Dëshmitari: Në kafiterinë Inbox, Armend Muja mi kërkoi 20 mijë Euro për Akreditim të Programeve të Kolegjit
Alejtin Berisha në shqyrtimin gjyqësor gjatë dhënies së deklaratës së tij tha se në vitin 2010 në një kafene në Prishtinë, Armend Muja i kishte kërkuar atij 20 mijë euro në emër të Ferdije Zhushit, Basri Mujës dhe një personi të tretë nga Ministria e Arsimit.
“Në pjesën e parë të vitit 2010 në një takim në kafenenë Inbox, në emër të Ferdije Zhushit dhe Basri Mujës më janë kërkuar 20 mijë euro për të tejkaluar me sukses procesin e akreditimit, në atë takim të parë nga Armend Muja më është thënë se këto para po kërkohen për këta të dy dhe për një të tretë në Ministrinë e Arsimit por që edhe përkundër insistimit tim të kuptoj se kush ka qenë nuk e kam kuptuar”, deklaroi dëshmitari Berisha ti ketë thënë Armend Muja në emër të Ferdije Zhushit e Basri Mujës.
Madje dëshmitari tha se pas kësaj kërkese nga ana e Armend Mujës, ishte shokuar aq shumë sa që Armend Muja në një rast i kishte thënë se “bota nuk është aq ideale siç mendohet”.“Jam shoku aq shumë sa që në një moment Armend Muja më ka thënë, bota nuk është aq ideale siç e kemi menduar na, unë i kam thënë Armend Mujës se porosinë do t’ia përcjelli babit dhe ky ka qenë kontakti im i fundit me të sa i përket kësaj çështje”, deklaroi dëshmitari Alejtin Berisha.Alejtin Berisha gjatë vazhdimit të dëshmisë së tij deklaroi se pas refuzimit të kërkesës për të dhënë ryshfet, qasja ndaj tyre kishte ndryshuar komplet, duke u kujtuar se sipas tij Armend Muja në një rast tjetër i kishte thënë se për shkak të mos dhënies së ryshfetit do të ja u shohin sherrin.
“Ne jemi taku prapë sepse ky ka vazhduar me punu prapë në kolegjin “Universum”, një rast që dua ta cek është se në nëntor në Lagjen Pejton në një takim që kemi pasur më ka thënë se për shkak të mospërmbushjes së kërkesës nga ana e zyrtareve të AKA-së do t’ia shihni sherrin kësaj pune, për ato që s’është kry qysh kemi kërku, keni me ja pa sherrin”, deklaroi dëshmitari Berisha t’i ketë thënë i akuzuari Armend Muja.Në seancën e së enjtes, dëshmitari Berisha tha se Basri Muja e Ferdije Zhushi nuk i kishin kërkuar këto para në mënyrë të drejtpërdrejt, por vetëm përmes Armendit.Kurse vetë Ferdije Zhushi dëshmitarin e pyeti se nëse ishte në dijeni, se babi i tij Suad Berisha ende i dërgon asaj mesazhe kërcënuese.“A e dini se babai juaj ende me dërgon mesazhe kërcënuese?”, e pyeti dëshmitarin e akuzuara Ferdije Zhushi pyetje e cila nuk u lejua nga trupi gjykues por për të cilën dëshmitari u përgjigj se nuk ishte në dijeni për një gjë të tillë.Gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit Alejtin Berisha në sallë gjendej edhe babai i tij dëshmitari Suad Berisha, por për arsye sepse i njëjti shpesh herë e pengonte procesin duke reaguar dhe duke dhënë përgjigjeje nga vendi, kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj e largoi nga salla e gjykimit.
.Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, ndërsa Naim Braha i cili akuzohej për veprën penale të dhënies se ryshfetit i është parashkruar lënda. Në kohën për të cilën akuzohet, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014. Armend Muja, është liruar meqë vepra penale për të cilën akuzohej është vjetërsuar.