fbpx
Lajme

Telekomi i Kosovës merr me qira vjetore rreth 190 mijë € zyrat nga dosti i zv/ ministrit Durmishi

Biznesmeni Bujar Shabani ia ka parë hairin ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, subjektit të cilit i takon dosti i tij, Hysen Durmishi.

Ai do të arkëtojë rreth 190 mijë euro në vit nga Telekomi i Kosovës – meqë i lëshoi kësaj ndërmarrjeje që menaxhohet nga Qeveria (LVV) – një objekt të tijin me qira, raporton “Front Online”.

Prona e tij dy katëshe në sheshin “Zahir Pajaziti” u përzgjodh para disa jave si më e mira e mundshme për nevojat e kompanisë së telekomunikacionit, ani se zyrtarët e Telekomit pranuan edhe katër oferta tjera për lokacione.

Lokali i Bujar Shabanit, që ia lëshoi me qira Telekomit

Pronësinë e lokalit e kuptoi fillimisht përmes burimeve Front Online. Informata u konfirmua pastaj edhe nga Zyra për Medie e Telekomit.

“Pronar i objektit është kompania NPSH Bageri”, thanë shkurt nga Telekomi për “Front Online”.

Bageri është në pronësi të biznesmenit Bujar Shabani.

Front Online kishte raportuar dy javë më parë se ishte vetë numri dy i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ai që ia dhuroi një kontratë 8.6 milionë euro këtij biznesi, pronë e shokut të tij.

Ndikimin në epilogun e tenderit, që parasheh asfaltimin e një loti në rrugën Prishtinë – Besi – Podujevë, e pati mohuar Durmishi.

Kompania Bageri merr vazhdimisht tenderë milionësh nga shteti.

Pse u përzgjodh prona e dostit të Hysen Durimishit nga Telekomi?

Sikur mos të mjaftonin të hollat e majme nga tenderët, kuleta e Bujar Shabanit do të trashet muaj për muaj si rezultat i qirasë që do t’ia paguajë Telekomi.

“Qiraja për këtë objekt është 15,560.66€/muaj (në këtë shumë përfshihet TVSH 18% dhe tatimi në qira 9%)”, u shprehen nga Telekomi për “Front Online”.

Bujar Shabani ia doli të rrëmbejë paratë e qirasë se Telekomit, ani se përballej edhe me katër garues të tjerë që ofronin shërbim të ngjashëm.

Anëtarët e bordit të Telekomit kanë afërsi me Vetëvendosjen, partinë që i solli në këto pozita drejtuese të ndërmarrjes.

“Telekomi i Kosovës ka marrë disa oferta (gjithsej 5) për lokacione të ndryshme dhe objekti në fjalë është vlerësuar nga komisioni  i ngritur për këtë rast si më i përshtatshmi, për shkak të pozitës strategjike të objektit dhe çmimit të favorshëm (konkurues)”, vlerësuan nga Telekomi për “Front Online”.

 Bujar Shabani vs. LIGJI

Pronari i kompanive Bageri, Bujar Shabani ka telashe me ligjin.

Mbi të rëndon akuza për “keqpërdorim dhe në një prokurim publik” një tender rreth 4 milionë eurosh për zgjerimin e rrugëve të fshatit Bibaj dhe kyçjen e saj në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës së themeluar më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli publike në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit gjatë një oferte për dhënien e kontratave të prokurimit, duke marrë dokumente të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte gjetur të tjera të rreme, lidhur me kontratat e falsifikuara të punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, ndër duke u rreme. lidhjet e kontratave të punës, raporton Betimi për Drejtësi.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e lartcekurve kishte me diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencë si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të goditjes dhe ndikimit. në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i dytë përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.

I pandehuri është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës.

Ndërkaq sipas kompanive AVONET, kompania Bageri edhe në një aktivitet tjetër prokurimi ka aplikuar me dokumente të falsifikuara.

Bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, e cila kap vlerën e 734 mijë eurove.

Pse i ndërroi Telekomi zyret?

Telekomi vendosi t`i ndërroi objektet me qira këtë vit për t`i braktisur siç ishte thënë qiratë e shtrenjta që paguante deri tash.

Telekomi i Kosovës është liruar nga qiraja e mujore që për 17 vjet me radhë ka paguar në një objekt në rrugën e UÇK-së te “Qafa”, në Prishtinë, duke u zhvendosur pak metra tutje po në këtë lagje, veçse në një hapësirë më të vogël e më pak të kushtueshme.

Ngjashëm veproi edhe me ndërtesën që e shfrytëzoi për disa vite radhazi në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të kaluar tek objekti i ri i Bujar Shabanit, dostit të zv/ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, që po ashtu ndodhet në këtë zonë. Mbase as 100 metër distancë.

Nuk dihet se sa para në muaj do të kursejë Telekomi me këto dy ndryshime.

/Front Online

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close