fbpx
Lajme

Lulëzon nepotizmi në Shtime, kryetari e punëson nipin e tij dhe vëllain e drejtoreshës në QKMF

Rreth dy muaj më parë Gazeta Insajderi kishte raportuar për anulimin e një konkursi në Qendrën e Mjekësisë Familjare ‘Vezir Bajrami’ në Shtime, ku ishte pranuar në pozitën e ‘doktorit’ nipi i kryetarit Qemajl Aliu dhe vëllai i drejtoreshës së këtij institucioni, pas ankesave për nepotizëm.Anipse jo përmes këtij konkursi, nipi i kryetarit të Shtimes, Agon Aliu dhe vëllai i UD drejtoreshës së QKMF’së, Pranvera Bajrami, Qëndrim Bajrami u punësuan përmes Caritas Kosova nga muaji korrik, atëherë edhe kur u anulua konkursi në fjalë.

Gazeta Insajderi ka siguruar librin e protokollit në QKMF të Agon Aliut dhe Qëndrim Bajramit.

Nipi i kryetarit ka bërë të ditur punën e re edhe në rrjetin social Facebook.

Pal Baftiaj nga Caritas ka thënë se nuk i di me emër dhe mbiemër saktë të punësuarit, por tha se ka mungesë të personelit shëndetësorë.

“Nuk mundem me ditë me emër e mbiemër kush, ku punon. Na kena pas problem për mjekë sepse një numër i konsiderueshëm kanë dalë jashtë shtetit. Kohët e fundit jemi tu pas vështirësi për mjekë. Nuk konsiderojë që kjo çështje ka të bëjë me ndikim“, tha Pal Baftiaj për Insajderin nga Caritas.

Insajderi ka kontaktuar kryetarin Qemajl Aliu, Agon Aliun dhe UD drejtoreshën e QKMF’së, Pranvera Bajrami, por deri më tani kanë qenë të paqasshëm për gazetën.

Ndryshe, në konkursin e hapur me 20 prill 2023 nga Komuna e Shtimes për katër doktorë të Mjekësisë së Përgjithshme, pas intervistës me gojë dhe testit me shkrim u përzgjodhën katër kandidatë.

Në mesin e kandidatëve fitues ishte vëllai i kryetarit Qemajl Aliu, Agon Aliu, dhe vëllai i UD drejtoreshës së QKMF’së, Pranvera Bajrami, Qëndrim Bajrami.

Por, pas shpalljes së këtyre rezultateve, kandidatja që nuk u pranua në këtë konkurs, bëri ankesë tek Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.

Në ankesën e siguruar nga Insajderi, thuhet se E.B kishte parë administratoren afër një kandidati duke ia treguar përgjigjet.

Katër ditë më vonë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave aprovoi pjesërisht ankesën e saj anuloi vendimin për pranim të Komisionit përzgjedhës dhe anuloi në tërësi konkursin.

Në vendimin e KSHA thuhet se pretendimet e ankueses E.B janë të bazuara dhe të provuara.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close