“Do të thotë”: A po i bashkohet Latifi grupit të Armend Mujës, Bujar Dugollit e Tomë Gashit në VV?
A po i bashkohet Blerim Latifi vagonit të Albin Kurtit ku ndodhen Armend Muja, Tomë Gashi e Bujar Dugolli me të ngjashëm?
“Do të thotë…” – është ndoshta shprehja më e përsëritur e Blerim Latifit nëpër studio televizive, që tregon fiksimin e tij për ‘domethënie’. Shpesh, filozofi televiziv thotë “do të thotë” ani pse nuk thotë ndonjë gjë. Edhe më shpesh, e bën që të përmbledh mendimet e tij kur fjalitë që shpreh dështojnë të formojnë qëndrim. Bash, një “do të thotë” të heshtur e shpreh edhe statusi i tij i fundit në lidhje me veteranët.
Blerim Latifi – që kishte qenë këshilltar i Kadri Veselit e Hashim Thaçit, efektivisht në pushtet për dymbëdhjetë vjet – kontestoi motivin e protestës së veteranëve dhe denoncoi ata që i quajti “profiterët milionerë të luftës e pasluftës.”
Kjo është një do-të-thotje goxha e madhe. Se a përbëjnë këto fjali një hop të madh para kërcimit drejt Vetëvendosjes mbetet të shihet, por është e qartë se përfocojnë narrativën e kësaj partie në lidhje me këtë çështje të nxehtë.
Në të kaluarën, Armend Muja, Bujar Dugolli, Tomë Gashi, Sami Kurteshi e shumë të tjerë kishin bërë hope të tilla e më pas kishin kërcyer në prehrin e Albin Kurtit, nga ai i Hashim Thaçit ku ndodheshin dikur. Kërcimi i Latifit do të ishte, do të thotë, i fundit në listën e shumë kërcimeve të deritashme.
Nëse do të dëgjojmë Latifin duke sulmuar opozitën e mbrojtur pushtetin, kjo s’do të jetë më e habitshme se sa kur dëgjuam Mujën, Dugollin, Gashin, Kurteshin, Kusarin dhe të tjerët duke e bërë atë gjë.
Do të thotë, pjesa I
Blerim Latifi është profesor i filozofisë politike – dhe një duzinë lëndësh tjera – në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Si profesor filozofie, ai u bë i njohur për futjen në sillabus të librit “Deluzioni zot” nga ateisti Richard Dawkins.
Por, puna dhe ngritja e tij akademike – do të thotë – është bërë krahas një pune tjetër, asaj të këshilltarit politik. Do të thotë!
Fillimisht, ai punoi për Hashim Thaçin, derisa ish kryeministri e ish presidenti, ishte njeriu më i pushtetshëm në Kosovë. Por më pas, e bëri një hop e një kërcim interesant duke lëvizur te Kuvendi i Kosovës, më saktë, te kryetari i saj që mbante asokohe emrin Kadri dhe mbiemrin Veseli. Do të thotë, përsëri si këshilltar politik.
Vetëvendosje ka pasur akuza të rënda në vazhdimësi ndaj Latifit, në vazhdimësi. Në komunikatën “Përputhje kundërshtimesh – mospajtim qëllimesh” ai quhej edhe si politikan me mbiemrin prostitutiv nga ana e partisë së Kurtit.
Përvoja e tij e gjatë si këshilltar politik, megjithatë mbetet e panjohur. Nuk dihet saktësisht se në cilat procese shtetërore është përfshirë Latifi duke dhënë kontributin e tij.
Por, dihet që përgjatë kësaj kohe si zyrtar i lartë shtetëror ishte edhe pjesëmarrës aktiv në debatin publik dhe sidomos në debatin e politikës ditore. Duke qenë se këto role – komentues në Facebook dhe këshilltar politik – i ngatërroheshin së tepërmi, ai kishte kërkuar nga mediet që të mos i referoheshin si “këshilltar i Kadri Veselit” apo “ish këshilltar i Hashim Thaçit” kur fliste për tema të ndryshme politike. Ndoshta, për shkak se shefi/shefat i kishin “ngrehë veshin” për ndonjë koment të bërë.
Do të thotë, pjesa II
Veçanërisht i përkushtuar e i ashpër si komentues, Latifi ka qenë në denoncimin e asaj që e quante si “islam politik”.
Qysh në vitin 2020, kohë kur hopi i tij drejt Vetëvendosjes dukej i paimagjinueshëm, ai denonconte Albin Kurtin për një aleancë me “ekstremistët islamikë”.
“Kjo aleancë (mes ateistëve majtistë dhe ekstremistëve islamikë) është bashkim i urrejtjes që majtistët kanë për kapitalizmin perëndimor me urrejtjen që ekstremistët islamikë e kanë për vlerat kulturore të Perëndimit. Tani edhe në Kosovë kjo aleancë po shtrihet.” – shkruante Latifi, duke komentuar aderimin e teologut Mustafa Bajrami drejt Vetëvendosjes.
Nuk dihet se si Latifi kishte dalë në konstatimin se Bajrami ishte “ekstremist islamik”.
Po ashtu, Latifi kishte qenë i zëshëm për të denoncuar atë që e konsideronte si islamizim të identitetit shqiptar të yjeve ndërkombëtare me origjinë nga Kosova.
Një ndër rastet më interesante, ishte kur kishte sulmuar në lidhje me një urim Xherdan Shaqirin. Duke u gëzuar për një fitore, z. Shaqiri do të shkruante “Elhamdulilah”, gjë që do ta irritonte tej mase filozofin.
“Shumë vite më parë, rastësisht, e pata dëgjuar njërin duke i thënë një tjetri: Shqiptarit me Kuran i lejohet me i pasë katër gra! Xherdan Shaqiri është në kategorinë e këtyre njerëzve që, në mungesë të shkollimit, nuk e kanë aftësinë të dallojnë kufijtë e identiteve që kanë. Ata nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes asaj çka është shqiptare dhe asaj çka është arabe, ose turke e sllave.” – shkruante z. Latifi.
Profesori i filozofisë është akuzuar për kohë të gjatë për islamofobi. Islamofobia është mospëlqimi apo paragjykimi ndaj islamit ose muslimanëve, veçanërisht si forcë politike (fjalori i Oxfordit). Do të thotë!
Një fotografi e një hoxhe qarkullon në rrjetet shoqërore të Internetit, dhe i cili sipas përdoruesve të rrjeteve shoqërore përngjan shumë me Blerim Latifin. Kjo fotografi u bë e famshme për shkak se tregonte kontrastin e madh mes paraqitjes së Latifit si klerik fetar musliman dhe qëndrimeve të tij kundër islamit politik. Sidoqoftë, nuk besohet që Latifi do të bëj një kërcim të tillë në të ardhmen e afërt.
Do të thotë, pjesa III
Fillimi i prishjes së Blerim Latifit me PDK-në kishte nisur kur ai ishte bërë pjesë zyrtarisht e PDK-së pas një shërbimi të gjatë ndaj Veselit dhe Thaçit.
Ai do të garonte në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet. Por, do të dështonte!
Akuza e parë direkte e tij ndaj PDK-së, pa specifikuar emra, erdhi pikërisht pas zgjedhjeve ku akuzonte bashkëpartiakët se i kishin vjedhur votat.
“PDK-në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK-në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri-tjetrit.”
Aktualisht, Latifi është thjesht debatues televiziv dhe profesor universitar, çka i siguron të ardhura prej 2-3 mijë eurove në muaj. Por, nuk ka asnjë funksion politik. E ardhmja e tij si komentator opozitar që do t’i jepte në të ardhmen ndonjë funksion politik del të jetë shumë jopremtuese, çka mund ta ketë shtyrë të mendonte për Vetëvendosjen si figurat e sipërpërmendura.