fbpx
Lajme

ÇFARË SHKRUAN PAPATHANASIOU: Grekët, nuk i durokan mitet! As origjinën e Irini Lelekut…

Në parantezë, në librin e tij të kujtimeve “Shkëlqim dhe tmerr”, Bekim Fehmiu e ka përshkruar hollësisht, takimin me Penelopën – Irena Papas, teksa do të ishin partnerë. Një grua me bukuri dhe personalitet të jashtëzakonshëm, sharmante sa edhe kokëfortë. Të dy, do të binin në gjurmët e origjinës falë një kënge në gjuhën shqipe… Shqiptari tjetër i famshëm, mes të tjerash mbresa të pashlyeshme, do ta kujtonte gjithmonë kështu Irinin: 

“Duke u përpjekur që ta bënim me humor, e çuam në restorant. E këndova një këngë. E pranoi dhe vazhdoi të këndonte në greqisht. Në të njëjtin çast e pyesim njëri-tjetrin:

-“Nga e di ti këtë”?

– Kjo është një këngë dashurie shqiptare.

– Jo, kjo është një këngë greke nga Janina – thotë Irena. – Atje jetojnë arvanitasit – Shqiptarët, apo jo? Duke vazhduar këngën, nga çanta nxjerr pasaportën dhe thotë: – Lexo. Irini Leleku (mbiemri i saj në shqip, do të thotë lejlek).

– E flet shqipen? – pyes.

– Jo, por jam me prejardhje shqiptare – tha Irena.

– Paj, ti do të mund të ishe mbretëresha fantastike ilire, Teuta.”

“Odet” për kombin dhe “shqiptarja” Irini Pappas 

Nga: Dimitris Christopoulos

Kur isha dhjetë vjeç, im atë më bleu diskun “Odet” të Vangelis Papathanasiou.

E dëgjonim vazhdimisht në shtëpi. Ishte një përpjekje për të interpretuar nëpërmjet tingullit elektronik këngët popullore greke. Ky disk, në periudhën që qarkulloi (1979), kontribuoi në normalizimin dhe pranimin e këngës së Rumelisë dhe Peloponezit, sidomos të klarinetës, e cila në perceptimin e shumë grekëve ishte shndërruar në sinonim të muzikës së juntës ushtarake. Në të njëjtën kohë rijetëzoi një zhanër muzikor që ishte përkufizimi i së vjetrës.

Fotoja sugjestive e Irini Pappasit në kopertinën e diskut dhe zëri i rreptë i saj, nëpërmjet të cilit interpretonte këngët popullore nën tingullin futuristik të Vangelisit, i jepte tjetër përmasë kulturës popullore greke. E modernizonte dhe bënte që njerëzit, të cilët më parë ishin indiferentë për interpretimet origjinale të këngëve, t’i shijonin ato tashmë me një dimension tjetër.

Pappas, me bukurinë e saj të papërsëritshme, me interpretimin e saj muzikor, kinematografik dhe teatral kreu një funksion shumë thelbësor për shndërrimin e “grekes” në “universale”. Ajo ishte një ndër të paktat artiste greke, universale. Në të njëjtin nivel me Melina Mercouri, greken tjetër me famë botërore. Pappas dorike, Melina ndoshta pompoze. Megjithatë, të dyja, secila në mënyrën e vetë i shërbyen, pritshmërisë universale të helenizmit.

U informova nga miqtë e mi në Shqipëri, se pas vdekjes së Irini Pappasit, disa media shqiptare vajtuan vdekjen e një shqiptareje. Dhe, kështu mësova se në Shqipëri, ekziston bindja se Irini Pappas ka deklaruar se është shqiptare, në kohën kur bashkë me aktorin e famshëm kosovar, Bekim Fehmiu (ndër aktorët më të njohur të Jugosllavisë) ishin protagonistë në serialin italian “Odisea”. Fehmiu ishte Odisea, kurse Pappas, Penelopa.

Thuhet se Penelopa dhe Odisea (Pappas dhe Fehmiu), gjatë xhirimeve të filmit flisnin shqip ndërmjet tyre. Megjithëse kërkova, nuk gjeta askund vërtetim të këtij lajmi.

Megjithatë, gjeta artikuj në mediet e vendit fqinj, që shkruan për vdekjen e saj dhe bënë fjalë për vdekjen e “aktores shqiptare”. Le të supozojmë për një moment, se Irini Pappas ishte arvanitase, siç ishte Melina Mercouri, meqë e përmendëm më sipër. Mjafton kjo, për të justifikuar një lloj zije të veçantë shqiptare për vdekjen e saj?

Do jap disa shembuj nga Evropa Veriore, në mënyrë që të kuptohemi. Familja Eisenhower, në mes të shekullit XVIII u zhvendos nga një qytezë gjermane e Rinit, drejt Amerikës. Dy shekuj më vonë, në vitin 1943, pasardhësi i zgjedhur i kësaj familjeje, Dwight Eisenhower, u emërua komandant suprem i forcave aleate gjatë zbarkimit në Normandi, pozicion në të cilin qëndroi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke u ngritur në gradën e komandantit të përgjithshëm. Origjina e tij – jo edhe aq e largët – gjermane, nuk e pengoi aspak Eisenhowerin, të shkatërrojë trupat e Hitlerit, ngjarje që përbën edhe startin rrugëtimit që disa vite më vonë, e çoi në presidencën e Shteteve të Bashkuara.

Do të ishte një naivitet i madh të mendohet që gjenerali Eisenhower ndjente se i përkiste kombit gjerman meqë, siç sugjeron mbiemri i tij gjermanik, stërgjyshi i tij gjermanofon protestant i la brigjet e Rinit, me destinacion Kanzasin. Në fund të fundit, ai vetë, fituesi i luftës, duke folur në Londër në dhjetor 1945, deklaroi me krenari: “I come from the very heart of America”.

Çështja është çfarë dëshiron dhe si ndihet secili dhe secila dhe jo se nga erdhën paraardhësit e tij gjatë shekullit XV. Ku qëndron “zemra” e tij dhe jo “gjaku” i tij. Nuk ekziston gjaku grek, apo shqiptar. Ekziston shpirti. Eisenhower ishte amerikan. Dhe çfarë amerikani! E thënë ndryshe, rëndësi ka komponenti i vullnetit, pavarësisht nëse bazohet në një origjinë, gjuhë, fe, kulturë ose jo.

Nëse nuk ndjekim këtë kriter, atëherë jemi të dënuar të jetojmë në iluzione të përhershme: të zbulojmë shqiptarë në vend të arvanitasve në Mesogia të Atikës, gjermanë në Kanzas në vend të amerikanëve, francezë në Montreal dhe jo kanadezë, hollandezë në Amvers, portugezë në Rio, italianë në Buenos Aires, bullgarë në Shkup në vend të maqedonasve etj. Dhe, sigurisht nuk do të mundnim kurrë të kuptonim ngjarje të tilla historike, si lufta amerikane për pavarësi, meqë “gjaku” i të gjithëve ishte anglez. Shembujt janë të panumërt. Dhe, kuptohet që në këtë mënyrë nuk do të arrijmë të gjejmë askund amerikanë, zviceranë, belgë, ukrainas, pasi të gjithë do t’i konsiderojmë “krijime”. Kjo është ajo që Putini po u bën ukrainasve. Thotë se ata nuk ekzistojnë si komb dhe se janë rusë.

Nga ana tjetër, të gjitha kombet e sidomos ato më të vegjlit dhe “të eturit” për sukses, e ndjejnë fort nevojën për të zbuluar fëmijët e tyre kudo dhe gjithmonë në botë. Kur ata madje, besojnë se janë edhe më të lashtët në botë, siç ndodh me kombin grek, por edhe me atë shqiptar, atëherë përpjekja për të përvetësuar kolektivisht sukseset individuale të artistëve, sportistëve, apo të ndonjë njeriu tjetër të famshëm pushon së qeni, thjesht një lapsus historik. Është patetike. Gregory Peck ishte gjysmëgrek, thonë: Grigoris Peckios, me një prejardhje të humbur midis Greqisë dhe Irlandës, në shekullin XVIII. Castro nuk është kubanez, por spanjoll. Familja Kennedy, nuk është amerikane, por irlandeze. Ish-Presidentja braziliane Dilma Rousseff, nuk është braziliane, por bullgare dhe lista nuk përfundon kurrë.

Dhe për ta mbyllur, le të themi që Irini Pappas, nuk ishte as arvanitase. Fshati i saj, Hiliomodi në Korint, si dhe Agionori, nga erdhën banorët e Hiliomodit, nuk flisnin dialektin arvanitas për të paktën 150 vitet e fundit, ndryshe nga shumica e fshatrave në rajonin e tyre. Ata flisnin një dialekt të vjetër grek të Peloponezit, një fakt që ndoshta sugjeron një gjuhë shumë të vjetër greke. Siç kanë vënë në dukje studiuesit e arvanitasve dhe ekspertët e shkëlqyer të kësaj çështjeje, si Leonidas Empirikos dhe Lambros Baltsiotis, kemi të bëjmë me një “pykë” greqishtfolëse midis dy rajoneve të mëdha shqipfolëse.

Megjithatë, edhe sikur të ishte, nuk do ndryshonin shumë nga ato që shkrova me sipër. E thënë ndryshe, i duam mitet, por më shumë duam të vërtetën.

Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Politike, pranë “Panteion University”, Athinë, Greqi – Telegrafi

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close