DETAJE nga sulmi: “Njëri, jo Nuredini, ia ka marrë armën zyrtare njërit prej policëve të sulmuar”
Gjoba për kundërvajtje në trafik që i shqiptoi Policia mbrëmë Arbër Lushtakut, djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut, u kushtoi atyre me sulm. Dy zyrtarët policorë, Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci, mbetën të plagosur, njëri si pasojë e armës së zjarrit që ende nuk është konfirmuar se nga kush u shkrep, e tjetri për shkak të mjeteve të forta. Për sulmin ndaj Policisë po dyshohet vet Nuredini, bashkë me djalin e dy vëllezërit e tij. Arbri bashkë me xhaxhin e tij, gjenden akoma në arrati, ndërkohë që Nuredin Lushtaku me vëllain tjetër janë liruar në procedurë të rregullt.
Gazeta Sinjali ka siguruar detaje të reja ekskluzive për këtë rast të cilat ua sjellë më poshtë.
Ashtu siç raportoi mbrëmë Sinjali dhe u konfirmua edhe nga Policia, sherri nisi në një pikë kontrolli, në rrugën “Fadil Rrustemi” në Skenderaj, ku zyrtarët policorë ndalën djalin e Nuredin Lushtakut, i cili ishte me një veturë të tipit Golf, të cilit ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik.
I mllefosur për gjobën që mori, Arbër Lushtaku, 19-vjeçar, vendosi të hakmerrej, duke kërkuar ndihmë nga babai e xhaxhallarët, të cilët pa një pa dy dyshohet se arritën në vendin e ngjarjes me një veturë dhe nisën sherrin me Policinë.
Konflikti nisi me debat, e vazhdoi me sulm ndaj dy policëve, njëri prej të cilëve mori lëndime në kokë, si pasojë e goditjeve me mjete të forta e tjetri në këmbë, për shkak të predhës që u shkrep në vendin e ngjarjes.
Burimet e Sinjalit thonë se gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit ia ka marrë armën zyrtare njërit prej policëve të sulmuar, por që është dorëzuar më pas në stacion policor.
Ndërkohë, policët që morën plagë u dërguan fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, për t’u transferuar më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.
Në anën tjetër, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësite relevante, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast janë gjetur tri gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe janë kryer bastisje që ndërlidhen me rastin.
Përveç Policisë, në rast ka intervenuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët në një përgjigje për Gazetën Sinjali kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e mbrëmshëm në Skenderaj, prandaj hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës.
Policia ka intervistuar Nuredinin dhe Fatonin, të cilët janë dorëzuar vet në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre se si u përfshinë në incidentin e mbrëmshëm, ndërkohë që djali i tij dhe vëllai tjetër, Arifi edhe më tutje janë në arrati.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit do të hetohen për veprën penale “sulm”, teksa kërkimet për të dyshuarit kryesorë, Arbër dhe Arif Lushtakun po vazhdojnë.
Gazeta Sinjali ka tentuar të kontaktojë disa herë gjatë ditës edhe me Nuredin Lushtakun, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefonata, teksa avokati i tij, Artan Qerkini, e ka konfirmuar lirimin e tij, duke mos dhënë detaje të reja.
Gjithsesi, për çdo zhvillim në lidhje me këtë rast, Sinjali do të ju mbajë të informuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata