A e akuzoi babai i Stresit – Fatmir Haklajn për vrasjen e vrasësve të Ilir Konushevcit, heroit të UÇK?
Për Sali Lushajn, personin e fundit që e ka takuar për së gjalli Azem Hajdarin, rigjykimi i kësaj çështjeje është një farsë që po bëhet për të tërhequr vëmendjen. Ndërsa sa i përket thirrjes së ish-Presidentit Sali Berisha si dëshmitar, e konsideron si një kërkesë pa kuptim, pasi, sipas tij, nuk ka arsye përse të thirret.
Sali Lushaj kishte dëshmuar në Gjykatë për rastin e Azem Hajdarit dhe aty kishte përmendur edhe dy vëllezërit Bislim dhe Agim Demiri që konsiderohen si personat përgjegjës në vrasjen e Heroit Ilir Konushevci. Sali Lushaj kishte thënë se pikërisht Komisiariati i Tropojës i ka vrarë edhe këta dy në mesin e disa të tjerëve. Komisiariati i Tropojës drejtohej nga Fatmir Haklaj dhe njerëzit e tij. Tashmë dihet dhe këtë e kanë konfirmuar edhe motra e Fatmir Haklajt, ish kreu i LPK-së Bedri Islami e shumë të tjerë që Fatmir Haklaj nxori hak për vrasjen e Ilir Konushevcit dhe mjekut Hazir Malaj. Vëllezërit Demiri sipas tyre vranë Konushevcin dhe Malajn e Haklajt nxorën hak duke vrarë njërin prej vëllezërve Demiri.
Më përpara më folët për një listë vrasjesh…
“Po, unë kam një listë këtu, me emrat e të vrarëve në Tropojë. Të gjitha këto vrasje janë bërë nga të njëjtët persona që vranë Azem Hajdarin. Vrasjet fillojnë menjëherë pas vrasjes së Azemit, por ka edhe përpara. Unë po i lëxoj: Avdyl Matoshi, Naim Dizdari, Gjin Kolbuçaj, Halil Hoxha, Agron Gjoçaj, Ramadan Demiri, Çel Valbona, Ramiz Haxhia, Musa Shpata, Artan Dusha, Ilir Dusha, Skënder Neza, Xhafer Hoxha, Bislim Hyka, Naim Bashkurti, Jonuz Hyka, Mereme Matoshi, Ram Braha, Hazir Gucaj, Ilir Gosturani, Rasim Lumneshi, Bislim Demiri, Agim Demiri, Gani Neza, Ram Hoxha, një vajzë me mbiemrin Hoxha, Mus Dynisha, Anton Gjergji, është marrë një mësues në mes të qytetit dhe është pushkatuar. Një mësues nga Kosova është vrarë në sy të dy vajzave. Dy vëllezër dhe dy vrasje që i bënë në Milot. Të gjitha këto janë kryer nga të njëjtët persona që vranë Azem Hajdarin. Të organizuara nga Komisariati i Tropojës. Si ka mundësi që gjithë ai SHIK nuk i gjeti vrasësit e asnjërës prej këtyre ngjarjeje? Unë edhe kur jam pyetur atëherë, por edhe tani, them të njëjtën gjë. Këtu nuk kanë dorë kurrë udhëheqësit e Partisë Socialiste, as Fatos Nano, asnjë. Janë struktura të tjera që të zhdukin. Këto vrasje edhe sot e kësaj ditë janë pa autor. Në Tropojë nuk është askush i fortë, por as i dobët nuk është askush”, tregoi Sali Lushaj në Gjykatë në vitin 2020.
Si ndodhi vrasja e Konushevcit, ja një tregim nga dokumentari i Top Channel:
Ishte data 9 Maj e vitit 1998. Ilir Konushevci kishte marrë ngarkesën e radhës me armë në Shqipëri dhe ishte nisur drejt Kosovës. Drejtues i kamionit ishte një ushtar i UÇK-së ndërsa në mjet me ta ishte edhe mjeku Hazir Malaj, i njohur si lidhje e afërt me vëllezërit Haklaj. Ai ishte babai i Arjan Malajt, i ekzekutuar nga fisi rival i Haklajve në muajin Shkurt të atij viti.
Kamioni u nis përmes aksit të vështirë Qafë Mali-Fierzë-Bajram Curri. Sapo kalon fshatin Miliska, në vendin e quajtur Poravë, kamioni has në një pritë. Disa persona të armatosur rëndë hapin zjarr me breshëri. Konushevci plagoset rëndë ndërsa mjeku Malaj shpëton pa lëndime.
Shoferi merr lëndime të lehta dhe sigurohet në një pozicion nga ku kundërpërgjigjet me zjarr. Një prej autorëve të pritës mbetet i plagosur rëndë. Në këtë moment, grupi i tyre tërhiqet me shpejtësi. Ata i drejtohen spitalit të Bajram Currit ku mbërrin i vdekur Agim Demiri.
Mjeku Hazir Malaj merr në krahë Konushevcin e plagosur rëndë dhe niset në këmbë për të kërkuar ndihmë në drejtim të Fierzës. Pasi kishte ecur pak kilometra, autorët e sulmit të parë kishin bërë një pritë të dytë pikërisht në këtë vend që shihni rreth 3 kilometër larg hidrocentralit të Fierzës.
“Dhe në këtë kohë Konushevci ka qenë i plagosur dhe Bislim Dmeiri me disa të tjerë udhëtuan sërish drejt MIliskajës i kanë vrarë, i kanë tërhequr zvarrë kufomat”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
“Sipas disa informatave që kemi, Ilir Konushevcit i ka ndryshuar axhenda 2-3 herë. Sië i ka ardhur urdhri Ilirti nga lart, ka vepruar. Mbasdite definitivisht Ilirit i është thënë se duhet” tregon Avni Ajeti, Veteran i UÇK-së
Ndaj mjekut Malaj dhe Konushevcit derdhen breshëri të egra kallashnikovi dhe këtë herë e patën të pamundur të reagojnë. Ata mbeten të vdekur në vend. Autorët e krimit i tërheqin zvarrë trupat dhe i fshehin poshtë kësaj ure që shihni ku i mbulojnë me gurë. Bislim Demiri, që akuzohej nga Haklajt si organizator i pritës.
Motra e Haklajve zbulon për herë të parë në këtë intervistë se Konushevci, ka pasur kontakte edhe me Bislim Demirin. Nuk dihet arsyeja por besohet se ajo lidhet me krijimin e kushteve për kalimin e armëve drejt Kosovës.
“Fatmiri e kishte këshilluar mos ti besonte Bislim Demirit meqenëse kishte lidhje me Draganin, një ndër serbët më të rrezikshëm në Koranicë, kishte dërguar shumë naftë në Serbi kundër Kosovës e Bosnjës. I besonte aq shumë sa i kishte dhuruar pistoletën, thuhet se atë ditë pistoleta e Konushevcit kishte qëlluar mbi vetë Konushevcin”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
https://www.balkanweb.com/rihapja-e-gjyqit-teazem-hajdarit-sali-lusha-rrefen-takimin-e-vrasesve-me-gjinushin-ne-tropoje-e-pashe-i-pari-azemin-te-vrare-izet-haxhia-ishte-me-mua/