fbpx
Lajme

DETAJET: Pse Ibrahim Rugova nuk e lejoi Sali Berishën të shkelte tokën e Kosovës

Ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, sot është një nga figurat më të zëshme të politikës shqiptare, që kundërshton ide politikanësh në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në gjithë përplasjet që ai ka, sidomos me presidentin aktual Hashim Thaçi, të cilin kohën e fundit, ka nisur ta quajë edhe ‘vegël e Beogradit në Kosovë’, Berisha dhe Thaçi janë përplasur me fjalë edhe për të kaluarën e të parit (pra Berishës).

Përmendja që ia bëri Thaçi Berishës për raportet e tij me ish- presidentin Ibrahim Rugova, ka ngjallur edhe një herë kërshërinë se cila ishte e vërteta e ftohjes së raporteve mes Berishës dhe Rugovës.

Se Rugova ia kishte kthyer shpinën Berishës që nga viti 1996, në një deklaratë e ka thënë edhe gazetari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu.

“Shkaku i ftohjes ka qenë një moment tensioni ndërmjet Berishës dhe amerikanëve për shkak të zgjedhjeve të vitit 1996. Në atë moment Berisha filloi ta përkrahte Demaçin të cilin edhe e ftoi në Tiranë. Dhe këtu ndodhen gjëra misterioze, që unë kurrë nuk e kam të shpjeguar, ministri i Jashtëm shqiptar, Tritan Shehu, thërret diplomatët në Tiranë dhe ju thotë që sot e tutje kursi ndryshon dhe ne do t’i japim mbështetje Demaçit, jo më Rugovës”, ka thënë Fevziu në një intervistë të mëhershme.

Sipas tij, takimi i Shehut me diplomatët shqiptarë është takim i dokumentuar dhe ka ndodhur në vitin 1996.

“Dhe këtu fillon ftohja e Rugovës me Berishën. Dhe ju kujtohet më pas Konferenca e Rambujes ku pas kthimit aeroplani i delegacionit të Kosovës ndalon në Tiranë dhe të gjithë zbresin dhe takohen me krerët e shtetit të Shqipërisë, por ishte Rugova ai që nuk doli fare nga aeroplani. Më pas te ai në aeroplan shkoi presidenti Rexhep Mejdani dhe pas një bisedë të gjatë e bindi që të zbriste”, ka thënë Rugova.

Vetë Berisha, ka dhënë versionin e tij lidhur me këtë ftohje raportesh me ish- presidentin Rugova. Versioni i Berishës është pak a shumë i atillë, që gjoja dyshja në një moment, ia ktheyn shpinën njëri-tjetrit, për shkak të ‘kërkesës që i ishte sjellë në tavolinë Berishës, që ta bindte Rugovën të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë’.

Një tablo të detajuar të ‘prishjes së madhe’ Rugova – Berisha, e jep autori Bedri Islami në librin e tij pikërisht me këtë titull, pra ‘Prishja e madhe’. Aty, autori kryesisht aludon se prishja mes Rugovës dhe Berishës – që nisi më 1996 – ndodhi sepse ‘Rugova ia prishi hesapet Berishës për të qenë si lideri paternalist i kombit shqiptar’. Në këtë libër, autori jep një vlerësim se prishja mes Rugovës dhe Berishës, ndodhi kryesisht për çështje karrieriste – në fillim – e më pas siç nënkuptohet ‘dyshja do të bëheshin bashkë pa çare’ për shkak se po e shihnin se kah po shkonin gjërat në Kosovë.

“Berisha në fakt e ka përdorur gjithnjë fort kartën e Kosovës. E përdori edhe kur donte të hynte në pushtet, edhe pas marrjes së pushtetit, por gjërat po dilnin jashtë asaj që kishin ëndërruar njerëzit e mirë. Në pak kohë, nga politika berishiste, Kosova si vatër nacionalizmi, po kthehej në mendimin e zakonshëm njerëzor si një vend nga ku po vinin mashtrimet dhe sajesat, pasi ,si ishte planifikuar saktësisht, të ardhurit e parë, të paraqitur si njerëz të botës së biznesit, ishin në fakt shërbesat e para të sigurimit serb”, shkruan Islami në këtë libër, pjesë të të cilit lehtësisht janë të qasshme edhe në internet./Periskopi/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close