Atentatori i vetëm ndaj Enver Hoxhës! Si u arrestua në pabesi…
Më 29 nëntor 1974, në ceremoninë e festimit të 30-vjetorit të çlirimit, Enver Hoxha, kreu i shtetit komunist shqiptar, ishte detyruar të thyente një ritual.
Ai nuk u ngjit i pari në tribunë për të folur përpara popullit, në tribunën që po atë ditë i kishin ndërruar vendin për herë të parë, duke e hequr nga vendi i zakonshëm para hotel “Dajtit” dhe ndërtuar me shpejtësi aty ky sot është Kryeministria. Përpara tij, si të përmbushte rolin e kavies që dërgohet të kontrollojë një hapësirë të minuar, që më pas aty të shkelin njerëzit pa frikë se fluturojnë copash në ajër, ishte ngjitur në tribunë për të folur, Haxhi Lleshi, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Vetëm pas duartrokitjeve që lajmëronin fundin e fjalimit, Enver Hoxha ishte shfaqur në tribunë, bashkë me gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Në këto kohëra pakkush dinte apo mësoi arsyet e vërteta të vonesës së Enver Hoxhës për të marrë fjalën, për masat ekstreme të sigurisë apo edhe për ndryshimin e papritur të vendvendosjes së tribunës. E vërteta ishte se ato ditë të gjitha strukturat e Sigurisë të Shtetit komunist shqiptar, filluar nga Sigurimi i Shtetit, ishin me frikë në zemër për shkak të një informacioni, sipas të cilit, dikush, një njeri, që në ato kohëra quhej “diversant”, i nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte mundësi të ishte në Tiranë me mision eventual, t’i bënte atentat Enver Hoxhës. Emri i tij, i njohur ndër krerët më të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe jo vetëm, ishte Abdyl Banushi, një i arratisur, ish-mbështetës i Ballit Kombëtar, me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës.
Ai përshkruhej në atë kohë si një tip kokëshkretë, që ishte provuar se të bënte gjëmën, sidomos pas informacioneve se kishte dorë në vënien e bombave në ambasadat shqiptare në Romë e Paris, dy ngjarje që kishin tronditur gjithë shtetet e zhvilluara të botës, që luftonin terrorizmin. Për këtë qëllim, atë ditë në shesh, veç forcave të tjera të sigurisë ishin angazhuar pothuaj të gjithë ata njerëz që e njihnin Banushin nga pamja. Kryesisht ishin mobilizuar bashkëfshatarë e të njohur të tij, filluar nga oficeri i lartë i ushtrisë, që paraqiti forcën para Enver Hoxhës. Dhe faktet e dokumentuara thonë se Abdyl Banushi ishte vërtet në ceremoninë e asaj dite.
Ishte në afërsi të urës së bulevardit mbi Lanë, rreth 200 metra apo diçka më tepër në vijë ajrore nga figura e Enver Hoxhës në podiumin e nderit. Ishte i armatosur deri në dhëmbë, me xhepat e mbushur dingas me bomba luftarake. Por njeriu që kishte ardhur të vriste Enver Hoxhën, për shkak të largësisë apo rrethanave të tjera të krijuara, nuk gjykoi se mund të arrinte të realizonte objektivin dhe hoqi dorë. Gjithsesi, ai mundi të ishte atje, fare pranë Enver Hoxhës, duke e përfshirë me vështrimin e vet e duke i qarë zemra t’i përshkonte një plumb në mes të ballit; ishte atje ku në rast të një oportuniteti, me veprimin e tij, do të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së një kombi të tërë; atje ku nuk kishte mundur të afrohej askush para apo edhe pas tij. Një histori që merr vlera edhe më reale po të krahasohet me atë të Xhevdet Mustafës, që i armatosur deri në dhëmbë, i nisur në vitin 1982 për të realizuar të njëjtin qëllim, vrasjen e Enver Hoxhës, nuk arriti t’i afrohej diktatorit komunist as 100 kilometra, duke gjetur vdekjen në afërsi të vendit ku zbarkoi, në një shtëpi fshati në afërsi të Rrogozhinës.
UFO-ja që terrorizoi Sigurimin
Më 7 prill 1975, në afërsi të postës kufitare të Hanit të Hotit, oficerët dhe ushtarët shqiptarë kishin marrë në dorëzim duke shkelmuar e grushtuar një njeri të mbytur në gjak, një diversant, një shkelës kufiri, të armatosur deri në dhëmbë. Ishte pikërisht Abdyl Banushi. Sigurimi i Shtetit kishte investuar shumë për ta shtënë në duar dhe këtë e kishte arritur më në fund, duke shfrytëzuar një të infiltruar në radhët e Frontit të Rezistencës Antikomuniste në SHBA, ku Abdyl Banushi përmbushte funksionet e sekretarit. Më në fund, Abdyl Banushi ishte mposhtur.
Një lehtësim i madh për njerëzit që siguronin Enver Hoxhën, sepse ai dhe vetëm ai, u kishte kallur datën. Vetëm ai dinte të futej në brendësi të kufirit të blinduar shqiptar deri në zemër të vendit, në Tiranë dhe të zhdukej sërish për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara, si të ishte një UFO. Vetëm për atë kishte të dhëna se sillej me një valixhe plot me bomba e dinamit rreth e rrotull Shqipërisë, sa në një avion në tjetrin, sa në një tren në tjetrin, me qëllim që të hidhte në erë bustin e Stalinit dhe ambasadën e Kinës në Tiranë, ashtu siç nuk kishte dështuar të hidhte eksploziv në ambasadat e Republikës Popullore të Shqipërisë në Romë dhe në Paris.
Ai ishte njeriu i padukshëm që arriti brenda një viti, 1974-ës, të thyente katër herë kufirin e supermbrojtur shqiptar dhe të rivendoste apo tentonte lidhje me bazat antikomuniste në gjithë Shqipërinë. Ishte ai që në një rast këmbeu zjarr me ushtarët e kufirit, ndërsa në një tjetër mori peng një ushtarak, duke e lënë si deng të lidhur në buzë të kufirit. Shkurt: ai ishte hala më e madhe në sytë e gjithë një regjimi. Njeriu që mund të fundoste karrierën e gjithkujt, për më tepër i vetmi që kishte hapin e duhur të rrezikonte të shkonte në plumb atin shpirtëror të komunistëve shqiptarë, Enver Hoxhën.
Dokumentet që do të botojmë
Pas prangosjes, i futur për së gjalli në një arkivol metalik, me skafandër në kokë, që të mos tentonte vetëvrasjen, Abdyl Banushi do të kishte shumë vizitorë “nderi” në qelinë e tij. Vizitorë që nisnin më zv/ministrin e Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu. Të gjithë kuriozë të shihnin të lidhur armikun numër 1 të regjimit komunist. Por për habi, edhe pse i futur në arkivol, në pamundësi të lëvizjeve fizike, përgjigjet e shpirtit të njeriut të varrosur për së gjalli ruanin forcën e lirisë: “Pranova të bëhesha anëtar i Frontit të Rezistencës Antistaliniste shqiptare. Pranova sepse isha kundërshtar politik i regjimit, që sot është në fuqi në RPSH.
Që nga ajo kohë e deri tani që jam arrestuar, jam përpjekur që detyrat që më përkisnin si anëtar i kësaj organizate, t’i kryej pa hezitim. Edhe tani që erdha në Shqipëri, kam ardhur të kryej detyrat që më ka ngarkuar organizata dhe konkretisht: të hedh në erë me anë të lëndëve eksplozive monumentin e Stalinit, ambasadën e RP të Kinës, e cila ndodhet në Tiranë, të shpërndaj broshura e fletushka me qëllim për të popullarizuar dhe bërë sa më të njohur organizatën tonë në Shqipëri, për të tërhequr në shërbimin tonë disa persona, që janë dënuar vite më parë për politikë dhe që tani janë liruar me qëllim për të krijuar sa më shumë baza, me qëllim final për të përgatitur kryengritjen e armatosur për të përmbysur pushtetin popullor dhe të vendosur një tjetër sistem shtetar, atë të dy partive, nga të cilat njëra opozitare…”
Abdyl Banushi, njeriu për shkak të të cilit mbase u kultivua më shumë në Shqipërinë komuniste nocioni i nxirë i “diversantit”, që tejshkonte si fill i kuq gjithë letërsinë apo tekstet mësimore, sidomos ato për fëmijë, i mbijetoi edhe 15 viteve të fundit të burgut. Ai fitoi lirinë më 17 mars 1991, në ditët e ndryshimit real të sistemit, një ëndërr për të cilën ai kishte punuar një jetë të tërë, një ëndërr që fati e kishte llogaritur ta shijonte i mbijetuar. Në vazhdim gazeta “Panorama” do të publikojë një cikël shkrimesh për veprimtarinë e Abdyl Banushit. Shkrimet kanë si burim të parë një libër të autorit me titull “Një zë nga errësira” dhe si burim plotësues, dokumente autentike të Arkivit të Shtetit, që vërtetojnë veprimtarinë e tij si një kundërshtar ekstrem i regjimit të Enver Hoxhës.
Emri i Abdyl Banushit doli në gjyqin e Kadri Hazbiut
Emri i Abdyl Banushit është përmendur edhe në gjyqin e Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Punëve të Brendshme, që u pushkatua më 10 shtator 1983. Në debatin me gjykatësin Aranit Çela, Kadri Hazbiu mbron veten nga akuza se ka pasur lidhje me bandën e Xhevdet Mustafës, duke justifikuar të kundërtën. Ai thotë që edhe Abdyl Banushi, kur kishte ardhur të vriste Enver Hoxhën, nuk kishte pasur ndonjë lidhje të brendshme. Më poshtë dialogu i plotë.
Aranit Çela: Po neve e pamë që banda (e Xhevdet Mustafës, red) nuk drejtohej nga Halit Bajrami, ti e di mirë. E dyta, banda na vrau 6 vetë. Atëherë përse erdhi?
Kadri Hazbiu: Qëllimi, siç kam qenë unë në dijeni nga Zbulimi, ishte për terror. Jemi lajmëruar për këtë bandë para dy muajve…
Aranit Çela: Në qoftë se banda mund të vijë dhe të vrasë Enver Hoxhën… do vijë banda pa lidhje, si mendon ti, dy pare mend i kanë në kokë këto zbulimet e huaja, do vijë të vrasë Enver Hoxhën, flas unë, se një atje përtej mund ta vrasin ata, por pa lidhje, pa gjë, pa asnjë mbështetje, si shpjegohet kjo, kot në tym?
Kadri Hazbiu: Në praktikë ka ndodhur edhe herë të tjera, siç ka qenë rasti i Abdyl Banushit, të cilin tani e kemi në burg. Kur shikon detyrat që i kishin vënë atij, thua si është e mundur, nuk doli që kishte lidhje të brendshme. Megjithatë, siç e kam marrë vesh unë, këta kishin bazat e tyre në Durrës.
Aranit Çela: More në Durrës, ata mund të kenë baza…
Kadri Hazbiu: Nëse isha unë në këtë mes, kjo bandë pse do të vinte kështu e nuk mund të gjenim rrugë tjetër për ta prurë shëndoshë e mirë…