fbpx
Lajme

Gazetari turk: Skënderbeu, “tradhtari” që shpëtoi qytetërimin perëndimor dhe atë të lindjes

Nga Ahmet Dursun*

‘’Ti mund ta dish nëse fëmija që ke në bark është djalë, apo vajzë, por Zoti e di se ç’do bëhet me të deri në fund të jetës së tij/saj!”

Ky është përfundimi që nxjerr prej një pjesë të sures “Fatiha”, me të cilën hapet Kurani, dhe të lë të lirë që t’i bësh me dhjetëra interpretime, sipas kushteve në të cilat ndodhesh…

Sharlatani ciceron i cili mbahet si historian dhe akademik në Turqi, duke refuzuar të thotë suren “Fatiha” në tokën ku prehet Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bëri një të mirë të madhe: Nuk e ndyu Kuranin, para njeriut që e shpëtoi po me aq besim edhe qytetërimin e pastër islam…

Të dashur miq,

Kam një përparësi para historianëve klasikë, sepse ua di gjendjen e urisë, pritjes, servirjes, ngrënies dhe ngopjes së parive që kanë drejtuar perandoritë më në zë të kohës. Për mua, historia mund të shkruhet drejt vetëm në saj të ritualeve, pasi ngjarjet sporadike pjellin veçse rastësi.

Në vitin 2002 pas hulumtimeve, udhëtimeve dhe dëshirës së madhe, nxora për herë të parë kulinarinë otomane jashtë kufijve të Turqisë. Qëllimi im ishte që kryeqyteti, pra Tirana, të ofronte një shije e cila kish bashkuar me dhjetëra kultura deri sa kish përfunduar në sofrën e sulltanëve dhe shumë prej jush e mbani mend se me çfarë fryme dhe sa të zhveshur nga rryma e “thellësisë strategjike të neo-otomanizmit” e trajtova këtë pasuri. (Për t’u ardhur në ndihmë përkthyesve dhe atyre që kanë pranë, nëse i kanë dëgjuar ndonjëherë këto emra të pjatave otomane: sefercelliyye, mutancene, salma asi, merserem, tuffahiyye, cessidiyye…)

Turqit për rreth 500 vite bënë udhëtimin më mbresëlënës në histori. Të detyruar nga sulmet mongole, në kushtet e një varfërie ekstreme dhe më pas me dëshirën për t’u zhvendosur sa më në perëndim, realizuan ëndrrën e tyre vetëm pas pushtimit të Stambollit…

Mehmeti II, një strateg i jashtëzakonshëm, shkencëtar, dijetar dhe më mendjehapur sesa mbretërit e asaj kohe të perëndimit, gjatë plaçkitjes legjitime tre ditore të Stambollit dha urdhër të mos digjet asnjë libër, dhe të spostohet kisha armene nga qyteti i Bursës në Stamboll… por nuk mund të ishte aq i fuqishëm, sa për të frenuar euforinë kolektive të perandorisë së sapokrijuar (u helmua 49 vjeç nga biri i tij).

Kulinaria zbulon jo vetëm mjedisin në kohën që Skënderbeu ishte në Portën e Lartë, por edhe frymën euforike që zotëronte mbi ushtarakët, ushtarët e këdo veçse për toka të reja. Egërsia e shfaqur me ushqime gjatë ceremonive të organizuara ku merrnin pjesë jeniçerët, tregonte qartë që kjo perandori do të synonte një zgjerim për në perëndim, por tashmë jo të studiuar si në rastin e Stambollit, por thjesht pa asnjë objektiv të qartë.

Pikërisht këtu del “tradhtari” Skënderbe, jo vetëm si një ushtarak i zoti, por me një diplomaci prej filozofi, u vendos në krye të një lëvizjeje për ta mbrojtur vendin nga ky sulm i çoroditur. Rezistenca e tij qartësisht tregon se sa mirë e ka njohur perëndimin, por edhe lindjen, dhe sa shumë i ka vlerësuar këto kultura që të mos hyjnë në një luftë direkte, e cila si fillim do të mund të shkatërronte perëndimin, por disa dekada më vonë një sulm i ngjashëm me ato të kryqëzatave mund t’i nxirrte turqit sërish nga Stambolli…

Sot Skënderbeu në perëndim vlerësohet si njeriu që pengoi këtë shkatërrim, ndërsa në Turqi ende po shihet si një tradhtar. Kjo sepse historianët e mirëfilltë nuk pranojnë të notojnë në “thellësi” strategjike, aq më tepër kur kanë përballë një cektësi të tillë dhe rrinë të mbyllur në katedra, apo në shtëpi…

Nëse nuk do të ishte Skënderbeu, sot në Stamboll ndoshta nuk do të festohej Bajrami, as kadaif, as bakllava dhe as imam bajalldi nuk do të gatuhej, por çdo menu do të fillonte me jahni prifti….

Prandaj Skënderbeu duhet të shikohet si njeriu që me “tradhtinë” e tij, shpëtoi si qytetërimin perëndimor dhe atë të lindjes, evitoi gjakderdhjet dhe e bëri Ballkanin vendin më me ngjyra të botës.

Sot, shumë shesheve të Turqisë duhet t’i vihet emri i tij, një universiteti, një xhamie dhe patjetër një urë që lidh Azinë me Evropën duhet të ketë emrin e tij…

Turqia a do ta bëjë një gjë të tillë?

Nëse vërtet e do Evropën, duhet!

E nëse do t’i mbajë ende për kallauzë kësi lloj sharlatanësh, edhe Ballkani do t’i shfaqet veçse në ëndrra…

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close