan. Tani për tani Beogradi mendon ndryshe, mirëpo të gjitha shtetet e vogla, të cilat dolën nga ish-Jugosllavia, do të integrohen në BE dhe në NATO. Vetëm atëherë do të ketë një bashkëpinim të urtë.
* Sipas Jush, domethënë, për autonomi as që mund të flitet?
Rugova: Për diç të tillë tashmë është shumë vonë! Unë jam i bindur thellë se e vetmja zgjidhje është pavarësia, edhe pse në Beograd ka një qeveri demokratike. Dhe, unë jam duke u përpjekur që për këtë (pavarësinë) ta bindë bashkësinë ndërkombëtare. /Telegrafi/