fbpx
Lajme

“Biseda mes Zahir Pajazitit dhe Azem Sylës: Kur të vish në Kosovë, flasim për çfarë të duash”

Bedri Islami – ish kryetar i LPK-së shkruan:

Në këtë udhëtim ai ka qenë i shoqëruar nga Qerim Kelmendi / “Dema”.
Ai, në një intervistë të prillit 2007, tregon:

“Me Zahirin kemi shkuar në dhjetor 1996 në Shqipëri. Kishim punë. Unë, meqë isha ushtari i parë i UÇK-së që isha plagosur në aksion, isha edhe, si të thuash, i plagosuri i vetëm i përkdhelur, andej të tjerët, që më takonin, më respektonin. Zahiri kishte merakun tim, sepse isha i plagosur në tri pjesë të trupit dhe frikohej se nuk do të mund ta përballoj rrugën e gjatë. Bile, nga që fizikisht ishte i ndërtuar mirë, pra i fuqishëm, më thoshte se po të lanë fuqitë, të mbart në krahët e mi. Unë, të them të drejtën, nuk isha aq i plagosur sa ta humbja besimin në fizikun tim. Në rrugë për në Shqipëri, deri në Gjakovë na dërguan Hakif Zejnullahu, llir Konushevci dhe Shaip Haziri, ndërsa tek një urë në Gjakovë kishte dalë e na priste Astriti, djali i “Plakut të Shishmanit”, që ishte pjesëtar i UÇK-së, i organizuar në linjën e Zahirit. Nga shtëpia e Shishmanit, për në drejtim të bjeshkëve të Shqipërisë na ka përcjellë “Plaku i Shishmanit”, pra Xhemë Jakupi, së bashku me Gazmend Imerin / “Bardheci”, nga fshati Ponashec i Gjakovës, i cili, më vonë, është zënë nga forcat serbe dhe është ekzekutuar në masakrën e burgut të Dubravës. Pasi i kemi kaluar malet e Shishmanit të Bokës, pastaj Livadhet e Bokës, kemi marrë drejtimin e Shkëmbit të Sertë (Këtë emër ia pata vënë unë).

Aty kemi hëngër bukën e Bacës Xhemë, e pastaj Baca Xhemë na ka udhëzuar majat kah të orientohemi, dhe, kur ta arrijmë kufirin, na ka rrëfyer drejtimin e përafërt, nga duhet të shkojmë. Mu në mes të kufirit, në një diferencë prej 25 metrash kishte qenë një shkëmb i ndarë në dy pjesë, aty jemi ulur e kemi bërë muhabet të gjatë mes vedi(…) Në Shqipëri stacioni ynë i fundit ishte Tirana. Në Tiranë gjetëm Adrianin, por meqenëse shoqja e tij udhëtonte të nesërmen për në Kosovë, ai këshilloi që shoqja e tij mos ta kuptojë se ne ishim në Shqipëri, sepse, pa dashje, mund të fliste me njeri, duke mos i ditur punët tona. Ashtu bëmë. Atë natë ne shkuam tek një mik i Zahirit, që dikur, në kohën e Shqipërisë socialiste, kishte qenë komandant i kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Natyra e ilegalitetit nuk ma dha të drejtën të pyes Zahirin, aty për aty, se çfarë lidhje ka me këtë mik. Në ditët në vijim, unë vazhdova të bëj konak tek banesa e Adrianit, në rrugën e Elbasanit, ndërsa Zahiri, për të mos u kuptuar se jemi bashkë dhe shokë, nuk ishte dakord të banonte me ne, sepse edhe në Tiranë e respektonte konspiracionin. Ai shkoi të banonte tek një bashkëfshatar, Nazmi Zhuka, që ishte i të njëjtit katund me Zahirin, pra i Turiqefcit. Në Tiranë unë shkova të vizitohem tek mjekët.

Aty më afroi ndihmë Shaip Muja, por meqë e kisha një mik të familjes, ndoqa rrugën tjetër. Pas dy-tre ditësh erdhën të më takonin dy vëllezër, Dauti dhe vëllai tjetër, i njohur më shumë në opinion, për shkak të aktivitetit të tij shumëvjeçar, Ibrahim Kelmendi. Vizita e vëllait të parë, pra Dautit, ishte familjare, ndërsa e vëllait të dytë, ishte më shumë vizitë për të ndihmuar me njohjet e tij mjekimin tim, pasi atëherë, në Tiranë nuk ndjeheshim të sigurt…. Në Tiranë, Zahiri kishte takim me Ismet Abdullahun, ky ishte takim pune, ndërsa me të tjerët kishte takime rutinore, si miku me mik e shoku me shok. Para se të shkonim në Shqipëri, Sokol Bashota / “Mustafa”, më kishte propozuar dhe lutur që “lsmetin”(Zahir Pajazitin) ta takoja me një shok, që do të lajmërohej tek unë si “Petriti”. Ky ishte Azem Syla. Meqenëse nuk njiheshin, Zahiri hezitoi ta takonte.

U takova dy-tri herë me Azem Sylën dhe i them se shoku që ka ardhë, nuk ju njeh dhe, meqë nuk njiheni, nuk po pranon të takoheni. Azemi më tha që të krijohet mundësia e një takimi dhe i premtova se do te bëja çmos, megjithëse, thënë të drejtën, deri atëherë, nuk dija gjë për Azemin, veçse se është i afërt i Gani Sylës, që dikur ishte udhëheqës i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Zahiri pranoi, por kërkoi që mundësisht takimi të bëhej tek “Lokal Piaca”, pas Muzeut Historik. Azemi erdhi më herët me Shaip Mujën, apo ishte Shaipi aty më heret, nuk më kujtohet. Pas pak erdhi Zahiri dhe i tregova se ky ishte “Petriti”që donte të takohej”.

Dialogu mes Azem Sylës dhe Zahir Pajaziti, ashtu si e sjell Qerim Kelmendi, dhe që nuk mund ta saktësojmë, më shumë se gjithçka tjetër i ngjan një dialogu ireal, krejtësisht i pakuptueshëm sot, por, si duket, në kushtet e një ilegaliteti të thellë, kur dy njerëz në strukturat e larta të UÇK-së nuk dinin njëri për tjetrin, ose më saktësisht, vetëm njëri dinte për tjetrin, ishte, në mos i zakonshëm, të paktën në kufijtë e kësaj. Nuk mund të garantoj për autenticitetin e bisedës, ashtu si e sjell Qerim Kelmendi. Unë po e risjell në atë formë që e ka risjellë ai.

Zahiri: Të falënderoj përkërkesën për takim, mirëpo, meqë nuk njihemi, është e drejtë me pyet se, kush jeni ju dhe cili është qëllimi që keni kërkuar takim me mue.

Azemi: Jam një shok i juaji, që aktualisht jetoj në Zvicër dhe që ua don të mirën. Zahiri: Të falëminderit që na e do të mirën, mirëpo mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme dhe çfarë rëndësie ka për t’u takuar.

Azemi: Unë kam dëgjuar për ty, kam dëgjuar shumë, e di se je trim e shkuar trimit, dhe dështa me folë, se si ka mundësi, që këtë përvojë tënden, ta mbartësh edhe në pjesë të tjera të Kosovës?

Zahiri: Nuk po të kuptoj se për çfarë e ke fjalën, nuk po të kuptoj…

Azemi: Shokët nga brenda më kanë njoftuar për trimëritë tuaja dhe mendova se është mirë të flasim, të njihemi dhe…

Zahiri: Unë or mik, nuk po të njoh, mirëpo mendoj se për këto punë, më mirë se kudo, flitet në Kosovë. Kur të vish në Kosovë, edhe flasim për çfarë të duash. Atje bëhen edhe takimet, e këtu në Shqipëri, jemi turistë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close