Dalin dokumentet sekrete: BE për njërën nga ministret e Qeverisë Kurti: “je duke e shkatërruar ministrinë”
Hykmete Bajrami tash e tutje do të jetë ministrja e Arsimit në qeverinë e Albin Kurtit. Ajo në të kaluarën ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë në koalicion me PDK-në. Atë kohë ministrja kishte shkaktuar skandale të mëdha, aq sa e kishte detyruar shefin e atëhershëm të zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të reagonte me anë të një letre.
Hykmete Bajrami, ka dhënë të hënën betimin si ministre e Arsimit në kuadër të kabinetit të udhëhequr nga Albin Kurti.
Koalicionit i është dhënë epiteti nga drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes si “koalicioni i shpresës”.
Por, Bajrami e cila në të kaluarën ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë në koalicion me PDK-në, kishte shkaktuar skandale të mëdha, aq sa e kishte detyruar shefin e atëhershëm të zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të reagonte me anë të një letre.
Zhbogar, i kishte thënë Bajramit se po e rrënonte ministrinë.
Ai në këtë letër që mbante datën 6 korrik 2015, kishte drejtuar një seri kritikash për ndryshimet që ajo kishte bërë në administratën e Ministrisë së Tregtisë në sektorin e resurseve njerëzore, duke i larguar nga puna njerëzit profesionistë me performancë të shkëlqyeshme.
Ish-shefi i BE-së në këtë letër i kishte shprehur ish-ministres së Tregëtisë shqetësimin e thellë të BE-së për këto ndryshime, përmes të cilave, sipas tij, Bajrami tashi ministre e arsimit i kishte tejkaluar standardet dhe principet më të rëndësishme të BE-së për sa i përket administratës publike, duke paralajmëruar se kështu do ta rrënojë Ministrinë.
“Jam informuar së fundmi me një numër ndryshimesh në sektorin e resurseve njerëzore dhe në administratë brenda ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me theks të veçantë zëvendësime të shërbyesve të caktuar civilë brenda administratës suaj. Dua që seriozisht të shpreh zhgënjimin për një tejkalim të këtillë të standardeve dhe principeve më të rëndësishme të BE’së për administratën publike”, thuhej në letër.
Ai ia kishte bërë të qartë Bajramit, se me këto veprime të saj “ka rrezikuar edhe mbarëvajtjen e procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe proceset e tjera të integrimeve europiane në të cilat gjendet Kosova”.
“BE=ja është jashtëzakonisht e shqetësuar për këtë rrjedhë të ngjarjeve e cila jo vetëm që vë në pikëpyetje aftësinë e MTI’së për qëndrueshmërinë dhe implementimin e projekteve për të cilat jemi dakorduar, por gjithashtu vë në pikëpyetje hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, dua të theksoj se stafi profesional civil, i cili nuk është i ndikuar nga ndryshimet periodike politike është shtylla e zhvillimit, vazhdimësisë së reformave dhe implementimit të politikave të çdo shteti”.
“Ju do ta keni parasysh se reformimi i MTI’së është identifikuar si prioritet kyç dhe parakusht për fillimin e negociatave për MSA’në. BE’ja ka qenë e përfshirë fuqimisht në procesin reformues, duke insistuar në veçanti në një rekrutim transparent të stafit. Si rezultat, MTI’ja dhe stafi i saj patën shkëlqyer në negociatat për MSA’në. Ne presim dhe kërkojmë nga ju jo më pak se implementim. Fakti që ministria juaj ka shkarkuar staf me performancë kaq të shkëlqyeshme dhe arritshmëri të lartë po krijon një seri dyshimesh në motivimin e juaj për t’i përfunduar obligimet e dhëna në mënyrë të shkëlqyer dhe efikase”.
Zhbogar i kishte kërkuar Bajramit që t’i rishikojë ndryshimet e bëra kohëve të fundit, qoftë edhe ato që eventualisht nuk i ka bërë ende publike.
“E dashura ministre, duke i përmbledhur të gjitha ato që thashë më lartë do të doja të ju lus dashamirësisht që t’i rishikoni ndryshimet e kohëve të fundit të cilat i keni prezantuar ose edhe ato që keni në plan t’i prezantoni në administratën e ministrisë suaj. Duke i rishikuar, do të bëheni shembull pozitiv dhe do të jepni një mesazh të qartë që Kosova i respekton obligimet që i janë dhënë, dëshiron ta promovojë pavarësinë dhe profesionalizmin e shërbyesve të saj civilë dhe vepron në bazë të principeve themelore sipas të cilave shërbyesit civilë nuk duhet kushtëzuar apo ndikuar nga rezultatet e zgjedhjeve”, thuhej në fund të letrës.
Bajrami akuzohet edhe për punësimin e burrit të saj në Telekom, ja si arsyetohet ajo
Në Telekom tashmë dihet se punojmë shumë të afërm të politikanëve me ndikim.
Aty punon edhe bashkëshorti i ministres Hykmete Bajrami, Nazmi Zeqiri.
Ai është Drejtor i Qendrës së Trajnimeve dhe paga e tij është 2000 euro në muaj.
Barajmi kishte reaguar rreth këtij lajmi duke thënë se burri saj punon në këtë institucion që nga viti 2006, duke shtuar se që nga atëherë nuk është ngritur në pozitë.
“Dje është raportuar se bashkëshorti i Hykmete Bajramit punon ne Telekom…Ju informoj se bashkëshorti im Nazmi Zeqiri ka filluar punën ne Telekom në vitin 2006, që nga fillimi ka pozitën e njëjtë”, pati thënë ajo në reagim
Ajo thotë se burri i saj atëkohë është punësuar përmes konkursit.