fbpx
Lajme

“Dëshmi të rrejshme për llogari të Inteligjencës së Serbisë”: Kush është dëshmitari i 44-të në Hagë?

Gjatë ditës së djeshme në Dhomat e Specializuara të Hagës ka filluar dëshmia e dëshmitarit 44-të.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka ngritur alarmin në seancën e djeshme për këtë dëshmitar. Sipas tij, ky person ka dhënë dëshmi të rrejshme dhe ka tentuar ta manipulojë procesin gjyqësor, në llogarit të Shërbimit Inteligjent të Serbisë.

“Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.

Kurse, prokurori Matt Halling pati kundërshtime për parashtrimin e Emmersonit lidhur me dëshmitarin e 44-të të ZPS-së.

“Do të doja të kundërpërgjigjesha; vendimi i juaj ishte në seancë të hapur, por ama ju u kujdeset që të mos jepnit të dhëna identifikuese për këtë dëshmitar. Ne thamë në e-mailin tonë në ditën e diel, kur dërguam shënimet përgatitore pse masat mbrojtëse për këtë dëshmitar janë shumë të rëndësishme. Ka disa arsye të vlefshme pse ekzistojnë masa të tilla mbrojtëse dhe ne mendojmë se mënyra e mirë për transparencë të seancës gjyqësore është që kryesisht ta bëjmë seancën në mënyrë private, në mënyrë që dëshmitari të flas lirshëm dhe më pas të bëjmë redaktimet përkatëse të transkriptit, në mënyrë që edhe publiku të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm”, tha Halling.

Sipas Emmersonit, ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe.

“Megjithatë, është fakt që gjykatësi i procedurës paraprake është çorientuar. Ndërkohë që ju i nderuar gjykatës keni punuar mbi vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake dhe keni vijuar më tej me masat mbrojtëse që janë miratuar në këtë rast. Ajo se çfarë do të thotë është që është një proces në të cilin Prokuroria duhet që të kalojë këtë proces edhe njëherë dhe të shpjegojë arsyen se pse janë aprovuar masa mbrojtëse, të shpjegojë se pse publiku nuk duhet që të dëgjojë dhe të shoh këtë dëshmitar, ndërkohë që është e dukshme që ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe”, tha Emmerson.

Ndërsa, lidhur me këtë, prokurori Matt Halling tha se ky parashtrim i Emmersonit është çorientues.

“Ky parashtrim është i paplotë është çorientues dhe ne kemi filluar tashmë këtë dëshmitar ta dëgjojmë në seancë të mbyllur”, tha Halling.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori Matt Halling për këtë dëshmitar, ai do të dëshmojë se çka ka parë dhe mësuar kur i ka vizituar disa shtabe të UÇK-së.

“Dëshmitari 04325 ka vizituar shtabe të ndryshme të UÇK-së, përfshirë atë të Likovcit, Malishevës,… dhe Llapushnikut. Ai jep në dëshminë e tij atë se çka ka mësuar dhe ka parë në këto vende përfshirë këtu edhe komandantët e UÇK-së të cilat kanë vepruar”, tha Halling. /NACIONALE/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close