Ku ishin myslimanët? Të paktën nëntë deputetë të VV-së ‘bojkotuan’ zgjedhjet e partisë
Zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje kanë përfunduar, me fitues absolut Albin Kurtin që mori 98,60% të votave. Por, në kutinë e votave, ku u hodhën mijëra të tilla, mund të mos jenë ato të deputetëve që votuan kundër Projekt-Kodit Civil. Çka bënë këta deputetë dje?
Asnjëri nga deputetët që votuan kundër Projekt-Kodit Civil nga radhët e VV-së, në bazë të postimeve të tyre publike, nuk morën pjesë në garën, e cila nga eksponentët e VV-së u quajt demokratike.
Pra, duket se deputetët e VV-së, disa prej të cilëve u eliminuan nga gara e brendshme partiake, të jenë “hakmerrë” për “anatemimin” që u bëri partia, duke ‘refuzuar’ të marrin pjesë në zgjedhje.
Pasivë
Në bazë të profileve, dhe faqeve të tyre në Facebook, deputetët anti-projekt-kod civil qëndruan anash zgjedhjeve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ata nuk botuan asnjë fotografi nga momenti i votimit, duke ngjallur dyshime se në fakt nuk morën pjesë fare në garën e brendshme të VV-së.
Eman Rrahmani, deputet i VV-së, që doli publikisht kundër Projekt-Kodit Civil, nuk ka postuar asnjë fotografi në profilin apo faqen e tij të dielen, dita kur u votua për strukturat e reja të VV-së.
Në fakt, Rrahmani gjatë javës që shkoi, për herë të parë doli publikisht në favor të SBAShK-ut, duke i quajtur legjitime kërkesat e tyre, dhe duke theksuar me të drejtë se si pasojë e inflacionit pagat duheshin rritur.
Të njëjtën ditë, Rrahmani u përplas me Ardian Golën, deputet i VV-së, pasi që ky i fundit nuk ia dha fjalën në Komisionin e Arsimit, e ku morën pjesë edhe SBAShK-u për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje për të dalë nga greva. Të pranishëm në atë sallë kishin qenë edhe tre deputetë tjerë myslimanë, dhe tok së bashku të gjithë ishin larguar me Eman Rrahmanin kur u largua ky i fundit në mënyrë demonstrative.
Pa postime rreth zgjedhjeve të brendshme në VV ishte edhe deputeti Visar Korenica, që siç ka raportuar Nacionale, ishte një nga njerëzit e eliminuar nga gara.
Edhe Fitim Haziri, Gramoz Agusholli, Fjolla Ujkani, Nijazi Isaku nuk postuan ndonjë fotografi në qëndrat e votimit ose nga momenti i hedhjes së votave. Njëjtë ka vepruar edhe Gazmend Gjyshinca, i cili abstenoi në çështjen e projekt-kodit civil, duke mos marrë pjesë në zgjedhje.
Edhe deputetja e vetme me shami, Labinotë Demi-Murtezi, duket të ketë qëndruar larg zgjedhjeve të brendshme, duke mos postuar ndonjë fotografi në rrjetet sociale.
Sikur bashkëpartiakët e tij, ka vepruar edhe z. Valon Ramadani, i cili u eliminua nga gara e brendshme për shkak të mospërkrahjes së projekt-kodit civil. Megjithatë, Ramadani kishte marrë pjesë në tubimin e VV-së në Sallë të Kuqe ku Albin Kurti kishte shpalosur platformën e tij.
Zgjedhjet “demokratike”
Dje ka marrë fund procesi i zgjedhjeve të brendshme të VV-së në lidhje me kryetarin e partisë, të Organizatë së Gruas dhe atë te Rinisë.
Të trija këto degë të partisë patën një emërues të përbashkët: mungesën e kundërkandidatit.
Albin Kurti, sipas komunikatës së partisë, i ka fituar zgjedhjet “demokratike” brenda Vetëvendosjes.
Ai siguroi 98.60% të besimit të anëtarëve të Lëvizjes, me vetëm 1.4% që nuk e mbështetën atë në këtë garë.
“Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt si rezultat i një pune të madhe që është bërë gjithandej nëpër qendrat e Lëvizjes.”
Rezultatet paraprake të votimit për kandidatët për nivelin e tretë janë si në vijim:
Për Kryetar të LVV, Albin Kurti:
PËR: 98.60%
KUNDËR: 0.89%
ABSTENIM: 0.51%”, theksohej në komunikatë.
Gjithashtu, përveç emrit të kryetarit, është mësuar se Albulena Haxhiu do ta drejtojë Organizatën e Gruas, një forum që dikur VV e tallte, ndërsa Behar Jashari atë të Rinisë.
Në fund, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka konstatuar se procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt.