fbpx
Lajme

Buzhala: Hebrenjtë do të vazhdojnë të jetojnë për t’u mbrojtur, palestinezët për t’u hakmarrë

“Team Palestina” thotë se ne jemi si palestinezët, kurse “Team Izraeli” thotë se ne jemi si hebrenjët. Kush ka të drejtë?

Berat Buzhala

Do të ishte çmenduri, nëse ngjarjet që po zhvillohen në Lindje të Mesme, mes hebrenjve dhe arabëve, t’i lexojmë vetëm si lajme nga bota. Pamje të tilla kemi parë në të kaluarën në vendin tonë, por, ç’është edhe më e frikshme, mund t’i shohim edhe në të ardhmen. Qysh thonë: I mençuri mëson nga gabimet e të tjerëve, budallai nga të vetat.

Kjo që po ndodh sot në Izrael dhe Gazë do të duhej të ishte një mundësi e tillë për ne, pa marrë parasysh nëse ne e shohim veten në lëkurën e palestinezëve a të hebrenjve. Kushdo që mendon që njëra palë atje po fiton e tjetra po humb, e ka gabim. Të dyja palët po i numërojnë të vdekurit. Dikush ka më shumë të vdekur e dikush më pak. Dikush ka më shumë fëmijë të vrarë e dikush më pak. Megjithatë, të dyja palët kanë. Të dyja palët po jetojnë me frikë. Të dyja palët po jetojnë nën ethet e alarmeve që lëshohen për të treguar se po vijnë raketat. Të dyja palët po jetojnë në bunkerë, dhe jini të sigurt për një gjë: edhe kur të përfundojë ky luftë e përgjakshme, prapë do të ketë atje edhe palestinezë e edhe hebrenj. Të gjallët do t’i varrosin të vdekurit dhe do të vazhdojnë të jetojnë për të vuajtur deri në luftën e radhës.

Ky shkrim nuk po shkruhet për të marrë anë. Ky shkrim po shkruhet për të treguar se në disa dekadat e fundit, asnjë luftë nuk është mbyllur me fitore të plotë të njërës anë dhe me humbje të plotë të anës tjetër. Statistikisht, gjithmonë njëra palë ka më shumë të vdekur, gjithmonë njëra palë fiton një betejë, por pala tjetër prapë do të ngrihet në këmbë dhe do të sulmojë. Sa më shumë humbje, aq më i madh motivi për t’u hakmarrë. Fëmija i palestinezit të vrarë do të jetojë për t’u hakmarrë për babanë, kurse hakmarrja nuk do të jetë në përputhje me ligjet e luftës. Hebrenjtë, nga ana tjetër, do të vazhdojnë të jetojnë për t’u mbrojtur. Për ta përsosur “Iron Dome”-in. Për ta bërë atë të padepërtueshëm nga sulmet e Hamasit. Për t’i forcuar edhe më tutje barrierat me tela gjemborë.

Në anën tjetër, të dyja palët refuzojnë në mënyrë idiotike një rrugë tjetër që atyre do t’u kursente mijëra jetë e miliarda dollarë. Ç’është me rëndësi: të gjallëve do t’u mundësonte jetë më cilësore. Kjo është rruga e dialogut dhe e marrëveshjeve. Që nga fillimi i viteve të 90’a, kjo mundësi është shpërdoruar disa herë. Ironia më e madhe është se marrëveshjet nuk janë bërë me arsyetimin se ato janë të dëmshme për palët, se atyre do t’u binte më keq.

Më keq?

A do t’u binte palestinezëve më keq sesa kaq? Sesa 500 veta të vrarë nga një goditje në spital? A do t’u binte më keq sesa detyrimi për t’u zhvendosur 1 milion njerëz për tri ditë, nga njëra pjesë e Gazës në pjesën tjetër? A do t’u binte më keq sesa të kenë 70 mijë gra shtatzëna në kulmin e luftës duke jetuar dhe lindur nëpër kanale nëntokësore?

Po hebrenjve?

Ata kishin premtuar që do të jetonin të sigurt dhe në mirëqënie, pa e marrë parasysh raportin që do ta ndërtonin me palestinezët. Kishin lënë të kuptohej që shërbimi i tyre i inteligjencës ishte aq i sofistikuar, saqë asnjë mizë nuk do të mund të kalonte brenda territorit të Izraelit pa e ditur ata. Në fakt, kaluan qindra terroristë, vranë mijëra civilë të pafajshëm, kurse shërbimi inteligjent dhe ushtria izraelite nuk ishin askund për t’u ardhur atyre në ndihmë.

Pra, edhe marrëveshja më e keqe, e arritur në vitet e 90’a në Oslo a në Uashington në vitin 2000, nuk do të mund të ishte as përafërsisht më e dëmshme sesa ajo që po ndodh vetëm gjatë këtyre dhjetë ditëve në këto territore. Izraeli është në gjendje që ta sabotojë secilën marrëveshje paqësore, vetëm për të ndërtuar edhe një koloni diku në hapësirën ku jetojnë palestinezët, kurse palestinezët janë në gjendje të jetojnë me dekada në mjerim të skajshëm, duke u zotuar që do ta shkatërrojnë shtetin hebre – ndonjëherë.

Këto dy shkolla të mendimit nuk na duhen neve në shtetin tonë, pa marrë parasysh sa jokonvencional e kemi kundërshtarin. Logjika “ma heq mua njërin sy, vetëm armikut hiqja të dytë” nuk na çon shumë larg. Arsyetimet se “po angazhohemi për gjeneratat e ardhshme” janë thjesht manipulime të politikanëve. Edhe ne jemi “gjenerata e ardhshme” e një gjenerate para nesh. Edhe ne, që jetojmë sot, kemi të drejtë të kërkojmë për të bërë një jetë cilësore, po aq sa edhe ata që do të vijnë pas nesh. Kemi të drejtë të jetojmë për të udhëtuar pa viza dhe të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO.

Asnjë marrëveshje e pranuar të shtunën, kur në Kosovë do të vijë një pesëshe e shteteve të fuqishme, nuk mund të jetë më e keqe sesa izolimi dhe sanksionet, që do të pasohet nga ikja e mijëra të rinjve dhe te rejave.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close