Berisha publikon studimet e Rugovës ku e cilëson Titon si njeri “gjenial”, “si simbol i së Mirës
(Pashtriku.org, 24. 01. 2013) – Ibrahim Rugova krahas punës në fushën e kritikës letrare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me përkushtim ka shkruar edhe studime shkencore-letrare kushtuar shëmbëlltyrës së “Marshallit” Josip Broz Tito. Më 9 e 10 dhjetor të vitit 1977, kur në Prishtinë u mbajt simpoziumi me moton: “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, Ibrahim Rugova mbajti referatin kryesor me titull: “Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”. Në këtë studim “shkencor”, Ibrahim Rugova kryetarin Tito e cilësonte si njeri “gjenial”, “si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit”, dhe sipas tij ai “gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit (Jugosllavisë), çfarë e gëzonte vetëm Lenini”…
Klasa politike dhe elita intelektuale e regjimit komunist në Kosovë!
Dihet mirëfilli, se gjatë periudhës së Jugosllavisë së AVNOJ’it (1945 – 1990), rrjedhimisht parimet themelore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të organeve tjera të regjimit, janë ndërtuar mbi bazën e “fryteve të revolucionit jugosllavë, të vëllazërim – bashkimit, e të besnikërisë ndaj Jugosllavisë Socialiste Federative e Vetëqeverisëse të J.B.Titos”. Mbi këto parime është ngritur e ndërtuar i gjithë sistemi politikë e shoqëror edhe në Kosovë. Për më tepër, mbi këtë frymë u brumos edhe një klasë politike shqiptare. Kjo klasë komuniste – titiste që përbëhej nga: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Ali Shukria, Veli Deva, Kolë Shiroka, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Imer Pula, Sinan Hasani, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e shumë të tjerë, me kohë kishte profilizuar edhe një elitë intelektuale shqiptare, e cila fillimisht kishte kaluar nëpër “sita” të organeve të pushtetit, për të dhënë prova lojaliste ndaj doktrinës titiste. Kjo elitë intelektualësh duke qenë anëtarë të devotshëm të LKJ’së, vazhdimisht ka vepruar nën ombrellën e regjimit dhe në këtë kuadër përveç punës “shkencore e mediale” që kryente në institucionet akademike – shkencore dhe në mjetet e informimit publik, ato bartnin edhe funksione politike në këto institucione. Dhe, njëri nga intelektualët elitar të partisë dhe të regjimit komunist në këtë periudhë, padyshim ishte edhe Kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti “historik” i Kosovës Ibrahim Rugova.
Trinomi: Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli dhe Xhavit Nimani me J.B.Titon.
Ibrahim Rugova, anëtar i LKJ’së dhe specialist i kritikës letrare
Karierën e intelektualit elitar, Ibrahim Rugova e nis si student në Fakultetin Filozofik të Prishtinës – dega e Albanologjisë. Ai, ndonëse ishte student i dalluar, u shqua edhe si aktivist i zellshëm i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë (LRSJ’së). Pas një kohe, mishërimi i tij me politikën e LKJ’së dhe për më tepër përkushtimi dhe bashkëpunimi me strukturat e pushtetit komunist, ka ndikuar që të bëhet anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ’së). Duke qenë student dhe aktivist i dëshmuar i LRSJ’së, Ibrahim Rugovës iu besua detyra e redaktorit në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa pas diplomimit në Fakultetin Filozofik (1971) ishte edhe redaktor i revistës “Dituria” (1971 – 1972). Qysh në fillim të viteve të 70’ta, Ibrahim Rugova u shqua në fushën e kritikës letrare dhe në këtë drejtim ka shkruar disa libra, dhe si kryevepër e tij vlerësohet libri për Pjetër Bogdanin. Në këtë drejtim, në vitin 1976/77 ai specializohet në fushën e teorisë letrare në Paris, tek prof. Roland Barthesi.
Ibrahim Rugova
IBRAHIM RUGOVA ANËTAR I SEKRETARIATIT TË ‘OTH’ TË ‘LK’ NË INSTITUTIN ALBANOLOGJIK DHE PJESËMARRËS NË DIFERENCIMIN IDEOPOLITIK TË KOLEGËVE TË TIJ PËR KONTRIBUTIN E PAMJAFUTESHËM NË DEMASKIMIN E AKTIVITETIT KUNDËRREVOLUCIONAR NË KOSOVË…!
Politika zyrtare jugosllave, demonstratat e pranverës 1981 i shpalli «kundërrevolucionare» dhe për disa muaj rresht të gjitha nivelet e pushtetit federativ, republikan dhe krahinor me qëllim të ‘sanimit’ të gjendjes në Kosovë, finalizuan një dokument me titull »Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë» që shkurtimisht njihet si «Platforma për Kosovën». Ky dokument u miratua në Mbledhjen e XXII të Komitetit Qendror të LKJ’së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i politikës antishqiptare në planin afatgjatë. (Hajrizi, fq.198 – 99)
Në këtë platformë antishqiptare ndër të tjera analizohet gjithashëm përmbajtja «reaksionare dhe kundërrevolucionare» e parullës ‘Kosova Republik’ duke u definuar qartë edhe masat për «qërimin e hesapeve» me forcat e «errëta të nacionalizmit shqiptaromadh…», përmes gjykimit dhe diferencimit të shqiptarëve në çdo segment të jetës politike e shoqërore.
Dhe në këtë drejtim strukturat e regjimit, me kohë kishin nisur diferencimin ideopolitik edhe në institucionet më të rëndësishme akademike, siç ishin: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Instituti Albanologjik dhe Universiteti i Prishtinës. Jo rastësisht KQ i LKJ’së dhe strukturat tjera pushtetore të këtij regjimi në Kosovë, këto institucione, e veçanërisht Universitetin e Prishtinës e patën cilësuar si “Bastion të nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”.
***
Ka dëshimi arkivore që faktojnë se në procesin e diferencimit ideopolitik që kanë zhvilluar organet e regjimit dhe partisë, në Institutin Albanologjik të Prishtinë, ka marrë pjesë edhe Ibrahim Rugova, në cilësinë e anëtarit të sekretariatit të Organizatës Themelore të Lidhjes së Komunstëve në këtë institut!
Për këtë aktivitet ka shkruar gazeta: “Rilindja”, datë 30. 09. 1982.
“Në mbledhjen e parmbrëmshme të OTH të Lidhjes së Komunistëve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, pasi u paraqit dhe u miratua raporti i grupit të punës të Kryesisë së KK të LK të Prishtinës dhe të Kryesisë së KA të LK të Universitetit të Kosovës, sekretari i organizatës, Daut Bislimi, vuri në dukje angazhimin dhe aktivitetin e zhvilluar në këtë institucion pas ngjarjeve kundërrevolucionare dhe theksoi se menjëherë ka filluar diferencimi ideopolitik” – kështu thuhet në kreun e artikullit të shkruar nga gazetari Shyqri Galica me titull: “AKADEMIK DR.REXHEP QOSJES IU SHQIPTUA VËREJTJA PARTIAKE”.
Mëtej në artikull thuhet:
“Në kuadër të diferencimit ideopolitik në këtë organizatë u shqyrtua edhe propozimi i grupit të punës të të dy kryesive për akademik dr.Rexhep Qosjen, të cilin propozim e ka shqyrtuar dhe miratuar edhe sekretariati i kësaj organizate. Ndërkaq në materialin që u prezentua edhe në këtë mbledhje thuhet se grupi i punës ka konstatuar, se Rexhep Qosja s’ka dhënë kontributin e pritur për stabilizimin e gjendjes në Universitet dhe më gjerë për demaskimin e aktivitetit kundërrevolucionar në Kosovë dhe të propagandës antijugosllave nga bota e jashtme. Sjellja e këtillë e akademik dr. Rexhep Qosjes ka nxitur disa dilema dhe paqartësi te një numër i studentëve dhe i intelektualëve për qëndrimin e tij, çka ka vëshirësuar luftën më të suksesshme të LK në ngritjen e vetëdijes dhe përfitimin e të rinjëve e të studentëve të indoktrinuar. Prandaj të dy kryesitë propozojnë që akademik dr.Rexhep Qosjes t’i shqiptohet masa – vërejtje partiake për shkak të aktivitetit të tij të pamjaftueshëm në realizimin e dokumenteve partiake.”
Pastaj në këta artikull thuhet ësht zhvilluar një “diskutim mjaft i gjallë”, “rreth çështjes së përcaktimit të akademik dr.Rexhep Qosjes në krijimitari”. Të gjithë diksukutuesi në këtë mbledhje, si: Adem Zejnullahu, Bajram Krasniqi, Rrustem Berisha, Ramadan Ibrahimi, Ragip Mulaku, por edhe rrahman Dedaj dhe Muhamet Bicaj, vlerësuan lartë krijimitarinë e tij diskursive imagjinative dhe theksuan se askund sa i përket aspektit ideor nuk mund t’i bëhet vërejtje akademik dr. Rexhep Qosjes.
Ata kanë vënë në dukje se “disa nga veprat e tij janë përkthyer gati në të gjitha gjuhët e kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë por edhe jashtë dhe janë mirëpritur nga të gjithë”. “E nga diskutuesit pati propozime që akademik dr.Rexhep Qosjes t’i bëhet kritikë shoqërore meqë sipas tyre, një masë e këtillë (vërejtja partiake) është mjaft e rreptë kur dihet kontributi i tij dhjetëvjeçar në Institut dhe angazhimi po këtu pas ngjarjeve të njohura kundërrevolucionare”.
“Ndërkaq Ibrahim Rugova në diskutimin e vet theksoi se procesi i diferencimit ideopolitik duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, kurse sa i përket masës së propozuar, si anëtar i sekretariatit të OTH të LK’së, propozoi që Rexhep Qosjes t’i shqiptohet masa – vërejtja partiake, sipas propozimit të grupit të punës të të dy kryesive, të cilin e kemi miratuar edhe ne”…
– Lexoni faksimilin –
Dhe artikulli përfundon si më poshtë:
“Pas diskutimeve, propozimi u vu në vota dhe të gjithë pjesëmarrësit e kësaj organizate votuan që akademik dr.Rexhep Qosjes, t’i shqiptohet masa e propozuar për angazhim të pamjaftueshëm rreth stabilizimit të gjendejes.” ( Rilindja, 30.09.1982)
– Lexoni faksimilin e plotë –
“AKADEMIK DR.REXHEP QOSJES IU SHQIPTUA VËREJTJA PARTIAKE”
* * *
Në biografinë zyrtare të Ibrahim Rugovës thuhet se: “Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që thuhet se kannë qenë luftëtar të njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës”. Për mënyrën se si janë vrarë babai dhe gjyshi i I.Rugovës kam lexuar edhe shumë versione të tjera, por nëse e marrim si të vërtet dhe të padiskutueshëm këtë version, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja-dilemë: Si ishte e mundur që Ibrahim Rugova, (të cilit komunistët jugosllavë të Titos ia kishin vrarë të atin dhe gjyshin si antikomunist), qysh në rininë e tij studentore të përqafojë idetë komuniste përmes aktivitetit të tij në LRSJ’së, dhe më vonë të pranohet si anëtar i LKJ’së, dhe si i tillë t´i gëzonte pastaj të gjitha privilegjet intelektuale, politike etj., po nga ky regjim antishqiptar?! Ndërkaq, nga dëshmitë historike kemi mësuar se, mijra fëmijë të atdhetarëve shqiptarë, (të cilët u burgosën, u vranë e u persekutuan pas luftës së dytë botërore, nga regjimi i Titos), përveç që u mohohej e drejta e shkollimit, ata edhe përndiqeshin këmba – këmbës nga syri e veshi i UDB’së, ndërsa familjet e tyre bënin jetë të rëndë me etiketimin si “armiq të rrezikshëm të sistemit jugosllavë, të vëllazërim – bashkimit” etj.,etj!!!
SHEMBËLLTYRA E JOSIP BROZ TITOS NË STUDIMET E IBRAHIM RUGOVËS!
Ibrahim Rugova krahas punës në fushën e kritikës letrare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me përkushtim ka shkruar edhe studime shkencore-letrare kushtuar shëmbëlltyrës së “Marshallit” Josip Broz Tito. Më 9 e 10 dhjetor të vitit 1977, kur në Prishtinë u mbajt simpoziumi me moton: “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, Ibrahim Rugova mbajti referatin kryesor me titull: “Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”. Në këtë studim “shkencor”, Ibrahim Rugova kryetarin Tito e cilësonte si njeri “gjenial”, “si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit”, dhe sipas tij ai “gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit (Jugosllavisë), çfarë e gëzonte vetëm Lenini”.
Për më tepër Ibrahim Rugova në këtë studim ndër të tjera thekson se: “Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor”.
Në vitin 1979 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës të gjitha studimet kushtuar Josip Broz Titos i botoj në një libër voluminoz, me të njejtin emër “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, dhe studimi i Ibrahim Rugovës u botua në faqet 407 – 410 të këtij libri. Ndërsa pas demonstratave të pranverës 1981, ky studim u botua edhe në revistën “Zërin e rinisë” të 16 e 23 majit 1981 në faqet 20-21.
Lexoni të plotë studimin e Ibrahm Rugovës:
TITO NË LETËRSINË SHQIPE NË JUGOSLLAVI
Nga Ibrahim Rugova
Duke punuar në këtë temë, vetvetiu m‘u imponua problemi i një vështrimi teorik të çështjes, apo ndoshta, po ashtu, vetvetiu m‘u imponua edhe nga interesimi im teorik, që po e formuloj në formë pyetëse – tezë: përse shkrimtarët dhe artistët, për objekt të veprave të veta i marrin shëmbëlltyrat e kohës së vet, dhe madje përse në mënyrë të vazhdueshme!
Në vijim do të përgjigjem me shembullin e Titos dhe me praktikën krijuese të letërsisë sonë.
Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar. Me këtë rast çështjen e pranisë duhet ta vështrojmë dhe ta pranojmë në kuadër të procesit të diferencimit që ekziston midis formave letrare, e cila gjë i tregon dhe i vërteton mundësitë dhe validitetin e formave të veçanta ndaj objektit. Ky shpjegim teknik letrar na sjell në përfundimin se prania e objektit realizohet përmes shkallëve të ndryshme, po me funksion e me qëllim të njëjtë e të përbashkët. Po i theksojmë këto ndryshime të formave në prosede, në metodat e krijimit. Në prozë, vërtetë në roman dhe në tregim, fytyra e Titos dhe prania e tij identifikohen plotësisht dhe nënkuptohet me të drejtë me ngjarjen e madhe të revolucionit të armatosur, të cilën ai e vuri në lëvizje dhe çka është e arsyeshme artistikisht dhe jetësorisht. Nuk del fare si personazh i drejtpërdrejtë në mënyrë deklarative, po përmes frymës së veprës – aksionit – veprimit të tij, të njerëzve që bëhen realizues të ideve dhe të ndërmarrjeve të veprës së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se shkrimtarët duan që fytyrën e tij ta realizojnë artistikisht, natyrshëm, ashtu çfarë është e madhe në realitetin historik dhe në realitetin bashkëkohës. Pra, vetëm ajo që jepet artistikisht mirë e me vlerë, është ekuivalente e reales, vërtet vetë realja, e që merret si një nga çështjet – çelës, në të cilat sprovohet arti, e edhe letërsia, në rastin kur ka të bëjë me fytyra të njohura historikisht dhe bashkëkohësisht, siç është Tito me këtë rast.
Ndërsa po e shqyrtojmë këtë çështje duhet të përmendim një të vërtetë tashmë të njohur e të pranuar në historinë dhe filozofinë e artit se, shkrimtarët dhe artistët, si idhtarë të përhershëm të njeriut, të lirisë së tij, te fytyrat historike të jetës sociale – revolucionare, ndalen vetëm atëherë, kur në to, brenda tyre, pos tjerash gjejnë figurën – njeri të plotë, i cili punon dhe vepra e tij i kushtohet plotësisht njeriut, mirëqenies së ekzistencës së tij. Ky shpjegim teorik letrar, e njëkohësisht filozofik bashkëkohës e vërteton dhe e qartëson fortë mirë interesimin e shkrimtarëve tanë për Titon, sepse tek ai gjetën, zbuluan njeriun e vërtetë me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë veprimin e madh njerëzor, veprimin e përjetshëm. Më shkurt, artistët ndalen tek ata që i zgjerojnë hapësirat e realizimit të njeriut në jetë dhe në vepër, ashtu siç bëri Tito. Pra, njerëzit e tillë, që shkenca i shpejgon si gjenialë, krijojnë vazhdimisht hapësira të reja për njeriun, pra janë krijues e jo dogmatë e statistë në skenën historike e shoqërore, sepse ata, me aftësi të rrallë i shtrojnë dhe i zgjidhin kërkesat dhe nevojat e kohës në të cilën jetojnë e veprojnë, do të thotë prekin në pikat neuralgjike vendimtare të shoqërisë njerëzor duke i vënë njerëzit në lëvizje të orientuar, të drejtë, në aksion.
Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të, që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët-poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionare të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë artistike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.
Përderisa në prozë është i pranishëm, në radhë të parë, në kuadër të mundësive dhe të efekteve artistike të realizimit të zhanrit, pra në mënyrë të plotë që na e sinjifikojnë “Ditari…” i F. Hoxhës një pjesë e prozës së H.Sylejmanit dhe të Sinan Hasanit, në poezi, e cila konsiderohet si zhanër dhe formë solemne më komunikative, fytyra e Titos ngritet vazhdimisht, duke u bërë objekt qëndror-poetik, në dritën e plotë të veprës së tij të madhe. Kështu, poezia e kuptuar si formë më komunikative, ka një aftësi dhe fuqi të jashtëzakonshme për identifikim apo për simbolizimin e veprave të mëdha në histori dhe në bashkëkohësi, të vizioneve të tyre të pandërprera e thelluese.
Thënë historikisht, fytyra e Tito në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi.
Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, “Ty që je liria jonë”, ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera.
Në disa poezi të tjera siç janë “Flamur shekujsh” (Ali Podrimja), Dy ditëlindje (Rrahman Dedaj) dhe Flet Tito (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit.
Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike.
Në vjershën e Mirko Gashi, “Flet Tito”, e cila përmes theksimit të aktivitetit të ligjërimit të Titos, që gjithmonë i ka në pajtim fjalën dhe aksionet, poeti simbolizon qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në të gjitha momentet e kohës. Kështu simboli i tij qëndror, Kepi i Shpresës së Mirë (Tito) del si një Parim i Shpresës dhe i realizimit real, siç do të mund ta shpejgonim me filozofinë e paraqitur në parimin e Shpresës të E.Blochut.
E këtillë, fytyra e Titos shfaqet edhe në letërsinë për fëmijë, e që do të mund të ishte objekt i një studimi të veçantë. Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve.
Në fund, me qëllim që të përforcoj edhe me përgjigjen lidhur me pyetjen që shtrova në fillim të kësaj paraqitjeje po shtoj edhe këtë se, mesazhi simbolik e artistik i poetëve dhe shkrimtarëve tanë në përgjithësi, është plotësisht adekuat me mesazhin e veprës së Titos, i cili sot gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, çfarë e gëzonte vetëm Lenini. Adekuatësia e këtij mesazhi, pos momenteve të tjera që i përmenda më sipër, ka të bëjë edhe me të njohurën teorike e historike se, poetët dhe revolucionarët e mëdhenj i lidhin vizionet dhe idealet më të thella për njeriun, pra bëhet bashkudhëtarë në rrugën e infinitumit për të mirën njerëzore. Këtë lidhje midis artistëve dhe revolucionarëve, në mënyrë më të natyrshme dhe të paimponuar, pra të dalë nga situata reale historike, e gjejmë në historinë më të re kur është fjalë për fytyrën e Leninit. Le t’i kujtojmë me këtë rast Majakovskin, Bllokun, Jeseninin e të tjerë. Të njëjtën lidhje, po ashtu të natyrshme dhe të fuqishme, e gjejmë kur e vështrojmë fytyrën e Titos në veprat artistike, e sidomos në ato poetike.
Në përfundim e sipër të theksojmë edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor.
Prishtinë, Dhjetor 1977
* * *
FAKSIMILET E STUDIMIT “SHKENCOR” TË IBRAHIM RUGOVËS
CILA ËSHTË FYTYRA E VËRTET E JOSIP BROZ TITOS PËR SHQIPTARËT
Ndërsa Josip Broz Tito, për Ibrahim Rugovën dhe elitën intelektuale titiste të cilës i takonte ai, ishte “simbol i së mirës, i heroit, realizues i plotë i lirisë”…, nuk mund të thuhet (në asnjë mënyrë) se ishte i tillë edhe për popullin e përvuajtur shqiptar, përkundrazi ai ishte përdhunues i lirisë dhe i dinjitetit tonë kombëtar.
Për të argumentuar këtë gjë, po i referohem disa fakteve historike:
Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar në Kosovë dhe në vise të tjera etnike (që mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze), u persekutua në format më mizore nga regjimi jugosllav i Titos.
Tito me shtabin e tij gjakatarë, nga viti 1944 e këndej, ka përndjekur, burgosur, vrarë e ekzekutuar mijëra shqiptarë, të cilët nuk u pajtuan me sundimin e Jugosllavisë së re të AVNOJ’it dhe si ideal patën bashkimin kombëtar.
Sipas të dhënave arkivore të atdhetarit Xheladin Hana (i cili më 15.12.1948 vritet mizorisht nga UDB’a famëkeqe), rezulton se deri në vitin 1947 OZN’a dhe forcat pushtuese ushtarake jugosllave të drejtuar nga J.B.Tito, kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqiptarë, prej të cilëve 36.000 në Rrafshin e Kosovës; 23.000 në Rrafshin e Dukagjinit dhe 27.000 të tjerë në trevat etnike shqiptare në Maqedoni. Gjatë kësaj periudhe janë kryer 220.000 bastisje në familjet shqiptare (duke i përfshirë këtu edhe bastisjet e përsëritura në të njëjtat familje); Pastaj mbi 200.000 shqiptarë kanë kaluar nëpër duartë e OZN’ës famkeqe si dhe janë zhvilluar tetë operacione me përmasa të gjera ushtarake të ndihmuar edhe nga OZN’a (më vonë UDB’a) dhe të gjitha këto operacione janë kryer, kundër shqiptarëve, por jo edhe ndaj serbëve, malazezëve apo maqedonasve.
Ishte Tito ai, që në shkurt 1953, në Split të Kroacisë, me ministrin e jashtëm turk Fuad Kyprili, nënshkroi “marrëveshjen gjentelmene” me anë të së cilës ripërtëriu konventën jugoslave – turke të vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi;
Ishte Tito ai, që për realizimin e kësaj marrëveshjeje antishqiptare ngarkoi ministrin e brendshëm federativ, famëkeqin Aleksandër Rankoviç, ku ky i fundit pastaj themeloi një shtab operativ të përbërë nga oficerë e udbashë të sprovuar kundër shqiptarëve; Dhe ky Shtab i Tito-Rankoviqit duke përdorur të gjitha strukturat shtetërore (në nivelë federativë, republikan e krahinor), në periudhën 1953-1966 i detyroi me dhunë të shpërngulen 452. 371 shqiptarë për në Turqi; Dhe kjo shpërngulje është bërë me këtë dinamikë:
Më 1952 —————————- 37.000 veta
Më 1953 —————————- 19.300 “
Më 1954 —————————- 17 500 “
Më 1955 —————————- 51.000 “
Më 1956 —————————- 54.000 “
Më 1957 —————————- 57.710 “
Më 1958 —————————- 41.300 “
Më 1959 —————————- 32.000 “
Më 1960 —————————- 27.980 “
Më 1961 —————————- 31.600 “
Më 1962 —————————- 15.910 “
Më 1963 —————————- 25.720 “
Më 1964 —————————- 21.530 “
Më 1965 —————————- 19.821 “…
Ndërkaq gjatë kësaj periudhe kohore me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga trojet etnike shqiptare në Mali të Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj.) për në SHBA, Kanada, Australi e vende të tjera tejoqeanike.
Shtabi famëkeq i Titos që bëri krime monstruoze ndaj shqiptarëve!
Shtabi i Tito-Rankoviqit ishte ai që në dimrin e acartë të vitit 1955/56 shpiku aksionin për mbledhjen e armëve, ku gjatë ekspeditave të policisë – UDB’së, në format më çnjerëzore i rrahu, u keqtrajtoi e i persekutoi mbi 30 mijë shqiptarë. Në këtë operacion kriminal shtetëror UDB’a i mbyti me torturë 103 shqiptarë, ndërsa 10 mijë të tjerë u gjymtuan për jetë. Dhe ky aksion famëkeq kishte nisur pikërisht nga fshatrat e trevës së Rugovës, atje ku kishte lindur dhe kaluar një pjesë të rinisë edhe vetë Ibrahim Rugova.
Josip Broz Tito – ky “simboli i së mirës” të Ibrahim Rugovës, ishte ai që në periudhën 1945-1966 burgosi e dënoi mbi 280 mijë atdhetarë shqiptarë, ndonëse burgosjet e shqiptarëve nuk u ndalën dot deri në vitin 1999. Dhe po t´i referohemi të dhënave policore jugosllave, del se vetëm gjatë viteve 1979-1991 qenë burgosur e keqtrajtuar rreth 900 mijë shqiptarë, prej tyre 750 mijë në Kosovë dhe 150 mijë të tjerë në Maqedoni, Mal të Zi, në Kosovën Lindore etj. … Për më tepër lexoni disa të dhëna: Ndjekjet, burgosjet dhe persekutimi i shqiptarëve nga regjimi i Titos, gjatë viteve 1948 – 1968 – http://pashtriku.beepworld.de/files/Histori/shpalime/sheradin_berisgha_ndjkejet_persekutimet_ne_kohenetitos_rankoviqit_2.05.08.htm
Kjo është fytyra e vërtetë e Josip Broz Titos, i këtij simboli “të së mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit” të presidentit “historik” Ibrahim Rugova.