fbpx
Lajme

Vetëvendosje po përgatit kallëzim penal për gjyqtarin Beqir Kalludra

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se po përgatit kallëzim penal për gjyqtarin Beqir Kalludra, për shkak, siç thuhet, persekutimit të aktivistëve të kësaj partie në seancën e djeshme gjyqësore ndaj deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

“Gjatë kësaj seance, ku u morën në pyetje dëshmitarët e prokurorisë, gjyqtari Kalludra, mbante haptazi anë dhe u jepte dëshmitarëve këshilla sugjestive, sa herë që ata merreshin në pyetje nga deputetët tanë në këtë seancë. Edhe atëherë kur dëshmitarët kishin vullnet të përgjigjeshin, ky gjyqtar ua ndërprente fjalën, ndërhynte pa asnjë të drejtë në pyetjet e deputetëve, me ç’rast u pamundësohej atyre që nëpërmjet këtyre dëshmitarëve të ofronin prova me anë të së cilave edhe njëherë do të vërtetohej qëllimi politik për veprimet tona në mbrojtje të Republikës dhe territorit. Ai donte që deputetët tanë të bënin pyetje që u pëlqejnë dëshmitarëve dhe atij. Kjo është shkelje esenciale e palëve në procedurë në rastin konkret deputetëve tanë”, thotë Vetëvendosje.

“Ky gjyqtar shkoi aq larg sa që deputeten Donika Kadaj-Bujupi e nxori nga seanca, vetëm se ajo i bëri pyetje deputetit Nuredin Ibishi, mbi veprimet faktike nga e kaluara e tij e që ishin me rëndësi për ta dëshmuar karakterin dhe integritetin e dëshmitarit”, thuhet më tej në postimin e Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje përkujton se më 22 nëntor ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, kryesuar nga Beqir Kalludra, por ende pa marrë vendim kryetarja e Gjykatës Themelore, mbi këtë përjashtim, i lartpërmenduri, më 23 nëntor ka marrë vendim të paligjshëm për arrestimin e 3 deputetëve, Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut dhe caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

“Sipas Kodit të Procedurës Penale neni 43, gjyqtari ndërpren çfarëdo veprimi, nëse ka kërkesë për përjashtimin e tij. Rrjedhimisht lëshimi i urdhërarresteve 1 ditë pas kërkesës për përjashtim është shkelje e KPRK pra me këtë vendim të paligjshëm Beqir Kalludra ka kryer vepër penale andaj Lëvizja Vetëvendosje po përgatit kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe në Zyrën e Prokurorit Disiplinor”.

Vetëvendosje kërkon nga gjyqtari lirimin e deputetëve dhe aktivistëve që padrejtësisht po mbahen në burg.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close