Bolton që mbështeti shkëmbimin e kufijve: Së pari idenë e dëgjova nga Tony Blair
John Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës së Presidentit Donald Trump, në vitin 2018 haptas kishte mbështetur idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të një marrëveshje finale me njohje reciproke mes dy vendeve.
Katër vite pas, kur ideja që kishte shkaktuar shumë zhurmë e kundërshtime të forta në Kosovë shihet si e lënë jashtë “tavolinës së bisedimeve”, Bolton e analizon dështimin e saj.
Derisa thekson se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk gjeti vullnet të mjaftueshëm politik në Kosovë dhe Serbi, ai potencon se në përshtypjen e tij kryesisht të ashtuquajturin ‘korrigjim i kufijve’ e dështuan kryesisht mospajtimet e brendshme në Kosovë.
“Besoj se edhe në Kosovë edhe në Serbi doli se nuk ishte vullneti politik i mjaftueshëm. Edhe pse, do të thosha, përshtypja ime është se kryesisht ishin mospajtimet e brendshme në Kosovë”, ka deklaruar diplomati amerikan, ish-keshilltar i lartë në administratën Trump.
“Nuk po vë faj tek askush dhe e përsërisë nuk po them se ishte e lehtë, por doli se nuk ishte momenti i duhur politik brenda politikës kosovare”, shton ish-këshilltar amerikan për Siguri Kombëtare.
Në intervistën e tij dhënë për “Albanian Post”, Bolton zbulon se ku dhe nga kush e ka dëgjuar për herë të parë idenë për shkëmbim kufish mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë fillimisht kam dëgjuar për këtë ide nga ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, që erdhi të më shohë në Shtëpinë e Bardhë”, tha Bolton.
“Ai është takuar me liderët e Kosovës dhe të Serbisë dhe tha që mbase kjo është një mundësi shumë e mirë. E pa se të dyja palët po lëviznin nga pozicionet e tyre paraprake, mendonte se të dyja palët do ta kenë vullnetin politik dhe fuqinë politike për ta bërë”.
Por, sipas tij, ideja, kishte kritika edhe në të dyja vendet edhe nëpër Ballkan, sepse përfshinte pikëpamjet se edhe kufij të tjerë nuk ishin aq stabil sa do të duhej të ishin.
“Por unë pata besuar se ia vlente rrisku nëse dy liderët do ta bënin”, thotë ish-bashkëpunëtori i ish-Presidentit amerikan Donald Trump.
“Unë më pas pata folur me të dy liderët, Thaçin dhe Vuçiç-in dhe ata ishin të gatshëm ta provonin, sepse nuk më takon mua si një i jashtëm të vij me një zgjidhje perfekte, u takon vetë palëve”, shpjegoi ai gjatë intervistës.
“Besova se ia vlente të provohej, më vjen keq që nuk funksionoi”.
Sipas ish-këshilltari për Siguri Kombëtare në SHBA, “ndoshta do të ketë ndonjë qasje tjetër kreative që do ta shohim në të ardhmen”. “Së paku, në atë pikë, u tregua se ekziston mundësia për një zgjidhje të përhershme”.
Tutje, ish-ambasadori amerikan në OKB, tregon se edhe liderët evropian kishin dalë kundër propozimit në fjalë.
“Ishin kundër për dy arsye”, numëron ai, “e para, nuk u pëlqente ideja e ndryshimit të kufijve”.
“E kuptoj se ky është një shqetësim politik. Por, nuk do të ishte problem nëse secili do ta kuptonte se do të ishin dy palët mospajtuese që po bënin një zgjidhje të veçantë. Mendoj se është gabim ta projektosh se çfarë ndodhë në një situatë, automatikisht ndodhë edhe në tjetrën. Por mendoj se ky ishte një faktor, thjesht nuk iu pëlqente ideja e ndryshimit të kufijve”, thotë Republikani, John Bolton.
“Dhe arsyeja e dytë ishte se ata ishin të irrituar që amerikanët ishin të përfshirë në këtë çështje”.
Tutje, John Bolton që në vitet 1985-1989 shërbeu si Ndihmës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur President ishte Ronald Reagan, është i qartë në dyshimet e tij se Bashkimi Evropian mund t’i japë zgjidhje me dialogun në Bruksel mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi. /Reporteri.net/.