Bahtiri u akuzua se modelen 20 vjeçare e bëri Shefe të Kabinetit një ditë pas diplomimit, ai ishte sqaruar ndryshe
Po ju sjellim hulumtimin nga Gazeta Metro dhe reagimin e Kryetarit të Mitrovicës z. Bahtiri të para pak viteve.
Iu kanë dashur vetëm një muaj nga ceremonia e diplomimit që modelja nga Mitrovica, Rona Tmava, të marrë një pozitë të rëndësishme në Komunën e Mitrovicës.
Ajo është bërë shefe e kabinetit të kryetarit Agim Bahtiri, me ç’rast do të udhëheqë me kabinetin e të parit të komunës, shkruan gazetametro.net.
Siç merr vesh Metro, shefja e re e kabinetit ka diplomuar vetëm para më pak se një muajsh. Më saktësisht, më 26 qershor të këtij viti ka kryer ceremoninë e diplomimit në kolegjin FAMA në Mitrovicë.
Tmava që tani merr një pozitë të mirë në komunë, akoma nuk e ka të zyrtarizuar vendin e punës. Deri tani asnjë vendim nuk është publikuar në faqen zyrtare të Komunës, ani pse kjo gjë duhet të bëhet sipas ligjit.
Sidoqoftë, dikur modelja e tash zyrtarja me pak përvojë, po vazhdon të dalë në punë që nga mesjava e kaluar, duke mbushur 5 apo 6 ditë në zyrë.
Ndërkohë, menjëherë pas marrjes së detyrës asaj mbi supe i ka rënë një detyrë e vështirë. Hiç më larg se sot ajo është dashur të qëndrojë ‘në krye të vendit’ për të udhëhequr një takim ku flitet për kundërshtimin për gjoja ndarje të Kosovës.
E zyrtarja 20 vjeçare po e zë vendin e nipit të kryetarit Bahtiri, Nehat Bahtirit, i cili u emërua drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim ditë më parë.
Ndryshe, ndryshimi i pozitave brenda Komunës së Mitrovicës është bërë një traditë tani. Kryetari Bahtiri është rekordmen në ndryshim të stafit. Ai hiç më larg se javë më parë shkarkoi një drejtor, dhe po shqyrton largimin e disa të tjerëve.
Reagimi dhe sqarimi i Komunës së Mitrovicës:
Reagim i plotë:
Sot gjatë ditës në portalin tuaj është publikuar një shkrim dezinformues me titull “Modelja 20 vjeçe bëhet shefe e kabinetit të Agim Bahtirit, veç 1 muaj pas diplomimit”.
Ky shkrim është tejet tendencioz dhe ka për qëllim njollosjen e kryetarit Bahtiri pa asnjë argument, andaj ju bëjmë të ditur se znj. Rona Tmava, është vetëm praktikante në Komunën e Mitrovicës dhe si shumë studentëve të tjerë edhe asaj i është dhënë mundësia të kryejë praktikë në institucionin tonë.
Të thuhet se znj. Tmava është Shefe e Kabinetit është një gënjeshtër e kulluar andaj kërkojmë nga Gazeta Metro të demantojë lajmin “Modelja 20 vjeçe bëhet shefe e kabinetit të Agim Bahtirit, veç 1 muaj pas diplomimit”, në të kundërtën Komuna e Mitrovicës do të ngrit padi ndaj portalit tuaj.
Kjo nuk është hera e parë që “Gazeta Metro”, përmes shpifjeve dhe të pa vërtetave po mundohet të dëmtojë imazhin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Është e çuditshme, Shkumbin Kajtazi, është gazetar dhe redaktorë i Gazetës Metro, kurse Gazeta Metro ka pronar një Shkumbin Kajtazi tjetër i cili është biznesmen dhe daja i kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.
Andaj ju lusim që për hirë të informimit të drejtë të qytetarëve, të publikohet edhe ky reagim. /Telegrafi/