Blerta Deliu e denoncon Agim Bahtirin për “trenin bullgar”
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencën për media në kuadër të balotazhit, ku kanë akuzuar AKR-në dhe kandidatin e saj, Agim Bahtirin, për manipulime me vota në komunën e Mitrovicës.
Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, para gazetarëve të mbledhur në selinë qendrore të kësaj partie, ka thënë se sikurse edhe në orët e para të mëngjesit, procesi zgjedhor po vijon kryesisht në mënyrë të rregullt dhe të qetë.
Megjithatë, siç tha ajo, fatkeqësisht procesin demokratik zgjedhor po e kërcënojnë dhe rrezikojnë njerëz të dyshimtë të kryetarit në largim Agim Bahtirit në Mitrovicë, duke tentuar që sërish ta aplikojnë të ashtuquajturin “trenin bullgar” për vjedhje të votave.
“Është raportuar për arrestimin e një personi, në Zhabar të Poshtëm të Mitrovicës, i cili është zënë jashtë vendvotimit me një fletëvotim të mbushur për AKR-në. I ftojmë organet e rendit dhe ligjit që të jenë në krye të detyrës dhe askund të mos lejojnë cenimin e procesit demokratik zgjedhor, pas veprimeve të ulëta të njerëzve të Agim Bahtirit, të cilët po e prishin procesin duke e aplikuar për të satën herë “trenin bullgar”, ka thënë Deliu-Kodra.
Në emër të PDK-së, ajo ka ftuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës të mos bien pre e provokimeve të tilla të ndyta dhe, siç tha ajo, të votojnë sipas vullnetit të tyre për ta ndryshuar Mitrovicën nga gjendja e stagnimit.
Ajo tha se çdo votë është jetike për fatin e të gjitha komunave dhe për një jetë më të mirë për qytetarët tanë.
“Ftojmë të gjithë qytetarët në të gjitha lokalitetet anekënd Kosovës të vazhdojnë të dalin masivisht në vendvotime, të dalin në numër së më të madh, që me verdiktin e tyre t’ua mundësojnë komunave të tyre një të ardhme të ndritshme, duke kontribuar kështu edhe për rritjen e mirëqenies së tyre”, ka shtuar Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra ka ftuar qytetarët e Prizrenit, Mitrovicës, Ferizajt, Vushtrrisë, Rahovecit, Malishevës, Klinës, Shtimes, Dragashit e Kaçanikut që të marrin të gjithë familjarët dhe miqtë e tyre për të votuar.
“Fati i komunave tuaja për katër vjetët e ardhshëm është vetëm dhe vetëm në duart tuaja. Prandaj, ndani pesë minuta për të votuar, për ta vendosur vetë fatin tuaj dhe të komunave tuaja”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve.