fbpx
Lajme

Dëshmitari shqiptar: BIA më ofroi 100 mijë euro dhe banesa për të dëshmuar rrejshëm kundër UÇK-së

Po i sjellim në kujtesë dy raportime të vitit 2009, respektivisht intervistën e një dëshmitari i cili tregon se agjentët e BIA-s serbe i kanë ofruar mijëra euro për të dëshmuar kundër UÇK-së.

Radio Televizioni i Kosovës sjell rrëfimin ekskluziv të dëshmitarit të cilit i ishin ofruar shuma të mëdha parash në këmbim të deklaratës për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”. E dëgjuar vetëm në prokurori, dëshmia e tij sjell detaje të takimeve me Igor Jucinacin, i dyshuar dhe i arrestuar në qershor të 2009-tës, dhe i liruar në shkurt të këtij viti nga një gjyqtar ndërkombëtar.

Shtëpia e verdhë e qorrave Bardh e Zi

Një dëshmitar ka thënë për RTK se Igor Juçinac, i ka ofruar shuma të mëdha të parave që të deklarojë rrejshëm ndaj rastit “shtëpia e verdhë”, të cilën ofertë nuk e ka pranuar dhe se e ka paraqitur në polici. Dëshmitari ka thënë se dëshmia e tij kurrë nuk është marrë parasysh nga prokuroria.
Policia e Kosovës kishte arrestuar vitin e kaluar Igor Juçinac  shtetas i Kosovës (1976), Milutin Radanoviç shtetas i Serbisë (1957), Predrag Zheljkoviç, shtetas i Serbisë (1976) , nën dyshimin se kanë kryer vepra kriminale, duke ofruar shuma të mëdha parash, më shumë se 100 mijë euro për të gjithë ata që bëhen dëshmitarë të aferës rreth marrjes dhe trafikimit të organeve njerëzore nga ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. 
Por të arrestuarit, janë liruar gjatë vitit 2010 nga një gjykatës ndërkombëtar, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme në akuzën ndaj të dyshuarve.

Dëshmitari i RTK-së deklaroi se në takim Igori i ka thënë se ”kanë të bëjnë me një biznes që do të përfitojnë shumë, dhe e ka pyetur se për çfarë biznesi bëhet fjalë, Igori i është përgjigjur se vinë disa persona nga Beogradi, që të kërkojnë një deklaratë nga ai, dhe duhet të thotë atë që të thonë ata, pamarre parasysh nëse di diçka apo nuk di, dhe i ka përmendur “shtëpinë e verdhë”, të cilën fjalë thotë se e ka dëgjuar për herë të parë nga ai”.
Dëshmitari pohoi se së pari i ka ofruar 30 mijë euro për deklaratën e rrejshme, herën e dytë 70 mijë dhe herën e tretë 100 mijë euro, të cilat para nuk i ka pranuar.

Dy shtetasit e Serbisë dhe një shtetas i Kosovës, që të tre të nacionalitetit serb, të arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës, është vërtetuar përfundimisht se janë pjesëtarë të Shërbimit Inteligjent të Serbisë- BIA (Bezbednosno Informativna Agencija).Një fakt të tillë e pohojnë për Express burime shumë të sigurta dhe të afërta me hetimet e Policisë së Kosovës, të cilët shpjegojnë edhe detaje të tjera mbi të cilat ata kanë bazuar dyshimet dhe kanë kryer arrestimin e tyre.Igor Juçinac, shtetas i Kosovës, 33 vjeç, Milutin Radanoviç, shtetas i Serbisë, 52 vjeç, dhe Predrag Zheljkoviç, shtetas i Serbisë, 33 vjeç, të arrestuar në Çagllavicë afër Prishtinës, dyshohet se kanë paguar njerëz me kusht që të dëshmojnë kundër ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK). “Ata dyshohen se kanë bashkëvepruar, duke ofruar shuma deri 100 mijë euro, banesa dhe vetura, që të deklarojnë dhe dëshmojnë rrejshëm se ata kanë qenë viktima të transplantimit të organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë”, thotë Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, duke shtuar se të dyshuarit kishin premtuar edhe pagesa të majme për ndërmjetësuesit e mundshëm dhe atë deri në 10 mijë euro.Si pjesë e operacionit policor nga Policia e Kosovës është konfiskuar edhe një veturë e llojit Hyndai me ngjyrë të zezë NS.Pas publikimit të këtij lajmi një ditë më parë në Express, kanë reaguar edhe zyrtarë të BIA-s në Beograd, të cilët e kanë mohuar mundësinë që pjesëtarë të saj të jenë arrestuar nga Policia e Kosovës.Madje ata kanë thënë se në Kosovë nuk kanë asnjë pjesëtar të saj. “BIA nuk ka pjesëtarë të saj në Kosovë dhe sipas kësaj, nuk ka mundësi që ata të arrestohen”, ka thënë për mediat serbe Jovan Stojic, shef i kabinetit të drejtorisë së BIA-s.Por, duket se faktet kësaj radhe flasin ndryshe. “Duke u bazuar në fakte dhe prova të pamohueshme, ata jo vetëm që janë pjesëtarë të këtij shërbimi, por edhe kanë kryer vepra shumë të rënda penale”, shpjegon burimi i besueshëm i gazetës. Sipas tij, kësaj here situata nuk është sikurse me arrestimin e tre spiunëve të Shërbimit Sekret Gjerman të BND-së (Bundesnachrichtendienst) nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.Derisa arrestimi i tre spiunëve të BND-së doli të ishte më shumë një incident, arrestimi i tre spiunëve të BIA-s është bërë duke u bazuar në fakte të forta dhe konkrete.Burime të Expressit nga policia tregojnë se dëshmitë që kanë mbledhur hetuesit, për më shumë se tre muaj, për këta persona, njëri prej të cilëve ende ndodhet në arrati, janë shumë bindëse.Dyshohet se arrestimi i tyre, që është bërë në Çagllavicë të enjten rreth orës 14 00, është kryer pikërisht derisa ata ishin duke kryer “punën” e tyre, bindjen e një personi.Ata janë zënë derisa mundoheshin të bindnin personin, të nacionalitetit serb, që në kundërvlerë të të mirave materiale, të pranonte të dëshmojë në çfarëdo rasti para gjykatave se ka qenë viktimë apo dëshmitar i trafikimit të organeve gjatë luftës së vitit 1998-99. “Ata janë zënë në vepër. Akuza ndaj tyre është shumë e rëndë dhe jo vetëm për këtë rast. Ata janë hetuar për më shumë se tre muaj për këtë çështje”, thotë ky burim i gazetës, shumë mirë i informuar.“Për këtë rast ka dëshmi të mjaftueshme të mbledhura nga hetuesit. Ka prova konkrete”, thotë burimi me kusht të anonimitetit.

Ai shpjegon se dëshmitë që ka arritur të sigurojë policia janë incizime të bisedave të të dyshuarve, fotografi që dëshmojnë dyshimet mbi të cilat është kryer arrestimi dhe prova të tjera të ngjashme.“Të jeni të sigurt se nëse nuk do të kishte prova të bollshme, nuk do të kryhej fare arrestimi. Nuk kemi të bëjmë me një rast dosido”, shpjegon ky zyrtar i policisë.Më tej, duke treguar bashkëpunimin me organet e tjera të shtetit, ky zyrtar shpjegon se hetuesit e Policisë së Kosovës janë duke bashkëvepruar edhe me Prokurorinë Publike të Kosovës.“Përveç policisë dhe Prokurorisë së Kosovës, për këtë rast janë të njoftuar edhe prokurorët e EULEX-it, të cilët tash për tash vetëm janë duke vëzhguar rastin”, shpjegon ky zyrtar.Por, i kontaktuar nga Express, kryeprokurori i Kosovës, Hilmi Zhitia, nuk pranon të japë asnjë shpjegim nëse ai është i informuar për këtë rast apo se është duke hetuar dikush nga institucioni që drejton. “Nuk di asgjë unë, nuk e di nga i merrni këto informacione…”, tha shkurt Zhitia, duke e mbyllur telefonin.Ndryshe nga kryeprokurori i Kosovës, zyrtarë të misionit të EULEX-it e pohojnë se janë të informuar për këtë rast.“Është hetim tërësisht i Policisë së Kosovës, por prokuroret e EULEX-it janë të informuar në lidhje me këtë çështje. Po më shumë në cilësinë e vëzhguesit”, thotë Kristina Herodes, zëdhënëse e këtij misioni për Express.Derisa Igor Juçinac, shtetasi i Kosovës (1976), është i lindur në Shtërpcë, koha e hyrjes në territorin e Republikës e dy të arrestuarve të tjerë ende mbetet e paqartë.Kjo për faktin se duke u bazuar në dokumentet e gjetura nga Policia e Kosovës, shtetasit e Serbisë, Predrag Zheljkoviç (1976) dhe Milutin Radanoviç (1957), njëri është i lindur në Beograd, kurse tjetri në Novi Sad.Sa i përket shtetasit të Kosovës Igor Jucinac, Policia e Kosovës e konfirmon se ai deri në vitin 2007 ka qenë pjesëtar aktiv i saj. “Ai ka qenë pjesëtar i PK-së që ka punuar në stacionin policor në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit deri më 2007. I njëjti është larguar nga ky institucion për shkak të shkeljeve të parimeve dhe procedurave të policisë dhe ka pasur një rast në Njësitin e Standardeve Policore. Po ashtu do të kërkojmë nga autoritetet e Serbisë për të marrë detaje shtesë lidhur me të dyshuarit tjerë”, thotë Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, duke mos shpjeguar se për çfarë shkeljesh mund të ketë kryer ish polici i Kosovës.

Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës shpjegojnë se menjëherë pas arrestimit, janë kryer të gjitha verifikimet e të gjitha pikave kufitare të vendit.Por, nga ky verifikim nuk ka dalë që këta emra të jenë regjistruar në ndonjërin nga pikat kufitare të Kosovës, përfshirë edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.“Personat nuk kanë hyrë në mënyrë të rregullt në Kosovë sepse emrat e tyre nuk janë askund të regjistruar. Mund të ndodhë që kanë hyrë në pikë kalimin kufitar 1 apo 31, përkatësisht në Leposaviq dhe Zubin Potok, sepse atje ende hyrjet dhe daljet nuk regjistrohen”, thotë Behar Selimi, ndihmës i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës për Policinë Kufitare. Sipas Selimit, në këto dy pika kufitare ka nisur të kontrollohen dokumentet e vozitësve të automjeteve, por jo edhe të udhëtarëve që mund të qarkullojnë me të.Arrestimi i këtyre tre personave dhe kërkimi i të katërtit të arratisur nuk janë të vetmit të cilët Policia e Kosovës është duke i kërkuar.“Policia ka informata edhe për persona të tjerë, mirëpo nuk mund të japim detaje për momentin për shkak të rreziku të prishjes së rezultatit hetimor”, thotë zëdhënësi Beka.

Duke mos dashur të paragjykojnë asgjë në lidhje me këtë rast, policia sqaron se procesi hetimor do të tregojë nëse këta të arrestuar kanë qenë pjesë e ndonjë organizate.Sipas tyre, në këtë fazë të hetimeve nuk mund të konfirmohet një gjë të tillë, ndërkohë që të dyshuarit në aftin ligjor do të dorëzohen në gjykatë .Policia e Kosovës pohon se pas arrestimit, me vendim të Prokurorisë së Qarkut tre të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, derisa hetuesit në bashkëpunim me Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë janë duke punuar në grumbullimin e dëshmive të tjera lidhur me këtë rast.Përmes zyrës ndërlidhëse të PK-së në mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare janë duke u njoftuar edhe autoritetet e Republikës së Serbisë për arrestimin e dy shtetasve të tyre.Po ashtu, bëhet e ditur se varësisht nga rrjedha e procedurës hetimore mund të ketë edhe persona të tjerë të arrestuar si të dyshuar për këtë rast.Ky rast, i vë në dyshim pohimet e mediave dhe akuzat e Del Pontes për transplantimin e organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close