Bllokada ku mund të futet shteti nëse VV refuzon të propozojë emrin për kryekuvendar
Derisa Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK ende nuk po gjejnë pajtim për arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 6 tetorit, në opinion publik diskutohen situata të ndryshme hipotetike se çfarë mund të ndodh në rast se në seancën konstituive të 24 dhjetorit shkohet pa ndonjë marrëveshje politike.
Lëvizja e parë e cila zhbllokon rrugën për krijimin e institucioneve të reja është zgjedhja e kryetarit dhe konstituimi i Kuvendit.
Por çfarë mund të ndodh nëse Lëvizja Vetëvendosje në seancën e 24 dhjetorit shkon pa një marrëveshje politike me LDK’në dhe refuzon të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit dhe a mund t’i jepet e drejta ndonjë grupimi tjetër brenda Kuvendit e drejta për propozimin e emrit për kryetar të Kuvendit.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e qartëson një gjë të tillë mjaft mirë. Sipas tij vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe askush tjetër.
“Me këtë Kushtetutë e kë kështu, dhe nuk mund t’ia marr kurrkush të drejtën”, ka thënë Hasani në Pressing të T7.
Ai thotë se nga një situatë e tillë mund të dilet vetëm me vendime arbitrare që nuk gjejnë mbështetje në Kushtetutë.
Tutje Hasani ka thënë se në rast se VV hipotetikisht refuzon të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit, atëherë për një situatë të tillë nuk mund të kërkojë askush interpretim nga Gjykata Kushtetuese për të dalë nga një ngërç eventual.
Bazuar në një situatë të tillë, vendi nuk mund të shkojë në asnjë formë në zgjedhje të reja pa u konstituar Kuvendi i Republikës së Kosovës. Praktikisht nuk ka ndonjë shtegdalje nga një situatë e tillë dhe hipotetikisht vendi mund të mbetet në bllokadë./GazetaExpress/