fbpx
Lajme

“Escobar erdhi t’i thotë Kurtit se po u zvarrit dialogu Serbia del fituese”

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në vizitën e tij të papritur në Prishtinë u ka treguar liderëve kosovarë se po nuk zbatuan detyrimet ndërkombëtare i bëjnë favor Serbisë dhe gjithashtu ua bëri të qartë se plani franko-gjerman për zgjidhje finale është i duhuri, ka thënë publicisti Halil Matoshi, në një përgjigje për Albanian Post.

Diplomati amerikan edhe pse në konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, u tregua mjaft diplomatik në fjalimin e tij, të njëjtën gjë nuk e bëri disa orë më vonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, përpos se ishte shumë më i qartë në konferencë me Kurtin, dha edhe dy deklarime shumë të forta, jo të dëgjuara më parë. Sipas tij “Kosova duhet të jetë më e vetëdijshme për implikimet rajonale që i ka dialogu në Bruksel” duke theksuar kështu faktin se është e “rëndësishme që Prishtina të rreshtohet me vlerat evropiane në këtë kohë krize”.

Por, si duhen kuptuar dy këto deklarime të Escobar?

Sipas publicistit, Halil Matoshi, nga implikimet e dialogut Kosovë-Serbi, afektohen dy shtete të rajonit –Shqipëria dhe Serbia.

“E para, Escobar erdhi t’i thotë lidershipit kosovar se zvarritja e dialogut nga ana e Prishtinës zyrtare, përkatësisht moszbatimi i detyrimeve Ndërkombëtare dhe vendore e nxjerr Serbinë fituese dhe Shqipërinë kërkuese të hises së vetë në këto implikime rajonale”, ka shpjeguar ai për Albanian Post.

Kërkesa e dytë e Escobar, sipas Matoshit, pra rreshtimi i Kosovës me vlerat evropiane do të thotë trajtimi i Veriut të Kosovës sipas modeleve të autonomive politike evropiane, duke e mbajtur të drejtën e shtetit mbi territorin kushtetues.

“Në këtë kontekst, Escobar u tha liderëve kosovarë së plani franko-gjerman është i mirë në këtë momentum gjeopolitik, që do të thotë idetë e tjera mund të jenë zgjidhje më të këqija. Interesi aktual i Perëndimit është nxjerrja e Serbisë nga orbita ruse, sëkëndejmi, mund t’i lëshohet pe asaj, qoftë edhe në disfavor të Kosovës”, ka shtuar ai.

Vizitat e dendura të top-diplomatëve të shteteve perëndimore në Prishtinë, sipas profesorit të shkencave politike, Ibrahim Gashit, duhet të shihet në kontekstin e dinamizimit të dialogut me synim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, sa më shpejtë që është e mundur.

Për Gashin deklarata e Escobar për implikimet rajonale që ka dialogu në Bruksel, ka të bëjë ekskluzivisht me ngecjet që ky proces, tash e 11 vjet, po shkakton në sigurinë rajonale, por jo vetëm.

“Marrëdhëniet e pa normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndikojnë në paqëndrueshmërinë e situatës së sigurisë në rajon dhe më gjerë. Serbia po ndjekë një gjuhë kërcënuese me rastin e aplikimit të masave të reciprocitetit nga ana e Kosovës”, ka thënë Gashi për Albanian Post.

Ndryshe nga Matoshi dhe Gashi, deklarata e Escobar për implikime rajonale që ka dialogu, sipas profesorit universitar në Winchester, Seb Bytyçit, duhet të shihet nga një perspektivë më e gjerë.

“Këtu bëhet fjalë për orientimin e përgjithshëm pro-perëndimor të rajonit. Arritja e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë shihet si mundësi për Serbinë për t’u avancuar në integrimin evropian dhe për t’u shkëputur nga aleanca me Rusinë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Halil Matoshi, Ibrahim Gashi dhe Seb Bytyçi

Me 18 shtator Albanian Post publikoi një dokument që përmban kornizën e re franko-gjermane.

Sipas saj, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close