Merovci tregon me fakte se si Thaçi ia kishte ngritur nervat ambasadorit rus në Rambuje
Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Rugova z. Adnan Merovci, kishte shkruar në ditarin e tij personal çdo detaj nga komunikimet e përditshme të anëtarëve të delegacionit gjatë Konferencës së Rambujesë. Ai poashtu kishte treguar për këmbëngulësinë e liderit të delegacionit kosovar z. Thaçi për të arritur armëpushim me palën serbe në fillim të Konferencës së Rambujesë.
Hashim Thaçi i kishte thënë ambasadorit të SHBA-së Hillit dhe ambasadorit rus Boris Majorski se ka bërë një mocion për armëpushim. Pas kësaj Christofer Hill e kishte falënderuar duke i thënë se këtë mocion do t’ia përcjell palës serbe. Po ashtu, akademiku Rexhep Qosja kishte thënë se “ne duam përgjigje për armëpushimin, vështirë është të bisedosh përderisa ka dhunë në Kosovë”.
Hashim Thaçi: Ne presim përgjigje për armëpushimin e pastaj mund të vazhdojmë.
Boris Majorski (ambasadori rus): Ju thoni se mocioni për armëpushimin me Serbinë është kusht për punën me ne. A thoni ju se pa Mocion nuk do të punoni?” (është shumë i nervozuar).
Hashim Thaçi: Ne jemi për punë dhe dëshirojmë paqe dhe stabilitet. Mos flisni me paragjykime (është ekstrem gjakftohtë dhe i vendosur).
Boris Majorski: Pyetja është se a do të vazhdoni, apo jo?
Hashim Thaçi: Ne presim përgjigje dhe jemi për të punuar.
Boris Majorski: Ju na e dhatë Mocionin para një minute dhe doni përgjigje menjëherë.
Hashim Thaçi: Nuk është kusht. Ne mund të punojmë, të vazhdojmë punën dhe presim përgjigje.
Adnan Merovci kishte shkruar atë kohë se “Pranimi i armëpushimit nga serbët do të thoshte pranim i partnerit të luftës, çka dëmton trumbetimet e serbëve se po luftojnë kundër “terroristëve”. Thaçi e di këtë fakt dhe shumë gjakftohtë e i vendosur këmbëngul në armëpushim. Vështirë se dikush tjetër nga Delegacioni ynë e ka këtë aftësi këmbëngulëse me një qetësi diplomatike, shpeshherë të pazakontë për një shqiptar. Këmbëngulja e tij herë pëlqehet e herë jo, sepse po i nervozon pa masë ndërmjetësuesit e Konferencës. Ambasadori Rus Boris Majorski ka mllef dhe urrejtje patologjike ndaj këmbëngulësisë së Thaçit“.