Deklarata shokuese e kryeministrit: S’mund t’i rris pagat se është kundër popullit
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës paga mesatare në Kosovë është rreth 460 euro, derisa ajo minimalja 250 euro.
Shifra më të mira ka edhe Shqipëria. Për vende të tjera të rajonit s’bëhet fjalë se qëndrojnë më mirë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Kuvendin e Kosovës, se nëse do rriste këto shifra si qeveri, atëherë kjo qasje do të ishte kundër popullit.
Madje, ai ka pasur një kritikë të përgjithshme për ata që janë të punësuar, “sepse dihet qysh kanë hy”.
“Ne kemi fituar me punësim dhe drejtësi, pra t’i fusim njerëzit në punë, ata që s’janë. Jo veç ata që janë, e dihet qysh kanë hy në punë e tash veç me ta mu marrë edhe me ua rritë pagat”, deklaroi Kurti derisa fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës i pyetur për ligjin për paga.
Rritja e pagave, sipas kryeministrit, “do të ishte kundër popullit”.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka garuar me program për rritje pagash, prandaj nëse do ta bënte, do të ishte edhe “kundër fitores që e kemi realizuar ne”.
“Andaj, parullën tuaj s’mund t’ua realizoj unë. Ajo parullë ka humbë me 14 shkurt 2021”.
“Ka humbë ajo parullë”, përsëriti kryeministri, duke prodhuar kështu një nga deklarimet me të cudishme në Kuvendin e Kosovës.
Deklarim që nënkupton që nuk e ka në program rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë, arsimit, administratës dhe Policisë së Kosovës, e organizmave të tjerë shtetërorë. /Albanianpost.com