Biznesi i madh dhe tenderi i dyshimtë ku përmendet Bekim Jashari
Hulumtim nga Insajderi 2017:
Biznesi i madh dhe tenderi i dyshimtë
Si shumë njerëz të tjerë me ndikim, edhe Bekim Jashari i hyri tregut financiarisht të leverdishëm të ndërtimit të lartë. Ai është aksionar në kompaninë “Premium Group”, e cila po ndërton një kompleks të madh banesor në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Investimet në këtë kompleks banesor shumëkatësh janë disa milionëshe.
Pjesë e kësaj kompanie janë edhe gjashtë ortakë tjerë, përfshirë edhe nipin e tij, Bahri Nuredinin. Bazuar në deklarimet e pasurisë Bekim Jashari ka 50 përqind të aksioneve në këtë kompani, ndërsa Nuredini ka vetëm pesë përqind. Aksionarë tjerë që kanë hise në 45 pëqindëshin e mbetur janë Besim Demaj, Xhafer Demaj, Bashkim Jashari, Fazli Jashari dhe kompania “N.N. 100 % Design”. Person i autorizuar i kompanisë është Hajrullah Lushtaku.
Ndërkaq, pronar i kompanisë private “N.N. 100 % Design”, është Avni Jashari. Biznesmeni Avni Jashari, përkundër që ka ortakëri me Bahri Nuredinin e Bekim Jasharin, ka arritur të përfitojë tender publik nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror.
Qeveria e ka shuar si ndërmarrje publike “Aeroporti-Kontrolli i Trafikut Ajror”, dhe e ka shndërruar në agjenci qeveritare me emrin “Agjencia e Shërbimi të Navigacionit Ajror”. Ajo nuk ka bord drejtues por i jep përgjegjësi drejtpërdrejt Ministrisë së Infrastrukturës. Kryeshef i Agjencisë është ortaku i Avni Jasharit, Bahri Nuredini, nipi i Bekim Jasharit.
Kohavisioni raportoi në mars të këtij për parregullsi në tenderët e kësaj agjencie qeveritare. KTV-ja kishte siguruar draftin e raportit të auditimit të kësaj agjencie, që është bërë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Auditori kishte gjetur se prokurimi për ndarjen fizike të sallës nuk ishte përfshirë fare në planin vjetor dhe as nuk ishte njoftuar Agjencia Qendrore e Prokurimit për këtë aktivitet.
Fitues i këtij tenderi ishte kompania e Avni Jasharit, i cili është ortak me Bahri Nuredinin e Bekim Jasharin në kompleksin banesor të ndërtuar nga Premium Group. Kjo përbën situatë të konfliktit të interesit pasi që kompania e biznesmeni Lushtaku përfiton tender nga Agjencia qeveritare e udhëhequr nga ortaku i tij në biznes privat.
Ky tender përbën njërin nga shumë veprimet e dyshimta të kandidatit të pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jasharit. Veprimet e tij përfshijnë nepotizëm e krijim të biznesit disa milionësh.
Kompleksi banesor që synon ta ngre Bekim Jashari me shokë