Merovci: Thaçi kishte respekt për Rugovën, më tha se Rugova është figura më e sinqertë në Rambuje
Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Rugova z. Adnan Merovci, kishte shkruar në ditarin e tij personal çdo detaj nga komunikimet e përditshme të anëtarëve të delegacionit gjatë Konferencës së Rambujesë.
Adnan Merovci ka treguar se si Hashim Thaçi në prani të Edita Tahirit në Rambuje u kishte thënë se “Kam respekt për Rugovën“. Poashtu, Adnan Merovci në ditarin e tij duke treguar për debatet e shumta për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, citon Thaçin i cili thotë: “Rugova është figura më e sinqertë në Konferencë”, po ashtu sipas Merovcit, Thaçi kishte kërkuar takim me Rugovën që ta përshëndeste.
“Thaçi ka qenë korrekt me Rugovën kur ka ardhur në Rambuje. Në Rambuje ka qenë takimi i tyre i parë pas shumë vitesh”, tha Merovci.
Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte treguar për mardhëniet me ish-Presidentin, Ibrahim Rugova, ai tha se bashkë me Rugovën kanë festuar një nga ditëlindjet e tij në Greqi, Athinë. Thaçi foli edhe për qëndrimet e Rugovës në Rambuje, tha se ishin pasive dhe ka dashur që mbledhjet të kryhen sa më shpejt.
“Kam festuar bashkë me presidentin Rugova ditëlindjen e tij në Greqi, më saktë në Athinë”, tha Thaçi.
Ndërsa, Ibrahim Rugova në një konferencë për media, më 8 maj 1998, kishte deklaruar se vrasjet e veprimtarëve të LDK-së janë akte të qëllimshme të Beogradit.
“Rugova e konsideroi dhunën dhe vrasjen e veprimtarëve politikë dhe humanitar shqiptarë, veçanërisht atyre të LDK-së, si akte të qëllimshme të Beogradit me qëllim të eliminimit të lëvizjes politike në Kosovë. Ai kërkoi dërgimin urgjent të ndihmave humanitare ndërkombëtare në rajonet e izoluara, në të cilat, siç tha Rugova, forcat serbe nuk kanë lejuar që ndihma me artikuj ushqimorë dhe medikamente të kalojë për banorët vendas“, thuhet në një raportim ATA-s.