fbpx
Lajme

BE kundërshon Kurtin, dalin kundër formës së Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë

“Në të njëjtën kohë ne nuk pajtohemi me argumentin e treguar në Koncept Dokumentin e ndryshuar se përfshirja e prokurorit në skemën e rikuperimit civil do të ishte antikushtetues”, shtohet tutje në letrën me komentet e BE-së.

BE-ja shprehte mbështetje për prokurorët, të cilët thoshte se kanë përvojë të mjaftueshme për t’u marrë me konfiskimin e pasurisë së paligjshme, pas një dënimi paraprak nga ana e gjykatës.

“Në lidhje me këtë, ne me respekt themi që tashmë prokurorët e Kosovës luajnë një rol të spikatur në procesin e konfiskimit në pajtim me LKZKP, e cila natyrisht nuk është natyrë kriminale (kërkon një dënim paraprak, por kjo ndodh në një procedurë tërësisht të veçantë). Pavarësisht kësaj, askush nuk ka hedhur asnjë dyshim mbi kushtetutshmërinë e përfshirjes së prokurorit atje. Tutje, në mënyrë të arsyeshme mund të argumentohet se neni 109 i Kushtetutës nuk është pengues këtu: në paragrafin 1 të tij përcakton se prokurori ka autoritet dhe përgjegjësi jo vetëm “për ndjekjen penale të personave të akuzuar për kryerje të veprave penale”, por edhe për “veprime të tjera të përcaktuara me ligj”“, thuhet në këtë letër.

Kërkohet qasje jorevolucionare në konfiskim; shumë qytetarë mund ta kenë të vështirë ta provojnë pasurinë e tyre

Mekanizmi i Shqyrtimit Legjislativ (MSHL) i BE-së, e këshillonte Qeverinë që gradualisht t’i qasej konfiskimit të pasurisë në aspektin civil nëpërmjet një konfiskimi që do të kufizohej te personat e ekspezuar politikisht.

“MSHK-ja beson se në rregullimin e çështjeve të ndjeshme siç janë konfiskimi, qasja graduale është shumë më e kujdesshme se ajo ‘revolucionare’. Kjo është arsyeja pse BE-ja gjithmonë kishte mbrojtur miratimin dhe zbatimin e LKZKP para se të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm, më të guximshëm. Qasja graduale në lidhje me rikuperimin civil kërkon, sipas mendimit tonë, duke e bërë qëllimin e tij personal relativisht të ngushtë dhe të kufizuar për personat e ekspozuar politikisht, siç tregohet në Koncept dokument”, thuhet në letër.

BE-ja ia tërhiqte vërejtjen Qeverisë se koncepti që mendonin ta jetësonin mund t’i shkaktonte dëm shumë qytetarëve, ndonëse ata megjithatë nuk posedojnë pasuri të paligjshme.

“Bërja e rikuperimin civil universal për të gjithë, mund të shkaktojë dëm të panevojshëm për shumë qytetarë të Kosovës, origjina e pasurive të të cilëve shpesh mund të jetë e vështirë të provohet, edhe nëse ato nuk janë të paligjshme per se (p.sh. dërgesat nga jashtë, të ardhurat nga shitja e produkteve, shumë transaksione joformale, etj.)”, thuhej në letër.

“Prandaj, sugjerohet që nëse prezantohet skema e rikuperimin civil, ajo duhet të përfshijë vetëm personat të cilët mbajnë ose kanë mbajtur pozita të larta publike dhe tashmë janë të detyruar të deklarojnë pasuritë e tyre (‘Persona të ekspozuar politik” siç tregohet në faqet 46-48 të Koncept dokumentit)”, thuhet tutje në letrën e BE-së.

Po ashtu, BE-ja i thoshte Ministrisë së Drejtësisë se personat që gëzojnë qasje të privilegjuar në pushtet dhe paguhen nga arkat publike “duhet të jenë në të njëjtën kohë të standardit më të lartë etik dhe të integritetit dhe përtej çdo dyshimi, gjithashtu në lidhje me pasurinë e tyre”. Prandaj, shton BE, nënshtrimi i pronës së tyre në një kontroll të zgjeruar publik në krahasim me të gjithë qytetarët e tjerë, është i justifikuar.

Barra e provës

Nëse sistemi i ri, i zgjeruar i verifikimit të pasurive do të funksionojë, Bashkimi Evropian thotë se çështja e barrës së provës do të ishte me rëndësi thelbësore.

“Propozimi i Koncept dokumentit, d.m.th., se është obligim i paditësit (këtu: AKK) të provojë origjinën e paligjshme të pasurive, sipas mendimit tonë, do të mposhtë qëllimin e tërë ndërmarrjes. Edhe nëse barra e provës është ulur në atë të një bilanci të mundësive, paditësi në praktikë mund të ketë akoma probleme të mëdha në vërtetimin e origjinës së tillë”, thuhet në letër, ndërsa shtohej një kundërpropozim.

“Kundër-propozimi ynë në këtë drejtim do të ishte thjesht të kufizohet obligimi i paditësit (AKK ose një prokuror, sipas propozimit tonë) në atë të demonstrimit të mospërputhjes midis pasurive të personit dhe të ardhurave të tij të ligjshme. Pas një demonstrimi të tillë, barra do të zhvendoset – bie mbi personin, pasuritë e të cilit janë verifikuar dhe i cili do të duhet të provojë të ardhurat e ligjshme që mbulojnë tëgjitha pasuritë e tilla”.

Sipas këtij opsioni, BE-ja thoshte se ky proces do të përfshinte dy kategori të pasurive: Pasuri që nuk është deklaruar fare dhe pasuritë që janë deklaruar, por nuk korrespondojnë me të ardhurat e ligjshme.

Si të bëhet verifikimi për konfiskimin e pasurisë

Sipas Bashkimit Evropian, prokurori përveç që duhet të jetë lojtari kryesor në mekanizmin e konfiskimit civil, ai/ajo duhet ta bëjë edhe një verifikim dhe të mblidhte të gjitha informatat e nevojshme e të sigurojë autorizime nga organe të tjera për ta bërë këtë.

“Këto organe duhet të jenë ato që përdoren zakonisht në hetimet kriminale financiare, të tilla si policia, autoritetet tatimore, autoritetet doganore dhe njësia e inteligjencës financiare. Për më tepër, prokurori duhet të jetë në gjendje të kërkojë ndihmën sistematike të Agjencisë Kundër Korrupsionit e cila ka qasje në të gjitha deklaratat e pasurive të paraqitura nga zyrtarët e obliguar. Të gjitha këto institucione do të vepronin nën mbikëqyrjen e prokurorit dhe do t’i raportonin atij/asaj. Ashtu si në procedurën penale, prokurori duhet të jetë në gjendje të veprojë si ex officio dhe me raportin e ndonjë organi ligj-zbatues ose të një qytetari”, thuhet në letër.

BE po ashtu sugjeronte masa mbrojtëse që duhet të vendosen që i gjithë sistemi të funksionojë siç duhet, duke i mbrojtur ata që preken nga abuzimi i mundshëm. Masat mbrojtëse të tilla parashikonin kryesisht përfshirjen e gjykatës si arbitrin përfundimtar në të gjithë procedurën, opsionet e apelit si dhe mundësitë që personi i prekur të provojë edhe përmes palëve të treta.

“Masat mbrojtëse shtesë merren me pragun e vlerës që nxit të gjithë procedurën (siç tregohet në Koncept Dokument kjo mund të barazojë shumën prej 10.000 € ose të tjera, në varësi të zgjedhjes së politikës), si dhe me afatet për zbatimin retroaktiv të legjislacionit të ri (ne do të propozonim 10 vjet pasqyrim të LKZKP-së ose vitin 1999, siç parashikohet në Koncept Dokument, në varësi të zgjedhjes së politikës)”, thuhet në këtë letër.

Vërejtja e fundit e BE-së lidhej me propozimin e Koncept Dokumentit që kushtëzonte fillimin e procedurave të konfiskimit civil për përfundimin paraprak të hetimit penal.

“Ne besojmë se ne mënyrë që sistemi i ri të funksionojë fuqishëm, nuk duhet të paraqitet ndonjë kërkesë e tillë”, argumentohej në letër.

Koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së paligjshme që u miratua të martën nga Qeveria

Qeveria e dytë e udhëhequr nga Albin Kurti, të martën e ka miratuar një koncept-dokument për planin e shumëpërmendur për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Koncept-dokumenti parasheh realizimin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

“Ministria e Drejtësisë, si propozues i këtij Koncept Dokumenti, i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës të miratojë Opsionin 3 i cili parasheh hartimin e ligjit të ri i cili mundëson realizimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues”, thuhet në koncept-dokument.

“Në cilindo rast, Ministria e Drejtësisë beson se miratimi i opsionit nr. 3 i cili mundëson realizimin e konfiskimit në procedurë civile dhe në mungesë të aktgjykimit dënues, do të mundësojë funksionimin e drejtë të sistemit të konfiskimit të pasurisë dhe demotivim të kriminalitetit në vend”, thuhet tutje aty.

Pas aprovimit të këtij koncet-dukumenti, Ministria e Drejtësisë do të fillojë hartimin e Projektligjit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close