Kurti 2009: Ideja për shkëmbime territoresh duhet të vijë nga Tirana e kurrsesi nga Prishtina
Shkëmbimi territorial ishte temë edhe shumë vite më herët. Për të ishin deklaruar edhe Albin Kurti e Glauk Konjufca. Në redaksinë Pashtriku ruhet edhe një shkrim i Albin Kurtit për shkëmbimin e territoreve ku nuk e kishte përjashtuar si mundësi në vitin 2009. Më poshtë keni shkrimin e Albin Kurtit, por fillimisht ja deklarimi i shumë vite më herët i Glauk Konjufcës.
Në një intervistë për mediumin publik, kryekuvendari Glauk Konjufca kishte thënë se shkëmbimi i territoreve i hap rrugë bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Në deklarimin e tij në vitin 2005, Konjufca i ka quajtur komunat veriore të Kosovës si pjesë të Sllobodan Millosheviqit.
“Pra çështja e bashkimit kombëtar, i bie nëpër sovranitetin e Kosovës, qanej është rruga, pa u bë Kosova sovrane nuk mund të bëhet as kjo, na e shohim këtë si kurorëzim të sovraniteti të Kosovës”, kishte deklaruar anëtari i Kryesisë së VV-së.
“…pastaj mendojmë se puna e këtyre tri komunave të veriut është problematike sepse Zveçani për shembull është komunë e Millosheviqit… Për shkëmbimi territoresh natyrisht hapet edhe Lugina e Preshevës”, ishte shprehu ai.
Ja shkrimi i plotë i Kurtit:
Shkruan: Albin Kurti – Prishtinë, 26 mars 2009
Ushtrimi i së drejtës p[ër vetëvendosje të kombit nuk është i shkëputshëm prej territorit që e popullon kombi. Ndryshimi i kufirit (sado që formal) të Kosovës përfundon si shkëmbim territorial i veriut të Kosovës me Kosovën Lindore e i cili i ka disa probleme dhe vështirësi shumë shumë të mëdha: 1. Nuk mund të bëhet në mënyrë paqësore. Shkëmbimi paqësor i territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo edhe shqiptarëve dhe serbëve është i mundur vetëm në bazë parimore: e drejta për vetëvendosje të kombeve.
Mirëpo, kjo në mënyrë paqësore është e mundur vetëm nëse në Beograd e merr pushtetin një parti, le të themi, e trashëgimisë së Dimitrije Tucoviqit, ndërkohë që e dimë se e gjithë skena politike në Beograd aktualisht është trashëgimi e Nikolla Pashiqit. Në shoqërinë serbe nuk ka pendesë dhe as spastrim të strukturave kriminale nacional-shoviniste. Përkdhelja ndërkombëtare është përkthyer veçse në inkurajim që Serbia ta vazhdojë avazin e vjetër me forma të reja. Kur kësaj i shtohet fakti që vatrat e rezistencës parimore në Serbi kundër hegjemonisë së saj janë të vogla dhe të shkapërderdhura, përfundimi është që nuk ka gjasa që ky brez i politikanëve në Serbi (e ndoshta as ai pas këtij) të bëhet parimor. Faktori tjetër që e vështirëson shumë punën është ndërmjetësimi i pashmangshëm ndërkombëtar i cili parimisht s’është parimor, por e gjen një kompromis midis palëve që i lë të dyja palët të pakënaqura, ia mban anën të fortit dhe e rrit armiqësinë anipse e ngrin konfliktin. Shembull e kemi ndërmjetësimin e Ahtisaarit: Serbia kërkonte 19 komuna serbe në Kosovë, negociatorët e Kosovës në fillim thoshin vetëm pesë për të përfunduar me kompromisin 10+1 komuna me mundësi të rritjes së numrit të tyre. Negociatat si ballafaqim i pastër interesash ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe ndërkombëtarëve të ndryshëm (që veçse mbrojnë interesat e veçanta kombëtare apo financiare) për kufij do të sjellin gjakderdhje të reja sepse secila palë do të përpiqet ta avansojë situatën e saj në terren para raundit të ri negociator. 2. Sot, nuk ndodhemi në kohën kur ka gjasa të ndodhë shkëmbimi territorial por kur po zbatohet Plani i Ahtisaarit i cili kur të implementohet në Anamoravë e rrethon dhe e izolon Kosovën Lindore duke na e shkëputur vazhdimësinë territoriale dhe duke i enklavizuar shqiptarët. Pengimi i zbatimit të Planit të Ahtisaarit duhet të jetë prioriteti e jo shkëmbimi territorial.
Sepse, i pari është realitet kurse e dyta vetëm ide. 3. Plani i Ahtisaarit është dëshmi që kontesti shqiptaro-serb nuk është i lokalizuar vetëm në relacionin “Veriu i Kosovës” – “Kosova Lindore”: kemi eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse që i serbizon ato, privilegjin e vetos për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, dëmet e luftës (që nuk i paguan) dhe borxhin e jashtëm të Serbisë (ku e kërkojnë edhe kontributin e Kosovës!) etj. Në fakt, Serbia nuk e do ndarjen e Kosovës por kontrollin mbi tërë Kosovën përmes ndarjes së brendshme të saj. 4. Serbët janë të privilegjuar edhe në veri të Kosovës edhe në Kosovën Lindore pikërisht për shkak se Serbia i kontrollon të dyja këto. Në kohën kur Serbia i kontrollon me forcë edhe veriun e Kosovës, edhe Kosovën Lindore, të kërkosh shkëmbim do të thotë të heqësh dorë nga veriu. Asgjë më shumë. Në çfarëdo variante të mundshme, kërkesa e ideja për shkëmbime territoresh ndërmjet kombit shqiptar dhe atij serb eventualisht duhet të vijë nga Tirana e kurrsesi nga Prishtina. Shqipëria e cila është sovrane, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe ushtri do të mund të bënte pazar të levërdishëm – kurrsesi Kosova. 5. Kurrfarë shkëmbimi territoresh s’duhet pranuar si ofertë dhe as hedhur në tavolinë pa i ditur pasuritë që po shkëmbehen. Agjensioni Kosovar i Minerale dhe Minierave nuk i publikon rezultatet e vlerësimit të Trepçës tash disa vjet. Sipas Halil Qelës, gjeolog me profesion dhe i cili njëkohësisht kryeson me sindikatën atje, vlera e përgjithshme e Trepçës është 502 miliardë euro. 6. Dhe, e fundit, por jo edhe për nga rëndësia, duhet pasur shumë kujdes me kufijtë që propozohen. Nuk duhet harruar që sipas regjistrimeve të viteve 1971 dhe 1981 Kosova i kishte 22 komuna.
Zveçani dhe Zubin Potoku janë bërë komuna në fund të viteve të ‘80-ta – pra, në periudhën e sundimit të Milosheviqit ato i janë marrur komunës së Mitrovicës (ndonëse komuna e Zubin Potokut ka ekzistuar që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1965). E drejta e vetëvendosjes gjithsesi e nënkupton dekolonizimin si korrigjim historik të padrejtësive nga e kaluara