fbpx
Lajme

Fatos Klosi: Gjeta 600 mijë marka te kasaforta e Gazidedes, ishin dhuratë nga Bukoshi

sh-kreu i Shërbimit Sekret Shqiptar ka deklaruar se kur kishte marrë në dorëzim detyrën në krye të SHIK, si pasardhës i Gazidedes së larguar jashtë vendit kishte gjetur një kasafortë plote me para, dhuratë nga qeveria në ekzil e Kosovës e drejtuar nga Bujar Bukoshi. Klosi: “Ende nuk e kam kuptuar se përse mund të jepej një ndihmë e tillë në para”.

Redaksia
15 Nëntor 2012, 08:23 |

Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit

TIRANE – Ish-kreu i Shërbimit Sekret Shqiptar Fatos Klosi ka deklaruar se kur kishte marrë në dorëzim detyrën në krye të SHIK, si pasardhës i Gazidedes së larguar jashtë vendit kishte gjetur një kasafortë plote me para, dhuratë nga qeveria në ekzil e Kosovës e drejtuar nga Bujar Bukoshi. Lajmin Klosi e ka bërë të ditur në emisionin e para dy ditëve “Pa Rrotulla” në RTK të Kosovës, teksa është shprehur se gjithçka ishte me një dokumentacion të rregullt. Njëherësh për gazetën “Shqiptarja.com” kreu i SHISH Fatos Klosi ka bërë të ditur dhe shumën e parave të dhuruara nga qeveria e Kosovës, shuma këto që mblidheshin nga 3 përqindshi i kosovarëve në vendet e Evropës dhe diasporë të cilat janë gjetur në kasafortë.

“Është një ndihmë e qeverisë së Kosovës së asaj kohe që kryesohej nga Bujar Bukoshi që e kishte dhënë për SHIK që drejtohej nga Bashkim Gazidede. Ende nuk e kam kuptuar se përse mund të jepej një ndihmë e tillë në para, por e vërteta është se e gjeta me dokumentacion të rregullt kur shkova në zyrë për herë të parë dhe shuma e lëvruar si dhuratë për SHIK kishte qënë 600 mije dojçmarka”, deklaroi për gazetën ish-kreu i shërbimit sekret, Fatos Klosi. I cili ka nënvizuar njëherësh se kjo shumë e dhuruar nuk ishte shpenzuar e gjitha por kishte mbetur dhe një sasi e caktuar, duke bërë me dije për herë të parë se përse ishin përdorur nga Gazidede dhe ku ishin shpenzuar pjesa e mbetur nga SHISH i Klosit pas vitit 1997. “Pjesa e përdorur nga Gazidede ishte shpenzuar, e shënuar përmes një dokumentacioni të rregullt, për njerëzit që ishin jashtë vendit, por dhe për njerëzit e këtij shërbimi brenda vendit. Nuk mund të them se sa ishin shpenzuar në atë kohë dhe nuk mund të them se për çfarë qëllimesh të tjera ishin përdorur. Sipas letrave ishte gjithçka në rregull”, nënvizoi Klosi. I cili tha se dhe ai i kishte përdorur në shërbim të SHISH paratë e mbetura në kasafortën e dhuruar nga qeveria Bukoshi për Gazideden. “Dhe ne e harxhuam pjesën e mbetur, duke dokumentuar gjithçka, duke i përdorur për blerje makinash, pasi nuk kishte asnjë makinë në SHISH. Këto para janë gjetur në vitin 1997, dhe kishin disa kohë që kishin mbërritur me një kasafortë si dhuratë nga qeveria Bukoshi për SHIK”, deklaroi Klosi për gazetën.

Dy ditë më parë, ish shefi i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Fatos Klosi e ka dhënë një informacion të tillë në një intervistë në RTK në emsionin “Pa Rrotulla”, teksa ka deklaruar se kur ai e mori detyrën e gjeti një kasafortë me para, një pjesë e të cilave ende nuk ishte shpenzuar nga ky shërbim, dhe që i ishin dhënë nga ish kryeministri i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi. Ai tha për RTK se e dinte shifrën e saktë, por nuk është me rëndësi shifra, por fenomeni. Paratë qenë dhënë cash”, tha Klosi.

Për të siguruar këtë akuzë ai tha se vinte dorën në zjarr. “E vë dorën në zjarr për këtë, paratë u dhanë me kasafortë dhe ekzistojnë dëshmitë”, tha Klosi për këtë emision, duke hapur në këtë mënyrë dhe një “kanat” të ri drejt zbardhjes së lojes së shërbimeve që luheshin asokohe, kur PS sërish ishte në opozitë dhe situata e trazuar e viteve 1996-1997 solli dhe rrëzimin e shtetit. Ndërkohë që ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Shqiptar që në vitin 1997 pasoi Gazideden në krye të këtij institucioni, Fatos Klosi me dhuratën e kasafortës me para nga qeveria në ekzil e Kosovës për SHIK, argumentonte edhe tezën se pse Sali Berisha, atëherë president i Shqipërisë, ishte më i afërt me Bukoshin se sa me Rugovën dhe po ashtu se pse Bukoshi ishte më i afërt me Berishën se sa me Rugovën. Ishtë bërë publike që në atë kohë madje ish-kryeministri Bujar Bukoshi ia kishte ndaluar fondet Presidencës së Ibrahim Rugovës. Fonde të cilat jepeshin nga emigrantët kosovare për këtë qeveri, që në kushtet e represionit të thellë serb, ushtronte aktivitetin e saj në ekzil, jashtë vendit në Gjermani kryesisht. Aktivitet i cili u shua me daljen në skenë të UÇK dhe krijimin e qeverisë së re të luftëtarëve të kryesuar nga Hashim Thaçi.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close