DOKUMENT| Kryeministri i “popullit” i ndan punonjësit në shërbyes e VIP, bënë ashensorë të veçantë për stafin politik
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur një tender në vlerë të 5 mijë e 500 eurove për renovimin dhe modifikimin e sistemit të VIP kartelave në ndërtesat qeveritare. Këto kartela speciale i kanë 100 persona në Qeverinë Kurti.
Asnjë kryeministër nuk i kishte bërë këto më herët. Lifti që përdorej prej tyre, përdorej edhe nga personeli i ZKM-së. Por, kryeministri Albin Kurti, i cili sa ishte opozitar ishte shumë kundër dallimeve dhe shihej si njeri i popullit, ka vendosur që ta bëj dallimin mes shërbyesve civilë dhe VIP zyrtarëve politikë.
Një ashensor në objektin e Qeverisë, ku e ka zyrën kryeministri Albin Kurti dhe një ashensor në objektin Rilindja, ku e kanë zyrën disa ministra, nuk mund të përdoren nga të gjithë punonjësit.
Në këta ashensorë kanë qasje vetëm disa persona të veçantë të Qeverisë Kurti, të cilët cilësohen si VIP-a.
Madje, ata posedojnë edhe kartela speciale për këta ashensorë, të cilat tash duhet të renovohen dhe për këtë çështje Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka hapur tender.
“Renovimi dhe modifikimi i sistemit te VIP kartelave në ndërtesat qeveritare Kulla Rilindja dhe ZKM. Vlera e parashikuar e kontratës: 5,500.00 euro. 100 copë kartela. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 15.08.2023”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në këtë tender tregohet se këto kartela duhet të jenë të koduara. Po ashtu, duhet të kenë edhe mbishkrimin me simbole të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
“Furnizimi me kartela VIP , kartelat duhet ta kenë: simbolin e Republikës së Kosovës, mbishkrimin: Republika e Kosovës në 3 gjuhë Shqip, Kroatoserbisht dhe Anglisht po ashtu edhe mbishkrimin: Qeveria e Kosovës në 3 gjuhë Shqip, Kroatoserbisht dhe Anglisht, Ministria e Punëve të Brendshme, Ndertesa Qeveritare si psh Kulla Rilindja ose Ndërtesa e Kryeministrisë ( ish Bankosi) Ashensori VIP varet se për cilin objekt janë programuar ( koduar) VIP kartelat . Ndërsa ana tjetër e kartelave duhet ta ketë mbishkrimin vërejtje: Kopjimi i kartelës është i ndaluar. Kartela përdoret nga personat e autorizuar, si dhe numrin e kartelës si psh Nr.Kartelës: 1 apo, deri 100 varet se për cilin objekt janë programuar ( koduar) VIP kartelat”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë edhe arsyetimin se pse është shpallur tenderi për këto VIP kartela. Sipas tyre “….si pasoj është bërë mbi ngarkimi i sistemit aktual të VIP kartelave dhe po kemi bllokim te shpeshtë të ashensorëve në fjalë”.
“Sistemi aktual i VIP kartelave në ashensorët në objektin Kulla Rilindja dhe ZKM është i stërvjetër dhe është jo funksional në pastrimin e sistemit nga kartelat e klonuara pa autorizim dhe në programimi me: programimi me Master Card , programimi me Delete Card dhe programimi me Reset Card . Ku si pasoj është bërë mbi ngarkimi i sistemit aktual të VIP kartelave dhe po kemi bllokim te shpeshtë të ashensorëve në fjalë. Këtij përshkrimi teknik ja bashkëngjis edhe një mostër në kopje të fortë si dot ë dukej kartela VIP sipas përshkrimit në pozicionin nr: 5 duke pasur parasysh përshkrimin Ministria e Punëve të Brendshme (jo ish MAP-it)”.
Kurse në dosjen e tenderit tregohet edhe gjendja e ashensorit që përdorët nga kryeministri Kurti.
“Objekti: Kryeministrisë ndërtesa ish-Bankosi. Vendi i përdorimit: Kryeministrisë ndërtesa ish-Bankosi. Investitori Ministria e Administratës Publike. Prodhuesi, Kombinim. Viti i Prodhimit 2000/1. Destinacioni i ashensorit për udhëtare. Bartja e ashensorit – Kapaciteti 400kg (5-persona). Shpejtësia (m/s) 2,0 m/s me frekuenca. Numri stacioneve 16/17. Lartësia e ngritjes (m) 51.67m. Lloji i ashensorit Elektrik. Lloji i dyerve te pusit automatik. Data e kontrollit te fundit 2022”.
Një përshkrim i ngjashëm i është bërë edhe ashensorit që përdorët nga ministrat në objektin Rilindja.
“Objekti: Rilindje – KULLA. Vendi i përdorimit Rilindje – KULLA . Investitori MPB. Prodhuesi Thyssenkrupp. Viti i instalimit 2009. Destinacioni i ashensorit për udhëtare. Bartja e ashensorit – Kapaciteti 1200kg (16-persona). Shpejtësia (m/s) 1,6 m/s. Numri stacioneve 19. Lartësia e ngritjes (m) 63.314 m. Lloji I ashensorit elektrik Data e kontrollit te fundi 2022”. /Demokracia.com/