Adem Salihaj: Duhet t’i largojmë nga pushteti partitë e komandantëve
Adem Salihaj thotë se ‘shumë njerëz kanë shprehur dëshira për ta udhëhequr LDK’në” dhe sipas tij ‘këto dëshira ata i kanë shprehur kryesisht në media’. Por për të, kandidaturat serioze do të vërehen të shtunën, më 3 gusht. Në një bisedë të shkurtër për Periskopin, Salihaj ka thënë se mund të jetë vetëm një apo dy kandidatë serioz për ta marrë udhëheqjen e LDK’së…
Ish – deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një bisedë për Periskopin ka folur për zgjedhjet në LDK si dhe për zhvillimet e fundit në vend, që u krijuan pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit
Salihaj ka thënë se në LDK ka kandidat joserioz të cilët shpallin kandidaturën në këmbim të një pozite tjetër.
“Besoj se në Kuvendin e LDK-së mund të jetë vetëm një kandidaturë dhe, e shumta, dy, por jo me tepër. Disa që shpallin kandidatura kërkojnë marrëveshje, heqin dorë nga kandidatura, në këmbim të një pozite tjetër. Pra, një lloj pazari me poste partiake dhe qeveritare, gjë që nuk është aspak e mirë”, ka thënë Salihaj për Periskopin.
Salihaj thotë ‘disa kandidatura po shpallen në media’ dhe për të, ato janë ‘joserioze’.
“Të gjitha këto shpalljet e “kandidaturave” nëpër media dhe portale i shoh si joserioze dhe më shumë një lakmi dhe shprehje dëshirash, e jo një ambicie reale”, ka thënë ai.
Gjithashtu Salihaj për Periskopin ka treguar që është pro një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe se ky koalicion do sjellë fitore të sigurt.
“Sa u përket koalicioneve, unë kam qenë ithtarë i koalicionit parazgjedhor LDK-VV, si mënyrë e sigurt për të fituar dhe për t’i larguar nga pushteti të gjitha partitë e ashtuquajtura të komandantëve, të cilat po e shkatërrojnë Kosovën”, u shpreh Salihaj.
Kujtojmë që, LDK me 3 gusht do të mbajë Kuvendin ku do të zgjidhet kryetari i ri i kësaj partie.