Dhurata Hoxha paditet pse ua ka dhënë 10 mijë euro fëmijëve dhe OJQ-së “Down Syndrome Kosova”
Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, thotë se nuk është kontaktuar nga Prokuroria për hetimet që po zhvillohen bazuar në një kallëzim penal të dorëzuar kundër saj nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), lidhur me financimin e dy organizatave joqeveritare.
Duke folur për Gazetën Express, ish-ministrja Dhurata Hoxha konsideron se kallëzimi penal i AKK-së kundër saj është bërë pa bazë, meqë ajo pretendon se vetëm i ka ndihmuar dy organizata që merren me grupe të margjinalizuara.
Bëhet fjalë për dy vendime të nënshkruara nga Hoxha në vitin 2018 për ndarjen e nga 10 mijë eurove për organizatën joqeveritare “Down Syndrome Kosova” dhe për “Qendrën për promovimin e të drejtave të grave” në Drenas.
“Kam lexuar në media për këtë por nuk jam kontaktuar. Sipas jush (mediave) me i ndihmu dy OJQ-ve siç janë Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave që i përkrahin dhe i mbrojnë gratë e dhunuara gjatë luftës, si dhe Down Syndrome Kosova që i mbështet fëmijët me Sindromin Down qenka shkelje? Gjithashtu përkrahja e grupeve të margjinalizuara dhe mbrojtja e të drejtave të tyre është plotësisht në fushëveprimin e integrimit evropian”, tha Hoxha të martën për Gazetën Express.
Ajo thotë se vetëm në Kosovë ndodh që dikujt t’i ngrihet kallëzim penal për përkrahjen që ua bën organizatave joqeveritare.
“Vetëm në Kosovë ndodh kjo që kallëzimi penal të bëhet pa bazë dhe për përkrahje të grupeve të margjinalizuara”, përfundoi ajo.
Sot për Express, nisjen e hetimeve për ish-ministren e Integrimeve Evropiane e ka konfirmuar edhe Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15.09.2020, ka pranuar kallëzim penal nga AKK, kundër personit me inicialet Dh.H., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokurori i çështjes është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, andaj, çdo informatë tjetër mund ta dëmtoj procesin hetimor”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për Gazetën Express. /Gazeta Express/