fbpx
Lajme

Banorët e Orllanit: Jemi pranë liqenit, por nuk kemi ujë

Megjithëse, Liqeni i Batllavës furnizon me ujë një pjesë të madhe të rajonit të Podujevës dhe Prishtinës, vetë banorët e fshatit Orllan dhe disa fshatra përreth, nuk kanë ujë të pijshëm.

Kjo për faktin se ata fare nuk janë të përfshirë në sistemin e ujësjellësit.

Protestat e vazhdueshme, e as peticioni me nënshkrimin e pothuajse të gjithë banorëve, nuk kanë ndikuar që këto fshatra të lidhen në rrjetin e ujësjellësit.

Banorët kërkojnë që lidhja në ujësjellës të bëhet në fabrikën e ujit në Shajkovcë, e cila është larg vetëm 13 kilometra.

Ata thonë se nëse nuk u bëhet zgjidhje, ikja e banorëve nga kjo pjesë do të rritet pasi që vetëm brenda një viti nga aty janë larguar dhjetë familje për shkak të mungesës së ujit.

Banorët kanë hapur puse, por thonë se ai ujë është jo i pijshëm, ndërsa shumë herë, meqë nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, janë detyruar ta përdorin atë për pije.

Ankohen se shpesh fëmijët e tyre janë sëmurë dhe analizat kanë treguar se shkaktar ishte uji, i cili, sipas tyre, përmban minerale të ndryshme.

E, organizata joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, thotë se 40 mijë euro, të cilat i ka ndarë komuna, janë shumë pak pasi projekti kushton 1 milion e 300 mijë euro.

Organizata i bën thirrje Qeverisë, si dhe Kuvendit, që të gjejnë fonde për mbështetje të këtij projekti.

Në ujësjellësin Rajonal “Prishtina” thonë se detyrë e tyre ka qenë hartimi i projektit, i cili i është dorëzuar komunës.

 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close