fbpx
Ekonomi

Banka Botërore radhitë Kosovën në vendin e 40-të për të bërit biznes

Kosova është në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, thuhet në raportin e publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore.

Për herë të parë, këtë vit Kosova radhitet në pozitën e 40 nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60 ku ka qenë vitin e kaluar.

Në këtë raport theksohet se këto dy rangime nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të rafinimit të metodologjisë në njërin prej dhjetë treguesve të matur nga ky raport.

“Kosova radhitet e dhjeta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.:, thuhet në raportin e BB-së.

Marco Mantovanelli, Menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën, ka thënë se Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi rregulloret e saj për biznes, siç edhe është konstatuar nga treguesit e raportit “Të Bërit Biznes” dhe është duke ngushtuar hendekun me vendet me performancën më të mire.

“Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsekuente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”, tha Mantovanelli.

Çdo vit, raporti Të Bërit Biznes në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Përmirësimi i performancës së Kosovës këtë vit është mbështetur nga zbatimi i tri reformave rregullative të biznesit në fushat e: Krijimit të Biznesit, Marrjes së Kredisë dhe Zgjidhjes së Rasteve të Paaftësisë së Pagesës. Në mënyrë më specifike, raport i Të Bërit Biznes konstaton se gjatë periudhës mbi 12 mujore deri në qershor të vitit 2017, Kosova ka bërë disa përmirësime: është lehtësuar krijimi i një biznesi përmes thjeshtësimit të procesit të regjistrimit të punëtorëve; është forcuar qasja në kredi përmes miratimit të një ligji të ri i cili përcakton rregulla të qarta prioritare në kuadër të falimentimit për kreditorët e siguruar dhe thjeshtësim të procedurave për ri posedim të kapitalit të kreditorëve në rastin kur kompania bankroton; është lehtësuar zgjidhja e rasteve të paaftësisë së pagesës përmes aplikimit të kornizës ligjore për paaftësinë e pagesës së korporatave, duke i vë në në dispozicion procedurat e likuidimit dhe ri-organizimin për debitorët dhe kreditorët.

Raporti thekson se reforma në Kosovë e cila u mundëson palëve të përdorin procedurat e riorganizimit me qëllim të shpëtimit të bizneseve të qëndrueshme, kur ka mundësi për rimëkëmbjen financiare, është veçanërisht me rëndësi. Një ligj gjithëpërfshirës mbi paaftësinë e pagesës (josolvencën), i miratuar në Korrik 2016, ka paraqitur një numër tiparesh moderne që janë harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë treguar përmirësimet më të mëdha në Të Bërit Biznes 2018 janë Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori. Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close