fbpx
Lajme

Avokatja e njohur botërore: Kurti dhe Politika e Strucit, Thaçi ishte më shumë burrështetas

Ekspertja e çështjeve të Ballkanit, ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, dhe autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviçit”, Nevenka Tromp, në një intervistë për Albanian Post, komenton të ngjarat e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe i shtron ato në retrospektivë.

Prej situatës së krijuar së fundmi me moslejimin e zgjedhjeve serbe, e deri te acarimi i marrëdhënieve me shtetet e QUINT-in, Tromp shpjegon se si në fakt qëndron dhe se si do të duhej të qëndrojë Kosova, sipas perspektivës së saj.

Intervistën ekskluzive të Tromp për Albanian Post mund ta lexoni më poshtë:

Intervista:

Albanian Post: Kosova ka refuzuar të pajtohet me propozimet e QUINT-it për lejimin e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës, në lidhje me çka edhe pati kritikë të rreptë nga bota perëndimore. Si e keni parë këtë këmbëngulje të fortë të Kryeministrit të Kosovës rreth kësaj çështje; dhe a bën mirë kjo, apo “minon” pozicionin e Kosovës, ashtu siç thanë shtetet e QUINT-it në deklaratën e përbashkët?

Nevenka Tromp: Deri tash Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar të arsyetojë vendimin e Kosovës të refuzojë lehtësimin e votimit të serbëve që jetojnë në Kosovës, të cilët kanë të drejtën dhe duan të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të caktuar më 3 prill në Serbinë fqinje.

Audienca kombëtare dhe ndërkombëtare duhet të dinë se çfarë e ka motivuar këtë vendim dhe me çfarë motive politike në mendje. Ajo çfarë audienca e brendshme duhet të dijë janë argumentet mbi të cilat qeveria ka marrë një vendim të tillë, ngase ky veprim mund të ndikojë stabilitetin e brendshëm dhe rajonal dhe sigurinë e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Deri këtu mbizotërojnë argumentet e votuesve serbë të Kosovës: pavarësisht motiveve të pabesa të regjimit të Beogradit, serbët në Kosovë duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat politike dhe civile, në nivel individual dhe kolektiv. Vota e tyre në zgjedhjet e përgjithshme serbe nuk ka mundësi të ndryshojë gjë sa i përket statusit të Kosovës dhe prospektit të saj për t’u bërë shtet plotësisht i pranuar (njohur) dhe kështu anëtare e OKB-së në të ardhmen e parashikueshme.

Ndërkombëtarisht, Qeveria e Kosovës është angazhuar në testim të rrezikshëm – në atë që përndryshe është vendosmëri e fuqishme – të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj pavarësisë së saj, në ndryshimet rapide të balancës gjeopolitike të fuqive në Lindje dhe Evropën Juglindore.

Në fund, në politikat bilaterale dhe rajonale, Kosova po i jep argumente regjimit të Beogradit që ende parapëlqen ndarjen e Kosovës përmbi njohjen ndërkombëtare të Kosovës me kufijtë aktualë. Përkatësisht, Beogradi këtë do ta përdorë si dëshmi në favor të argumentit se qeveria e Prishtinës nuk është e interesuar për të drejtat politike dhe civile të qytetarëve serbë të saj.

Albanian Post: Emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, zoti Stuart Peach, në një intervistë dhënë së fundmi për gazetën malazeze “Vijesti” në lidhje me refuzimin e Kosovës për të gjetur zgjidhje për këtë çështje tha se “[…] mos-shfrytëzimi i mundësisë për të gjetur zgjidhjen praktike të ofruar në këtë rast e vë në dyshim përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve”. Si e vlerësoni ju komentin e zotit Peach?

Nevenka Tromp: Çështja e të drejtave të minoriteteve dhe mazhorancës – individuale dhe kolektive të qytetarëve të një shteti, duhet të jetë shqetësim madhor i çdo qeverie. Kjo është një çështje relativisht minore dhe zoti Kurti nuk duhet të lejojë këtë çështje të mbizotërojë dhe të terrojë punën e madhe që është bërë rreth kësaj çështje që nga viti 2008.

Për më tepër, qeveria nuk duhet t’i flakë tutje praktikat që janë vendosur për këtë çështje gjatë mandatit të Hashim Thaçi-t si Kryeministër. Në vitin 2012, qeveria e atëhershme e Kosovës ishte pajtuar rreth modaliteteve se si të lehtësohet votimi i qytetarëve serbë. Mosvazhdimësia e praktikave të mira të vendosura më herët duhet së paku të jetë ligjërisht dhe politikisht e arsyetueshme.

Deri më tani, zoti Kurti dhe qeveria e tij nuk kanë siguruar argumente bindëse për shkëputjen e praktikave të mëhershme. Nëse kanë vepruar thjesht sepse kanë mundur ta bëjnë, një gjë e tillë nuk është shenjë e mirë për reputacionin e Kosovës, as brenda, as në rajon, dhe as ndërkombëtarisht.

Albanian Post: Kryeministri i Kosovës kohëve të fundit vizitoi Norvegjinë, ku takoi Kryeministrin e Norvegjisë, i cili gjithashtu shprehi po të njëjtin “zhgënjim” drejt Kosovës, dhe zoti Kurti jo vetëm që s’e tregoi, por një prej këshilltarëve të tij në fakt mohoi që një “zhgënjim” i tillë është shprehur, gjë që mund të interpretohet edhe si “përgënjeshtrim” i asaj çfarë kryeministri norvegjez ka publikuar në uebfaqen zyrtare. Çfarë do të thotë kjo fshehje e feedback-ut negativ të marrë jashtë vendit për Kosovën?

Nevenka Tromp: Nëse kjo është e vërtetë, atëherë duket se zoti Kurti vuan nga sindroma e “politikës së strucit”.  Kjo do të thotë që kurdo që ata nuk duan të shohin ose të pranojnë realitetet, ata e fshehin kokën nën rërë dhe shohin nëse mund të shpëtojnë nga ajo.

Kam frikë se qeveria e Serbisë nuk do ta lë të kalojë pa u vërejtur dhe se Beogradi do të përdor këtë çështje në kontekstin ndërkombëtar për të minuar progresin e Kosovës në rrugën e saj si shtet i njohur ndërkombëtarisht. Të gjithë e dimë që Beogradi bën inventar me të gjitha këto çështje në mënyrë që të justifikojë përpjekjet e saj për të krijuar mbështetje mes ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, d.m.th të ndryshojë kufijtë duke e ankesuar Veriun e Kosovës.

Albanian Post: Zoti Kurti gëzon perceptim të gjerë brenda vendit si dikush që ka rikthyer dinjitetin politik të Kosovës në lidhje me Serbinë, ngase edhe e ka formësuar personin politik të vet me kritika të ashpra ndaj qeverive të kaluara: se po bënin koncesione të panumërta ndaj Serbisë, dhe se një gjëje të tillë do i vinte fundi me të ardhur ai në pushtet. Tani është në pushtet, dhe është dikush që nuk lëshon fare pe, dhe për këtë gëzon mbështetje masive. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën në kohërat që po vijnë, kur mbase kompromise do të kërkohen në mënyrë që të arrihet diçka në raport me Serbinë?

Nevenka Tromp: Fitorja e zotit Kurti u lavdërua si ndryshimi i nevojshëm i udhëheqësisë politike të Kosovës. Ai e nisi mandatin e tij me aprovim tejet të madh, veçanërisht te kosovarët e rinj. Bilanci i arritjeve të qeverisë së tij ende duhet të vlerësohet. Kosova nuk ka nevojë për një politikan të aftë me qëllime të mira në timonin drejtues. Kosova ka nevojë për burrështetas. Një burrështetas i vërtetë është – dhe duhet të jetë në gjendje – të bëjë dallimin mes synimeve taktike dhe atyre strategjike të një shteti. Kur Hashim Thaçi bënte “koncesione” ndaj Serbisë, ai mund të ketë qenë më shumë burrështetas se sa një politikan taktikan.

Ndoshta ajo çfarë dukej të ishte “tepër shumë koncesione ndaj Serbisë” ishte urtia e një burrështetasi. Mbase është kështu mënyra se si Hashim Thaçi kuptonte se cilado që të jetë e ardhmja që Kosova si shtet mund ta mbajë, ajo nuk mund të arrihet pa mbështetje të fuqishme (robust) të komunitetit ndërkombëtar, e në veçanti të atyre shteteve që udhëhoqën intervenimin ushtarak në vitin 1999 që ishte hapi themeltar në drejtimin e pavarësisë së Kosovës në 2008-ën.

Le të ballafaqohemi me realitetin edhe një herë. Kosova është shembull klasik i një de fakto shteti, sepse i mungon kapaciteti i plotë për t’u angazhuar në marrëdhënie ndërkombëtare për shkak të faktit se shumë shtete nuk e kanë njohur si shtet të pavarur. Literatura dhe praktikat e de fakto shteteve dëshmojnë se një de fakto shtet nuk mund të mbijetojë pa një shtet padron/protektor të shteteve.

Në rastin e Kosovës, është një kombinim ad hoc i shteteve të njohura si QUINT. Nëse zoti Kurti dëshiron të veprojë sikur Kosova mund të mbijetojë pa mbështetjen e protektorëve të saj, ai duhet t’i thërret mendjes edhe një herë. Gjithashtu, zoti Kurti dhe qeveria e tij nuk munden dhe nuk duhet të distancojnë veten nga të akuzuarit që janë akuzuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kurti si politikan mund ta sheh si mënyrë e lehtë për të hequr qafesh opozitën e fortë politike. Por, Kurti si burrështetas do të duhej të bënte ç’të mundte të sigurojë mbështetjen dhe infrastrukturën për mbrojtjen e tyre.

Çfarëdo dënimi nga kjo gjykatë ka potencialin të kriminalizojë luftën çlirimtare të Kosovës të luftuar nga 1998-1999. Kurti si burrështetas duhet të jetë i vetëdijshëm që burrështetasi brenda tij duhet t’i zgjedhë betejat strategjike, që janë afatgjate dhe që do të luftohen edhe pasi të pensionohet nga politika.

Edhe pse është tepër herët të gjykojmë mandatin e tij qeverisës, me të vërtetë shpresoj që të shohim më shumë burrështetësi të Kurtit në të ardhmen. Kjo do të thotë ndryshim të taktikave: të adoptojë konsensus politik kur angazhohet me popullatën serbe të Kosovës pa kalkulime se si Serbia mund ta përdor dhe keqpërdor; të demonstrojë përkushtimin e plotë të Kosovës në bashkëpunimin me QUINT-in, do të thotë, me shtetet mike dhe mbështetëse të Kosovës së pavarur si shtet; të adoptojë politika të kontinuitetit e jo të diskontinuitetit me qeveritë e kaluara të koalicioneve partiake, të theksojë nevojën për unitet kombëtar; duke mbështetur pa mëdyshje përkushtimin për drejtësi dhe duke ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme dhe të mundshme për Dhomat e Specializuara të Kosovës – Prokurorisë dhe Mbrojtjes. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close