Avdyl Loshaj u arrestua me Remzi Hoxhën, por djali i tij e akuzon për spiun të shumëfishtë, tregon detajet
Djali Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur pa lënë gjurmë që më 1995-ën, ngjarje kjo ende e pazbardhur, i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” në News 24 thotë se babai i tij u rrëmbye nga SHIK-u në një mision sekret me qëllim që ta fajësonin për një atentat ndaj Presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov, me të cilin, siç thotë Ardiani, Remziu nuk kishte lidhje.
SHIK – Shërbimi Informativ Kombëtar (i Shqipërisë)
Ardian Hoxha: Rrëmbimi i babit tim ishte operacion sekret i udhëhequr nga 5 persona: Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi. Kishin sajuar një tregim se babi im nga Kosova, gjoja ishte agjent i UDB, Ziso agjent i grekut dhe Avdyl Loshaj bashëpunëtor i tyre. Ne kemi foto nga viti ‘92, ku ka ndejt me javë të tëra në Shkup duke survejuar babin tim, ka qënë agjent i shumëfishtë Avdyli.
Tek Ziso ka shkuar si turist ai Avdyl Loshaj, e cuan njerëzit e SHIK që t’i bëjnë foto. Ai ka punuar për SHIK ato kohë. Tek babi im shkonin njerëzit për ndihmë dhe punësim. Ishte njeri me shumë autoritet. Loshaj ka shkuar është takuar me të, po s’ka qenë ushtar. Babi im ka pas bashkëpunëtorë, por jo ushtarë. E gjithë kjo ndodhi që të bëhej një pazëll i rrejshëm se këta të tre po përgatisnin rrëzimin e qeverisë së Berishës. E gjitha kjo ishte e sajuar.
Klodiana Lala: Loshaj është njeriu që e ka parë i fundit gjallë Remziun. Loshaj ndodhet në një nga vendet e BE-së, nuk dihet se ku.
Ardian Hoxha: Në Holadë rri ai.
Klodiana Lala: Loshaj ka thënë që në Lezhë ka qënë Remzi Hoxha, e kam parë në një rast në gjendje shumë të rënduar. Loshaj thotë se Ilir Kumbaro dhe SHIK-as të tjerë më kërkonin me insistim që kisha lidhje në atentatin ndaj Gligorov. Loshaj pretendon se kanë firmosur gjëra që nuk i dinin fare. Kjo mund të ketë ndodhur edhe me Remzi Hoxhën. Këto dokumente janë zhdukur, dëshmitë e personave të përfshirë në këtë ngjarje janë zhdukur. Unë mendoj që është krim shtetëror.
Sokol Balla: Duket sikur shërbimet sekrete kanë marrë urdhër nga lart, kërkojnë t’i përfshijnë në një aktivitet kriminal ndërkombëtar dhe çdokush mund të mos e besonte rrëfimin e tyre se janë të përfshirë në atentatin e Gligorov…apo jo?
Ardian Hoxha: Këta e kishin qëndisur mirë, i kishin bërë të gjitha dëshmitë, këta do e çonin këtë version dhe kushedi ca ka pas në skenarin përfundimtar. Vdekja e babit tim ua rrëzoi të gjitha. Janë mundur t’i zhdukin të gjitha gjurmët pastaj. Këta kishin harruar që në financa nuk i kishin zhduk pagesat, faturat dhe Xhevat Hanaj i ndjeri e ndërtoi hetimin duke u bazuar në këta dëshmitarë dhe në këto fatura. Po të dojë SPAK tani e hap rastin, por nuk ka vullnet.