Gazetari serb: Ndërkombëtarëve u thanë se këta dy serbë i ka vrarë UÇK, ata furnizonin milicinë serbe
Serbia ka montuar raste për t’ua veshur UÇK-së. Këtë gjë e konfirmon edhe ish zv. kryeministri jugosllav. Në intervistën e titulluar “Milošević-i urdhëroi Radeta-n dhe Legia-n t’i vrasin fëmijët serbë” , Vuk Drašković-i i dha një mbështetje të fuqishme Aleksandar Vučić-it. Në këtë intervistë, ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Vuk Drašković-i, bëri publike mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të marrjes së vendimeve kriminale për të nxitur urrejtjen kundër shqiptarëve dhe për të stigmatizuar UÇK-në. E vërteta e plotë rreth këtyre ngjarjeve dihet: vrasja e civilëve në Kosovë ishte bërë me urdhër të Shtabit Strategjik të Slobodan Milošević-it për të stigmatizuar UÇK-në.
Më vonë do të sjellim edhe deklaratën e humanistes serbe Natasha Kandiq e cila ka treguar se si usharët serb e kishin ndaluar gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe e kishin kërcënuar duke i thënë se “do të vrasim dhe do të shkruajmë se ke vdekur në territorin e kontrolluar nga UÇK-ja”.
Në romanin “Eskadronët e vdekjes”, i shkruar nga veprimtari Bardhyl Mahmuti, më së miri mund të vërtetohen krimet serbe. Aty, gazetari serb Mirosllav Filipoviq i cili ishte nga të parët që kishte dënuar agresionin serb, ka marrë në pyetje ushtarë serb të penduar të cilët kanë treguar për krimet serbe në Kosovë, ku disa nga krimet i kishin faturuar UÇK-së.
Po ju sjellim një rrëfim të bashkëbisedimit të gazetarit serb me ushtarin serb të botuar në romanin “Eskadronet e vdekjes” nga Bardhyl Mahmuti. Romani padyshim nga shumë profesionist po cilësohet si nga më të mirët për shpërfaqjen e krimeve serbe në Kosovë.
Rrëfimi se si shumë ushtarë dhe policë serb ishin rikthyer në civilë të vrarë nga UÇK-ja. Këtë e tregon gazetari serb Mirosllav Filipoviq në bashkëbisedim me ushtarin serb.
“Edhe më i rëndë i ishte dukur rasti i 198 serbëve vendas. Për familjarët e tyre ishte e pakuptueshme që bijtë e tyre, të rënë heroikisht në luftë me armikun, të mos varroseshin me nderime ushtarake, por të futeshin në kategorinë e civilëve të vrarë nga terroristët shqiptarë dhe nga NATO-ja. Të shkretët e kishin pasur shumë të vështirë të kuptonin se interesi shtetëror e kërkonte ashtu”.
“Puna më e lehtë për të vërtetuar nëse Millan F. kishte folur dokrra, ishte vizita në shtëpitë e ushtarëve serbë, të vrarë nga terroristët shqiptarë të cilët shefi i Sigurimit të Korpusit të Prishtinës, Momir Stojanoviq, i kishte përcjellë në arkivole. Dhe këtë gjë e bëra në komunën e Kralevës. Nga vizita që bëra konstatova se Millan F. më kishte rrëfyer të vërtetën. Në luftën e Kosovës ishin vrarë: Bojan Balltiq nga fshati Studenica; Lubodrag Belloviq nga fshati Metikoshiq; Ivan Beoçanin nga fshati Ushqe; Millan Bogdanoviq nga fshati Donje Kordinice; Lubivoje Ergjeviq nga fshati Adrani; Dejan Zhivojinoviq nga fshati Sirça; Sasha Karcoviq nga fshati Konarevo; Kosta Markoviq nga fshati Roçeviqi; Dejan Misirlliq nga fshati Jarçujak; Millan Nikolliq nga fshati Çukujevac; Zoran Tomoviq nga fshati Llazac. Ndërkaq, të vrarët nga qyteti i Kralevës ishin; Aleksandar Vukoviq, Zoran Gavrilloviq, Vlladan Gobelliq, Sërgjan Milliq, Bratisllav dhe Mirolub Qurçiq, djem xhaxhallarësh, familjet e të cilëve banojnë në rrugën “Jarçujak”, nr. 40 dhe nr. 42, jo larg shtëpisë sime.
Sa i përket regjistrimit në kategorinë “Civilë të vrarë nga terroristët shqiptarë” të një një numri të konsiderueshëm policësh dhe rezervistësh të vrarë gjatë luftimeve me terroristët shqiptarë, po përmend rastin më flagrant për ne gazetarët, thotë gazetari serb Mirosllav Filipoviq.
Më 6 nëntor 1998, mediet serbe njoftuan se atë ditë “në fshatin Dubravë të Komunës së Rahovecit, në territorin e kontrolluar nga terroristët e UÇK-së ishin zhdukur dy civilë serbë: Illija Vujosheviq dhe Dejan Detllov”. Tri ditë më vonë të gjitha mediat publikuan fotografitë e tyre të vrarë. Eshtë e kuptueshme që një lajm i tillë ngjalli një urrejtje të madhe kundër atyre që kishin kryer krimin. Mirëpo, para dy muajsh, Ministria e Punëve të Jashtme të shtetit tonë, botoi në disa gjuhë botërore, një vepër me mbi 1000 faqe për aktet terroriste shqiptare në Kosovë. Në këtë libër përfshihej edhe fotografia e Illija Vujosheviqit dhe Dejan Detllovit, me sqarimin se bëhej fjalë për dy “punonjës të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Prishtinës, të cilët ishin vrarë gjatë furnizimit me ushqim të forcave policore që luftonin me terroristët shqiptarë. Autorët e këtij libri kanë harruar se çka është shkruar në mediet tona dhe faktin se këta policë të vrarë u janë prezantuar si civilë të vrarë nga UÇK-ja dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, që ishin të pranishëm në Kosovë.