Moisiu “godet” Kurtin dhe Vuçiqin: Janë dy persona që nuk e njohin Kosovën
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha sot se fjalimi i Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Këshillit të Evropës në Strasburg ishte me vlerë dhe duhet të bënte bashkë të gjithë shqiptarët.
Ai foli edhe për marrëveshjen Kosovë – Serbi dhe tërthorazi goditi edhe liderët e Kosovës edhe të Serbisë.
“Unë nuk kuptoj një gjë, për të ndihmuar zgjidhjen e problemit, mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës, çuditërisht janë dy persona që shtetin e tyre nuk e njohin – Kosovën. Unë nuk e dij se si mund ta mbrosh një gjë kur ti gjithë prapavijën tënde e ke kundër“.
Ai, poashtu foli edhe për ish presidentin Hashim Thaçi dhe krerët e UÇK-së të cilët gjenden në Hagë.
“Ata janë njerëz që hynë në luftë, dhe në luftë mund të shkosh por nuk dihet a del gjallë nga andej, pra janë njerëz të vendosur për atë që donin të arrinin dhe që e arritën… për çlirimin e Kosovës. Dhe për ata personalisht nuk ka asgjë, sigurisht dhembshuria e tyre, shqetësimi i tyre është pse duhet të njolloset lufta e Kosovës, lufta ka mbaruar në të 99′, mbi 20 e sa vjet, dhe akoma 1400 vetë nuk dihet ku i kanë eshtrat. Dhe me thënë të drejtën Evropa i ka hyrë në borxh me kohë shqiptarëve që nga Kongresi i Berlinit në 1878-tën”, u shpreh Moisiu.
Në një intervistë për Euronews Albania, Moisiu u shpreh se e ka mbështetur fjalimin e kryeministrit, pavarësisht kritikave, pasi mbronte dinjitetin e shqiptarëve përballë një poshtërsie që u është bërë, siç është akuza për trafik organesh.
“Është për të ardhur keq, e kuptoj që duhet kritikuar qeveria, por nuk duhen ngatërruar gjërat. Ka gjëra që duhen kritikuar, ka gjëra për të cilat duhet të jemi të gjithë bashkë. Kjo është poshtërsi që i bëhet popullit shqiptar, ka gjëra për të cilat duhet të bëhemi bashkë. Duhet të ishim dakord me të, se ai mbronte dinjitetin e vendit tonë”, tha Moisiu.
Moisiu u shpreh se “shqiptarët duhet ta mbrojnë dinjitetin e tyre, duhet ta kërkojnë edhe nëse u mohohet”.