fbpx
Lajme

Anëtari i njësitit paramilitar serb “Çakallët”, rrëfen krimet në Kosovë (Video)

Njësiti paramilitar i Zoran Raskovicit, “Çakallët”, është përgjegjës për masakrat brutale që ndodhën në Lubeniq, Pavlan, Zahaq, Qyshk – fshatra të Kosovës në zonën e Pejës.

Tash dy vjet Raskovic është duke dëshmuar në Gjykatën Speciale në Beograd një rast të krimeve të luftës, ku sipas aktakuzës, 13 anëtarë të njësitit paramilitar “Çakallët”, kanë vrarë më shumë se 100 shqiptarë në vitin 1999.

Që kur ka filluar gjykimi para 2 viteve, Raskovici ka qenë nën mbrojtje konstante të policisë në Serbi, për shkak se ai ka vendosur të dëshmojë haptas, pa e fshehur fytyrën.

Si pasojë e kësaj ai ka marrë kërcënime prej ish-anëtarëve paramilitar të kësaj njësie, madje edhe prej njerëzve të policisë që ishin caktuar si roje për ta mbrojtur atë.

Ai ka vendosur të flas, sepse është i bindur që në Serbi jeta e tij nuk do të jetë shume e gjatë për shkak të kësaj dëshmie.

“Jeta në Kosovë” sjell rrëfimin se si ndodhi që një 18 vjeçar serb, që iku si refugjat nga Rijeka e Kroacisë, vjen në Kosovë në vitet ’90, ku kryen shkollën e mesme në Pejë dhe shndërrohet në paramilitar, pjesë e njësitit që bën kërdi në Dukagjin gjatë viteve ’98-99 dhe pastaj, më 2010 vendos të bëhet dëshmitar i krimeve makabre të luftëtarëve serbë.

Iu kanë dashur Raskovicit 14 vjet të marrë guximin të tregojë krimet e tmerrshme që i ka shkaktuar njësiti paramilitar, pjesë e të cilit ishte ai vetë.

Pas sulmit, më shumë se 400 fshatarë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, lanë shtëpitë e tyre. Para luftës, Qyshku kishte rreth 2000 banorë, shumica me etni shqiptare.

Raskovic përshkruan saktë se çka ka pa atë ditë në Qyshk. Në mëngjesin e 1 prillit 1999, tanket dhe paramilitarët serb të “Çakallëve” zbarkuan në Lubeniq, duke i përzënë njerëzit prej shtëpive të tyre, duke i vjedhur këto shtëpi e pastaj duke indezur.

Shumica e grave e fëmijëve ikën në male, në drejtim të kufirit me Shqipëri. E meshkujt i grumbulluan në qendër të fshatit dhe i pushkatuan, hiq më pak se 66 prej tyre.

Në vitin 2010, prokurori serb i Krimeve të Luftës ngriti aktakuzë kundër 13 paramilitarëve: Toplica Miladinovic, Srecko Popovic, Slavisha Kastratovic, Boban Bogicevic , Radoslav Brnovic, Vidoje Koricanin, Veljko Koricanin, Abdullah Sokic, Milojko Nikolic, Sinisa Misic, Zoran Obradovic, Dejan Bulatovic dhe Ranko Momic, që, sipas aktakuzës janë përgjegjës për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në Zahaq, Pavlan, Lubenic dhe Qyshk në 1999.

Gjatë gjykimit Raskovic i identifikoi shumicën e të dyshuarve si shkaktarë të drejtpërdrejtë të masakrave. Të gjithë, përveç Toplica Miladinovicit, që ishte komandant i ushtrisë Jugosllave, akuzohen se kanë qenë pjesë e grupit paramilitar të quajtur “Çakallët”.

Hierarkia komanduese e “Çakallëve” mbetet ende çështje e hapur ngase shumica e anëtarëve të saj pohuan gjatë gjykimit se ata ishin anëtarë të ushtrisë së rregullt e jo e grupit paramilitar dhe u deklaruan të pafajshëm .

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, më 9 qershor 1999, që i dha fund luftës në Kosovë, Raskovic dhe familja e tij u arratisën për në Serbi. Pas kësaj ai u bë pjesë e disa bandave kriminale dhe pas luftës u dënua me 12 vjet burgim për plaçkitjen e një banke.

Në fillim ishte planifikuar që Raskovic të dëshmonte me emër të koduar për të fshehur identitetin e tij, por për herë të parë në historinë e gjykatave në Serbi, një dëshmitar i mbrojtur vendosi të dëshmojë publikisht dhe të “tregonte të vërtetën për tmerret në Kosovë”.

Gjatë gjyqit, ai pati kërcënime të hapura nga ish-shokët e luftës.

Sot, ai thotë se është “pa shtet”, sepse nuk ka dokumente zyrtare identiteti. Ka dorëzuar një kërkesë për lejen e njoftimit dy vjet më parë, kur ajo e fundit i kishte skaduar, por autoritetet refuzojnë t’ia japin.

Gjykimi në Serbi është afër përfundimit. /Jeta në Kosovë/

Më poshtë mund të ndiqini në video intervistën e Raskovicit, të dhënë për emisonin “Jeta në Kosovë”:
VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=lmPDzGs0Dt0&feature=emb_title

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close