Qosja 1998: Kërcënimi nga një person i “FARK-ut”, tha do të vrasim ty e Demaçin, për atë jemi në male
Akademik Rexhep Qosja ka botuar disa vëllime të librave, respektivisht mbi 8 libra nga ditari i tij personal. Ai aty duke specifikuar datat ka treguar për ngjarjet politike të kohës.
Ai në ditarin e tij personal të titulluar “Dëshmitar në kohë historike”, pjesa 7, ka treguar një moment interesant me një person, ku debati kaloi edhe në fyerje. Sipas tij atë person e kishte dërguar mafia e LDK-së.
7.8.1998 / Rexhep Qosja:
… mua më prishi ditën sot edhe një vizitor tjetër i paparalajmëruar dhe i papritur.
Isha në zyrën e Jahirit në katin e tretë të Institutit kur prej centralit telefonik më bëjnë me dije se po më kërkon një, si e quajtën, mysafir.
E takova në katin e dytë në të cilin është zyra ime.
Një njeri trupgjatë dhe fytyrëgjatë; i veshur mirë. I shquhen këmisha e bardhë dhe jeleku prej stofi të zi. Dhe, këpucët e gjata, të zeza.
Krejt në të zeza!
Portret bajat!
I thash:
– Mirëdita!
M’u përgjigj:
– Tungjatjeta!
– Po mirë, iu përgjigja, tungjatjeta!
I afrohemi zyrës sime dhe mbasi e çel derën i them:
– Urdhëroni, hyni!
– Jo, hyni ju, u përgjigj!
U futa në zyrë para tij dhe menjëherë iu afrova karriges sime para tryezës së punës:
– Urdhëroni e uluni! ia tregoj me dorën e majtë karrigen te tryeza e vogël në mes të zyrës.
Nuk ulet!
E shoh se diçka nuk është në rregull me të! Më duket gjakprishur!
Për këtë arsye më shpesh sesa fytyrën zgjatime i shikoj duart e tij dhe trupin gatitu që më përkujton oficerët jugosllavë.
– Nuk keni kohë të uleni? e pyes gjoja i çuditur.
– Pse jeni takua me Fatos Klosin? më pyet qortueshëm.
– Për qejf, i përgjigjem.
– Pse keni qeshur kur jeni takuar me të? më pyeti edhe më qortueshëm.
– Për qejf, i përgjigjem prapë.
Në sytë e tij janë tërbuar ndjenjat e urrejtjes.
– Kundër teje, Adem Demaçit, Hydajet Hysenit, Mehmet Hajrizit, Ramë Bujës dhe atyre atje, në male, jemi duke bërë Forca të reja çlirimtare të Kosovës. Më së pari do të jeni të likuiduar ju të pestit!
– Kush të ka dërguar këtu? e pyes.
Në vend të çfarëdo përgjigjeje e vë dorën në brez, ku oficerët e Sigurimit Ushtarak Jugosllav zakonisht mbanin revolet, dhe e çel derën për të dalë me hap ushtarak. I thashë, i pasigurt se nxitimi e la të më dëgjojë:
– Ta pshurrsha atë allti!
Menjëherë me telefon thërras telefonistin e Centralit: ta shikojë atë njeri që më ka kërkuar dhe të më tregojë nese e njeh dhe nëse ka qenë edhe herë tjetër në Institut.
– Jo, do të më thotë kur të zbres poshtë, është hera e parë që e kam parë këtu atë njeri.
është e qartë se ai njeri, gjithsesi mendjeprishur, është dërguar prej mafisë së LDK-së të m’i shqiptojë ato kërcënime!
Pak më vonë mora vesh se ai kishte ardhur në Institut, drejt nga Mbledhja e kryetarëve të degëve të LDK-së, që ishte mbajtur në Prishtinë.
Ardhja e tij, dhe fjalët kërcënuese që foli para meje në Institut, janë kurdisur për të paralajmëruar krijimin e një force tjetër ushtarake në Kosovë, që do të quhet FARK, Forca e Armatosur e Republikës së Kosovës, qëllimi i së cilës do të jetë lufta për pushtet midis shqiptarëve. është kjo forca tragjike që udhëheqja pamjeterrët e LDK-së po përgatit për luftë qytetare midis shqiptarëve në Kosovë.
Për fatin e fatshëm të Kosovës, djemtë e FARK-ut do të kuptojnë me kohë se prej kujt dhe për çfarë tragjedie do të mund të keqpërdoren, prandaj shumë prej tyre shpejt e shpejt do të bashkohen me UÇK-në.