Ambasada Amerikane në Kosovë nuk ka informacione për vizitën e Kurtit në Amerikë
Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ende ka informacione për vizitën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar në Amerikë.
Nga burimet e saj, gazeta Nacionale ka mësuar se për çdo vizitë që bëhet në një vend tjetër, nga një zyrtar i lartë i shtetit, nëse në agjendë janë takimet në nivel të lartë, ambasadat respektive duhet të përfshihen.
Ndërsa, një ditë me parë gazeta nga burimet brenda ambasadës së SHBA-së në Prishtinë ka mësuar se kjo ambasadë nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë çështje.
“Duhet të ju adresoj te Zyra e Kryeministrit apo Ambasadës së Kosovës në Uashington – që zakonisht përfshihet në koordinimin agjendën për vizitat e nivelit të lartë për në ShBA. Nuk kemi informacione deri tash”, ka thënë burimi i gazetës.
Ditë me parë, në një intervistë për RTK, kryeministri Kurti ka paralajmëruar se ShBA-në pritet të vizitojë në muajin maj dhe se do të rrijë goxha kohë.
Megjithatë, ai nuk ka treguar se me kë do të takohet atje.
“Do të shkoj besoj në muajin maj, do të zhvilloj takime me administratën Biden dhe diasporën tonë, unë i njoftoj ata paraprakisht, ata më mirëpresin, organizohen takimet, verifikohet agjenda, por, që ju do ta dini paraprakisht”, ka deklaruar Kurti.
Vizitën e tij në Amerikë, Kurti e ka paralajmëruar qysh në vitin e kaluar, por ende nuk është caktuar data e saktë.
Fillimisht, ai kishte thënë se vizita do të ndodh në nëntor të vitit të kaluar.
Me pas, pati paralajmëruar janarin e këtij viti si kohë për vizitën e tij, por as kjo nuk ka ndodhur.
“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti vitin e kaluar.
Albin Kurti është kryeministri i vetëm i Kosovës, i cili në vitin e parë të qeverisjes se tij nuk e ka vizituar Amerikën.
Partitë opozitare jo rrallë e kanë akuzuar kryeministrin Kurti si anti-amerikan. Këto kritika janë shtuar pasi Qeveria e Kosovës refuzoi projektin për ndërtimin e gazsjellësit amerikan./nacionale/