fbpx
Lajme

Xhavit Haliti: Fatos Klosi më shpëtoi nga vrasja në 1999, por edhe Nazim Bllaca ka dashur të më vrasë në 1985

Pas deklaratave se njerëz nga opozita e sotme kanë paguar për vrasjen e tij, ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, kishte përmendur edhe emra konkretë.

“Unë jam grindavec nganjëherë në qëndrimet e mia në çfarëdo debati. Kurrë, kurrë në jetën time nuk e kam menduar dhe nuk do ta mendoja se dikush nga ata me të cilët kemi ngrënë se bashkë do të donte të më eliminonte”, deklaroi deputeti i PDK-së në emisionin “Zona B” në “Klan Kosova”.

“Do t’i përmendi vetëm inicialet që ata t’i kruajnë veshët, ndoshta më vonë do të dal edhe me emra – vijoi ai -. Më 7 nëntor 1985, kanë dashur të më vrisnin Xhavit Kuçi, Bashkim Çerkini, Nazim Bllaca. Në 1990-n në Zyrih, atentat i organizuar nga UDB-ja me urdhër të Millosheviçit, me arsyen se kishim bërë plan për ta vrarë. 1999 – Zoki, njëri nga udhëheqësit e UDB-së në Kosovë, pati organizuar një takim me S.K. nga Prishtina. “Paris 1999 – në Konferencën e Rambujesë më ka thirrur Fatos Klosi, i informuar nga shërbimet mike, e më ka thënë të largohesha nga takimi më herët pasi kishin organizuar atentat ndaj meje. Në makinë kanë qenë Naim Muja, Shaip Muja, Hashim Thaçi dhe Bilall Sherifi. Me makinën që ma sollën shkova në Romë e nga Roma në Tiranë. Në vitin 2000 në Prishtinë donin të më vrisnin A.A., A.S., B.M. dhe F.E., gjoja për hakmarrje sikur unë kisha faj për vrasjen e Ilir Konushevcit. Njëri nga pjestarët e grupit ka informuar një shërbim mik tonin dhe ata më kanë larguar nga Kosova për disa ditë dhe më pas heshtje”.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka deklaruar se njerëz nga opozita kanë kërkuar vrasjen e tij.
“Ka pasur tri përpjekje nga UDB-ja për të më vrarë – në Kosovë, në Itali dhe në Zvicër. I di kush janë ata që kanë paguar për të më vrarë, janë njerëz të opozitës së sotme. Ka edhe të afërm me të cilët që kam bashkëjetuar – për shkaqe xhelozie besoj më shumë. Por, po besoj që janë të shkuara”, u shpreh Haliti në një intervistë për RTK-në.

Ai foli edhe për shprehjen “Dora e zezë e PDK-së” me të cilën etiketohet shpeshherë: “Nuk dua të akuzoj askënd, s’i kam bërë keq askujt. Në qoftë se do të më donin të gjithë do të ndihesha keq, por edhe nëse nuk do të më donin të gjithë do të ndihesha sërish keq. Kjo është politika. Ajo që unë kam kërkuar publikisht sa herë – dhe e kam kërkuar edhe me shkrim edhe nga EULEX-i, nga Prokuroria, ambasadat edhe në Shqipëri – është që të hetohem për gjithçka. Nuk kam asgjë për të fshehur”.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close