Deputetët e VV-së sërish po kritikojnë KFOR-in, kjo ishte komunikata për ta që e kishin hequr më pas
Barrikadat në veri të Kosovës duket se nuk po krijojnë vetëm tensione ndër-etnike por edhe tensione mes ‘trupave’ të aktivistëve të Vetëvendosjes dhe trupave të KFOR-it. Këta të fundit kanë nisur me disa kritika e qortime, dhe sa më shumë kohë që kalon duket se aq më të sertë do të bëhen. Por, Vetëvendosje ka një histori të kritikës me KFOR-in.
Çka ndodhi?
Së fundi, deputeti i partisë në pushtet Mefail Bajqinovci ka shkruar këto fjalë në profilin e tij në Facebook:
“KFOR-i kërkoi pak ditë, ndërkohë sot u bënë 12 ditë. Asnjë reagim.”
Por, deputet Mefaili s’është i vetmi nga VV-ja që ka kritikuar KFOR-in. Edhe më i ashpër ka qenë deputeti Artan Abrashi.
“KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave ndërkohë që u bënë disa ditë. Sot si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale një qytetare e komunitetit serb ka ndërruar jetë…”
E, i tensionuar ishte shfaqur madje edhe kryeministri Albin Kurti. Në një bisedë me The Guardian, ai kishte thënë që “ishte pajtuar t’i jepte trupave të NATO-s (KFOR-it) kohë që t’i bindte ata që po i mbanin barrikadat të tërhiqeshin por se kjo nuk mund të lejohej të shkonte shumë larg.”
“Brenga jonë është që heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë edhe viktima,” – kishte thënë Kurti.
Historia
Historia e Vetëvendosjes me KFOR-in nuk ka qenë aq e ndritshme. Të paktën, bazuar në një komunikatë të titulluar “KFOR-i nga shpëtimtarë në mercenarë” që më pas ishte fshirë nga faqja e tyre.
Kjo parti kishte kritika të ashpra ndaj misionit paqeruajtës të NATO-s duke shprehur madje edhe fjalë eksplicite:
“Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit. Kthesa përfundimtare në relatat me KFOR-in ishte marsi i vitit 2004. Prej momentit kur dikush (kush? pse?) dha urdhër që të hapet zjarr veprues kundër civilëve të paarmatosur, mund të thuhet që KFOR-i ia ha paret priftit. Beogradi kishte këtu më shumë se dyfishin e KFOR-it, me përvojë e motivacion, e prapë s’ua ndali dot hovin e rebelimit shqiptarëve kur këtyre u vloi uji.” – thuhej aty.
Por, ka edhe më zi:
“Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar.”
E edhe më zi:
“Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zmbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.”
Komunikata e plotë:
KFOR-i, nga shpëtimtar në mercenary Në qershor të vitit 1999, ushtarët e NATO-s u pritën si shpëtimtarë nga shumica shqiptare në Kosovë. Që ahere s’kanë kaluar as 10 vjet, por shumica e shqiptarëve sot parapëlqejnë që siguria e tyre të mbrohet nga ushtria e Kosovës së mëvetshme. Ky ndërrim i mendjes nuk varet nga strategjia vendore e mbrojtjes, meqë një e tillë nuk lejohet të ekzistojë, por duke qenë se aborti I gjithëmbarshëm i protektoratit është reflektuar edhe mbi KFOR-in. Në sytë e shqiptarëve, KFOR-i është gjithnjë e më pak garant i sigurisë, e gjithnjë e më shumë garant i zgjidhjeve të korruptuara të UNMIK-ut.Dora në zemër, romanca mes KFOR-it dhe shqiptarëve s’ka qenë asnjëherë e thjeshtë. Ajo u nis me gjysmë zemre qysh në krye, kur vendet e NATO-s e dizajnuan fushatën ajrore kundër Serbisë me qëllim parësor zero (!) viktima nga radhët e veta – ndërsa shqiptarët pësuan 14 000 të vdekur, e 20 000 femra të dhunuara. Shqiptarëve u kujtohen ende freskët sabotimet franceze, italiane e greke, që e vonuan dhe kufizuan ndërhyrjen ajrore fillim e mbarim. Marrëdhëniet s’kishin si të lulëzojnë kur mu këtyre vendeve iu dhanë në besim zonat më të ndjeshme të Kosovës.Që atëherë, ka ndodhur shumëçka që ta zbeh këtë relacion edhe më tej. Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.Edhe organizimi i KFOR-it dëshmon qartë që është produkt evropian. Komanda e qe ndërzuar ekziston vetëm në letër, secili shtet i grah sipas interesit të vet. Ndonëse i është besuar një ndër rajonet më të ndjeshme të kontinentit, KFOR-i nuk ka as sot e kësaj dite një organ të përbashkët të inteligjencës. Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit.Kthesa përfundimtare në relatat me KFOR-in ishte marsi i vitit 2004. Prej momentit kur dikush (kush? pse?) dha urdhër që të hapet zjarr veprues kundër civilëve të paarmatosur, mund të thuhet që KFOR-i ia ha paret priftit. Beogradi kishte këtu më shumë se dyfishin e KFOR-it, me përvojë e motivacion, e prapë s’ua ndali dot hovin e rebelimit shqiptarëve kur këtyre u vloi uji.Është sinjifikative për vetkuptimin e KFOR-it dhe për dobësinë vendorëve që gjer sot nuk është hetuar asnjë nga 21 rastet fatale nga marsi i vitit 2004. Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar. Ish-kryeadministratori finlandez, Harri Holkeri, pat premtuar botërisht, në prill të vitit 2004, se do të ngriste hetime të pavarura për çdo rast të përveçëm. Në shtetet prej ku vijnë ushtarët e KFOR-it do të bëhej hataja sikur të vriteshin 21 qen nga ushtria, pale më njerëz me emër e mbiemër. Por edhe ky premtim I ndërkombëtarëve shkoi aty ku shkuan premtimet tjera – në kosh të plehrave.Prandaj, nuk është për t’u habitur pse shumica dërrmuese e shqiptarëve sot dëshiron t’u thotë shpëtimtarëve të dikurshëm: ju lumshin këmbët, e udha e mbarë. Mjerisht për të dy palët, për ne e për ushtarët e KFORt, duket se mendjet e atyre që i kanë planuar “negociatat” në Vjenë punojnë në drejtim tjetër.Kosovën në Vjenë e pret statusi I kolonisë, së cilës, me sa shihet, nuk do t’i lejohet as në të ardhmen të merr përgjegjësi për mbrojtjen e vet. Zgjidhjet të cilat përfliten kuloareve përfshijnë një Përfaqësues të Lartë (lexo: Cezar) nga bashkësia ndërkombëtare, me të drejtë të vetos ndaj çdo vendimi vendor. Si dhe një prani të vazhduar ushtarake me afat të hapur. Përse duhet të mbeten në Kosovë trupat e huaja, këtë e kupton sekush me dy fije mend në kokë. Jo për të na mbrojtur ne prej Beogradit. Po të ishte ky qëllimi, do të na mbronin përmes forcimit të ushtrisë së Kosovës. Qëllimi është, se Cezarit do t’i duhen legjionarë të besueshëm për t’ia ruajtur fronin. Në mendjen e planifikuesve neokolonial, është më e pranueshme që shpëtimtarët e dikurshëm të shndërrohen në mercenarë, se sa që shqiptarëve t’u njihet vetëvendosja.