Filmi i cili flet për vështirësitë e serbëve në Kosovë, ku luan edhe Çun Lajçi, ishte shfaqur në gjithë Gjermaninë
Filmi “Enklava”, me regji të Goran Radovanoviq, ishte shfaqur në gjithë Gjermaninë, shkruan KultPlus.
Në këtë film që flet për jetën e vështirë të serbëve në Kosovë, luan edhe aktori kosovar Çun Lajçi.Po ashtu ky film numëron një numër të madh të çmimeve ndërkombëtare.
Për prezantimin e këtij filmi në gjithë Gjermaninë ka njoftuar faqja zyrtare e Qendrës së Filmit të Serbisë.Filmi për të cilin aktori kosovar Çun Lajçi u kritikua që luajti rolin e një gjyshi shqiptar në një enklavë serbe, ka triumfuar në një nga festivalet e rëndësishme të filmit në Evropë, “Napoli Film Festival”, raportonte Insajderi.
“Enklava” është filmi i Serbisë i propozuar për Oscar, vitin e kaluar, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, por që nuk arriti as të futej në listën e të nominuarve, por në kategorinë e filmit më të mirë në Evropë dhe Mesdhe në festivalin e Napolit, është zgjedhur më i miri.
I pyetur nga mediat se përse ka pranuar të luajë këtë film dhe cili është roli që ia luan në këtë film, aktori Çun Lajçi ka dhënë këtë deklaratë:
“Me duhet ti them dy fjalë rreth rolit tim në filmin serb “Enklava” sepse kohët e fundit kanë fillue të shkruajnë çmos rreth angazhimit tim në këtë film dhe reth rolit tim, që e konsideroj si tendencioze dhe të padrejt.
Ja përmbajtja e rolit tim në këtë film
Prandaj thashë po e luej dhe nuk po ua le këtë mundësi. E luajta një gjysh i cili e marton nipin e vet sepse djalin ia kishin vra serbet në luftë, pra djalin e kishte pas në UÇK dhe ia kishte dhanë besen se ashtu siç të kam martue Ty kam me ta martue edhe djalin me dasmor, me krisma, tupana e surla e këngatar. Dhe e luajta me shumë kënaqësi dhe doli një rol tepër sharmant e dinitoz – një shqiptar ashtu siç i ka hije çdo burri.
Dhe nuk jam fare pishman.
Mua nuk me intereson se si e qysh doli filmi, mua me interesoi se si do të paraqitet shqiptari në filmin serb dhe ai rol asht vertetë dinitoz. Mua me vjen keq që shqiptarët presin që armiku të bëj filma të mirë për Neve apo serbet të presin se shqiptarët do të bëjnë filma të mirë për Serbinë.
Unë në tre filma i luajta paramilitarët serb dhe normalisht se nuk u përpoqa t’i paraqes engjuj.
Nëse Enklava ëdhtë munduar ti paraqes shqiptarët agresor, aq më naiv jan paraqit vet serbet para botës, sepse Evropa është në Kosovë e kosovarët në Evropë dhe kot mundohen ta shtrembërojnë realitetin, aç më shumë e paraqesin poshtërsinë e tyre. Por unë e kuptoj rexhisorin serb, sepse ai jeton në Beograd dhe po të bënte diçka në favor të shqiptarve, ate do ta likuidonin.
Fundja, unë nuk jam i vetmi dhe as i pari as i fundit që do të luaj në filmin serb. Ju jeni dëshmitar të një shfaqje serbo-shqiptar dhënë me 2015 në Prishtinë, kur aktori serb i deshur cullak ia merr plisin nga koka aktorit shqiptar dhe e mbulon penisin- kinse nga turpi. Kjo për mua është skandaloze, sepse përdhosen simbolet tona kombëtare, e jo Çuni që e paraqet shqiptarin i cili bën dasëm në shtetin e vet, pa çka që kalon nëpër Enklaven e fanitur serbe me pleq e plaka.
Po krejt ikshin e krejt u farofshin, po ku po mërzitna unë. Dhe krejt në fund.
Jam aktor me potencë të madhe dhe do të luaj çdo kund ku të me thërrasin, e pse jo edhe në Serbi.
Mos të me anashkalojnë rexhisoret shqiptar, sepse unë dikund duhet ta paraqes artin tim. Por mos harroni Ju që me kritikoni, se unë patriotizmin tim e kam shfaq atëherë kur “tredhëshim me tel të bakrit” sot Ju kot mundoheni ta merrni primatin e “patriotve”, ka deklaruar Çun Lajçi.